SHOQËRI

Artikull

Radio Bullgaria ka një shtëpi të re dixhitale – portali i lajmeve bnrnews.bg

Premte, 28 Nëntor 2025, 18:53

Radio Bullgaria ka një shtëpi të re dixhitale – portali i lajmeve bnrnews.bg

FOTO: Pexels, BNR

Madhësia e shkronjave

Që nga sot, 28 nëntor 2025, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR), përfshirë këtu dhe Radio Bullgarinë – programet e BNR-së për jashtë shtetit, ka një portal lajmesh tërësisht të rinovuar, i cili ka një adresë të re bnrnews.bg

Media më e vjetër në Bullgari po e bën këtë ndryshim dixhital inovativ, të guximshëm për të ofruar një përjetim më të tërësishëm për përdoruesit e saj - në Bullgari dhe në mbarë botën.

bnrnews.bg gjithmonë të azhurnuar me më të rëndësishmen nga bota dhe nga vendi ynë

Lajme të vërteta, të verifikuara në kohë reale, publicistikë dhe analiza të thella mbi temat aktuale të ditës. Dhe e gjithë kjo e përzgjedhur me saktësi nga gazetarët e medias dhe e prezantuar në bullgarisht dhe 10 gjuhë të tjera nga Radio Bullgaria

Portali ynë i ri do të ofrojë gjithashtu një risi unike për mjedisin mediatik bullgar: text2video – një avatar i inteligjencës artificiale që lexon lajmet nga një studio dixhitale e markuar me ngjyrat e Radios Kombëtare Bullgare, duke përcjellë informacionin në një formë moderne dhe dinamike.

Dhe kjo nuk është e gjitha.

Që nga sot, media publike ka katër faqe të reja interneti: 

FOTO: Radio Bullgaria

bnr.bg – zemra e radios kombëtare!

Ky është portali institucional i Radios Kombëtare Bullgare – një vitrinë e misionit, traditës dhe modernitetit tonë. Këtu do të gjeni informacione rreth të gjitha ngjarjeve që organizojmë dhe rreth programit tonë të pasur kulturor. Do të ndiqni shfaqjet e Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare, Orkestrës së Muzikës Popullore, Big Band-it të Radios Kombëtare Bullgare, Korit të Përzier, Korit të Fëmijëve të Radios dhe Korit të Radio Fëmijëve tanë të talentuar. Do t'ju tregojmë për historinë e medias më të vjetër elektronike në Bullgari dhe për gjithçka që e bën atë të gjallë sot. 

FOTO: BNR

binar.bg tingull dhe pamje në një vend.

Faqja për audiencën rinore, ku muzika nuk njeh kufij. Këtu mund të dëgjoni transmetimin tonë të drejtpërdrejtë nga programet kombëtare "Horizont" dhe "Hristo Botev", si dhe nëntë radiostacionet rajonale - Sofja, Plovdiv, Varna, Burgas, Stara Zagora, Shumen, Bllagoevgrad, Vidin dhe Kërxhali. Këtu janë edhe programet "Bulgaria Sot", të cilat transmetohen çdo ditë jave në 10 gjuhë të huaja – shqip, anglisht, gjermanisht, rusisht, frëngjisht, spanjisht, serbisht, greqisht, turqisht dhe rumanisht, të përgatitura nga ekipi i Radio Bullgarisë. "Bullgaria Sot" në bullgarisht  është krijuar posaçërisht për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit.

FOTO: BNR

detskotobnr.bg – Bota e re dixhitale për të vegjlit!

Për herë të parë në Bullgari, një media publike po krijon një faqe të veçantë për fëmijë. Përralla, këngë, lojëra, vizatim... - të gjitha në një botë interesante plot ngjyra. Madje lajmet do të tregohen në një gjuhë të kuptueshme për fëmijët. Dhe prindërit do të gjejnë këshilla të vlefshme mbi edukimin, arsimimin dhe prindërimin e përgjegjshëm.

archives.bnr.bg  – Fondi i Artë i Radios Kombëtare Bullgare!

Një thesar i kujtesës kombëtare. Në të do të lexoni dhe dëgjoni zërat autentikë të politikanëve, figurave publike, shkrimtarëve dhe artistëve që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Bullgarisë. Historitë e tyre do të marrin jetë përmes teksteve, fotografive dhe regjistrimeve origjinale audio që ruajnë frymën e kohës.

Me këto pesë sajte të reja, BNR nuk po ndjek vetëm epokën dixhitale - ne po e krijojmë atë, së bashku me dëgjuesit, lexuesit dhe shikuesit tanë. Ne po e ruajmë zërin e gjallë që i ka lidhur njerëzit për 90 vjet dhe po e sjellim atë në botën online me edhe më shumë përmbajtje, të arritshme në çdo kohë, kudo.

Të dashur miq të Radio Bullgarisë në gjuhën shqipe, do të na duhet kohë për të rregulluar hapësirën tonë të re dhe shpresojmë në durimin dhe dashurinë tuaj, që të vazhdojmë të krijojmë përmbajtje, e cila t ‘ju informojë dhe t’ju kënaqë. Duke ju kërkuar ndjesë për disa pasaktësi që mund të gjeni, po ju themi mirë se vini në shtëpinë tonë të re dixhitale!

Radioja Kombëtare Bullgare – zbuloni botën tuaj të re dixhitale!  

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva