MUZIKË

Artikull

"Në vend të lamtumirës" -  dueti i njohur “Doni dhe Momçill” me një album të ri

Hënë, 1 Dhjetor 2025, 06:05

"Në vend të lamtumirës" -  dueti i njohur “Doni dhe Momçill” me një album të ri

FOTO: YouTube / Doni dhe Momçill

Madhësia e shkronjave

“Doni dhe Momçill” – dyshja, muzika e së cilës ishte veçanërisht e rëndësishme në fund të mijëvjeçarit të kaluar dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri - lanë hite që po vazhdojnë të jenë aktuale. Pas rreth një çerek shekulli pauze, Dobrin Vekillov-Doni dhe Momçill Kolev janë këtu me një këngë të re "Në vend të lamtumirës" me tekst dhe muzikë nga Doni, dhe një album të ri - "Krahët e Princit". Ai përfshin 17 këngë - këngën e re dhe 16 të tjera nga hitet e tyre më të mëdha, por me një tingull të ndryshëm - në aranzhime mbresëlënëse për një orkestër simfonike me dirigjentin Konstantin Dobrojkov, i cili është edhe autori i orkestrimeve.

Albumi i ri është në formën e një libri interaktiv "Krahët e Princit", të krijuar nga Doni në bazë të pikturave të Tanja Doskovës, të cilat janë të pranishme në libër si ilustrime. Ai tregon historinë e një djali të ri i cili, thënë në mënyrë metaforike, humbet dhomën e tij dhe has gjatë rrugës krijesa të ndryshme të çuditshme. Secili prej këtyre takimeve përshkruhet nga njëra prej këngëve në album, të cilës mund t’i qaseni nëpërmjet kodeve QR. Kodi përfundimtar QR na çon te i gjithë albumi, i cili mund të gjendet në të gjitha formatet dixhitale.

Veçanërisht emocionuese për fansat e artit të dy muzikantëve është shfaqja e një kënge të re nga dyshja - për këtë këngë Momçill thotë se "Në vend të lamtumirës" është një mënyrë për t'i thënë lamtumirë publikut të tyre, pasi rrugët e tyre ishin ndarë aksidentalisht, dhe ky është një gjest për fansat e tyre besnikë gjatë gjithë këtyre viteve. Kur e pyetën se si ishte kur ai dhe Doni u bashkuan për të punuar në një këngë të re, Momçill u përgjigj:

"Ndihemi sikur jemi miq të vjetër që janë ribashkuar. Komunikimi ynë ishte siç ka qenë gjithmonë - Doni me sensin e tij të humorit, unë me qetësinë që i sjell punës sime. Në përgjithësi, gjithçka ishte siç ishte më parë, thjesht asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhënien tonë. "Në vend të lamtumirës" është një këngë për miqësinë e fortë - le të na kujtojnë njerëzit kështu: si miq të mirë që kaluan mirë me vitet, dhe kjo i ndihmoi të bënin gjëra së bashku, të kishin kreativitet të përbashkët dhe të performonin së bashku në mënyrën më të mirë që dinin." 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva