HISTORI

Seksion

Gjurmë historike zbulojnë sekretet e kështjellës "Rjahovec"

Dielë, 30 Nëntor 2025, 10:15

Sekretet e kështjellës "Rjahovec"

Sekretet e kështjellës "Rjahovec"

FOTO: g-oryahovica.bg

Madhësia e shkronjave

Një histori 5000 vjeçare fshihet në rrënojat e kështjellës mesjetare "Rjahovec", gërmimet aktive të së cilës filluan para 10 vjetësh. Me këtë rast, më 17 nëntor, Muzeu Historik i qytetit Gorna Orjahovica hapi një ekspozitë ku materiale fotografike dhe eksponate tregojnë për ngjarje nga koha kur këto toka kanë qenë shtëpi për trakët, peçenegët, kumanët dhe Asenevcit.

FOTO: Facebook/muzei.gorna

"Vendi ka qenë i banuar që nga epoka e hershme e bronzit – rreth vitit 3000 p.K., deri në shekullin XIV, pa ndërprerje", thotë Maja Ivanova, kuratore kryesore e muzeut dhe zëvendësdrejtuese e gërmimeve arkeologjike nën drejtimin e Ilijan Petrakievit. Ajo shton:

Maja Ivanova

FOTO: BTA

"Ne kemi struktura të veçanta, si banesa tipike për këta nomadë. Ka edhe gjetje që janë kyçe në ekspozitën e muzeut, si kazani prej qeramike me veshë të brendshëm, karakteristik vetëm për peçenegët; një thikë e lidhur me kumanët; një nekropol me 15 varre dhe gropa pranë tyre ku gjetëm eshtra kuajsh dhe lopësh – dëshmi të praktikave pagane të varrimit, tipike pikërisht për nomadët e asaj kohe."

Kazan peçeneg nga shekulli XI

FOTO: Facebook/muzei.gorna

Sot, objekti arkeologjik shtrihet në një territor prej disa hektarësh. Por kur Maja Ivanova dhe Ilijan Petrakiev vizituan vendin për herë të parë – 25 vjet pas gërmimeve të para – ata zbuluan se ai ishte tërësisht i mbuluar nga bimësia.


“U gjendëm në një pyll! E dinim për vendndodhjen nga letërsia dhe fotografitë, por nuk kishim asnjë ide sa e madhe ishte ajo që na priste. Madje edhe në vendbanimet rreth kështjellës ushtarake nga koha e Mbretërisë së Dytë Bullgare ka lulëzuar jeta me zakonet, kulturën dhe besimet e saj”, rrëfen studiuesja dhe rendit artefakte që janë të rëndësishme për arkeologjinë në shkallë botërore:

FOTO: Facebook/muzei.gorna

“Një komplet qeramike prej 7 enësh, të cilat janë tashmë 5000-vjeçare, por kanë mbetur të paprekura nga koha. Këto janë gjetje përfaqësuese edhe në nivel botëror. Ka objekte interesante nga periudha e trakëve – doreza amforash nga shek. III–I p.K., që tregojnë lidhjet tregtare të trakëve me kolonitë greke të atyre kohëve, si edhe monedha trake prej bronzi dhe plumbi. Një pjesë e këtyre materialeve i paraqitëm në një konferencë ndërkombëtare në Rumani në vitin 2021. Edhe objektet nga Mbretëria e Dytë Bullgare do të zinin një vend të denjë.”

FOTO: Facebook/muzei.gorna

Me zhvillimin e teknologjive vitet e fundit, arkeologët i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje kërkimeve ndërdisiplinore, duke ndërthurur analiza të ADN-së, arkeobotanikë dhe arkeozoologji.


“Në revistën amerikane Nature arritëm të publikojmë informacionin nga një eksperiment që kryem në Institutin e Gjenetikës pranë Universitetit të Harvardit. Duhej të nxirrnim ADN-në dhe të bënim krahasime – kjo ndihmon edhe për datimet, prandaj do ta përdorim për varret e fëmijëve të zbuluara këtë vit. Para një muaji morëm gjithashtu një propozim për t’u përfshirë në një projekt ndërkombëtar për studimin e sëmundjeve si lija dhe të tjera. Do të marrim pjesë dhe shpresojmë së shpejti të kemi rezultate dhe që gjithçka të botohet në një përmbledhje të madhe e të mirë.”

FOTO: BTA

Para disa vitesh ekipit të arkeologëve iu bashkua edhe Shkolla e Arkeologjisë “Rjahovec”, ku nxënësit punojnë në terren krah për krah me shkencëtarët, njihen me teknikat arkeologjike dhe plotësojnë dokumentacionin.
“Duket se më shumë u pëlqen të marrin kazmat e të gërmojnë,” thotë me humor arkeologia, duke shtuar se takimi i drejtpërdrejtë me historinë ka frymëzuar disa nga të rinjtë ta zgjedhin atë si profesion.

FOTO: Facebook/muzei.gorna

“Kemi një vajzë – Joana Katreva, e cila përfundoi studimet e masterit, prej dy vitesh punon në projekte të ndryshme në Gjermani, Greqi etj., dhe tani do të regjistrohet edhe për doktoraturë. Dy vajza të tjera përfunduan studimet baçelor. Njëra do të vazhdojë me antropologji, ndërsa tjetra – me master në arkeologji, dhe përveç kësaj punon vazhdimisht me ne.”

FOTO: Facebook/muzei.gorna

Dhe ndërsa të rinjtë ndjekib rrugën e mësuesve të tyre, arkeologët tashmë po përqendrohen te projektet e ardhshme, ku gërmimet, analizat e ADN-së dhe teknologjitë e reja ndoshta do të na ndihmojnë të dëgjojmë edhe më qartë jehonën e hapave mes rrënojave, që dëshmojnë për historinë mijëvjeçare të kështjellës “Rjahovec”.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello