SHOQËRI

Seksion

Daniella Sirakova:

Komuniteti bullgar në Amerikë është jashtëzakonisht i gjallë dhe frytdhënës

Shkollat e së dielës nëpër botë i lidhin bashkatdhetarët tanë jashtë vendit me kulturën dhe shoqërinë tonë, thotë diplomatja

Hënë, 1 Dhjetor 2025, 07:05

Komuniteti bullgar në Amerikë është jashtëzakonisht i gjallë dhe frytdhënës

FOTO: Konsullata e Përgjithshme në Çikago

Madhësia e shkronjave

Dyzet shkolla bullgare në 22 shtete amerikane janë shndërruar në një shtëpi të dytë për fëmijët e emigrantëve tanë. Në to jo vetëm që krijohet vazhdimësi midis brezave dhe mësohen njohuri për historinë, traditat dhe kulturën bullgare, por edhe ofrohen mundësi për arsim universitar në Shtetet e Bashkuara dhe për karrierë mbi bazën e gjuhës amtare.


Daniella Sirakova nga Shërbimi konsullor pranë Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, i quan qendrat arsimore bullgare “vatra të gjalla të atdhedashurisë në mbarë botën”. Një diplomate, që ka qenë drejtuese e operacioneve psikologjike të NATO-s në Afganistan, me poste në Ambasadën Bullgare në Shtetet e Bashkuara dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork, sot ajo deklaron me krenari se falë integrimit të të birit, arrin të kombinojë realizimin profesional me komoditetin familjar. “Si nënë, mund të them se me ndihmën e shkollës bullgare, fëmija im di shumë më tepër për Bullgarinë – për traditat dhe zakonet tona, për gjeografinë – sesa di unë vetë,” pranon ajo.

Daniella Sirakova

FOTO: Konsullata e Përgjithshme në Çikago

“Shkollat bullgare të së dielës jashtë vendit kanë një rol të pazëvendësueshëm në fushën e arsimit – ato mbajnë një lidhje të gjallë me atdheun dhe ofrojnë mundësinë e paçmuar për të marrë arsim bullgar, që i lidh bashkatdhetarët tanë jashtë kufijve me kulturën dhe shoqërinë tonë,” – thotë diplomatja për Radio Bullgarinë. “Ato krijojnë gjithashtu një mjedis të jashtëzakonshëm – aty fëmijët takohen me bashkëmoshatarë me prejardhje bullgare, formojnë miqësi të panumërta dhe, jo më pak e rëndësishmja është se ndërtojnë një ndjenjë të fortë përkatësie ndaj komunitetit. Për prindërit, nga ana tjetër, ky është një vend për kontakte shoqërore dhe relaksim – një mënyrë për t’u ndjerë si në shtëpi. Në shkollat bullgare nxënësit njihen me historinë dhe gjeografinë e Bullgarisë, me traditat dhe zakonet tona, me festat tona, ndërsa mësuesit u përkushtohen atyre me shpirt, falë dashurisë së tyre për atdheun.”

FOTO: FACEBOOK/@BULGARIANSCHOOLIRELAND

Shumë nga shkollat e së dielës në Shtetet e Bashkuara janë krijuar me nismën e bashkatdhetarëve që dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën tonë dhe, përmes njohurive të tyre, të mbeten të lidhur me Bullgarinë. Shpesh këto institucione arsimore drejtohen nga anëtarë aktivë të komunitetit bullgar, të cilët punojnë në mënyrë vullnetare.


“Prindërit janë forca lëvizëse, veçanërisht në fazat e hershme të zhvillimit të shkollave,” – thotë Daniella Sirakova. “Një pjesë e madhe e stafit mësimor dhe administrativ përbëhet nga vullnetarë – këta njerëz i kushtojnë kohë dhe përpjekje për të mbajtur shkollat dhe për të organizuar aktivitete të ndryshme kulturore. Komuniteti bullgar përfaqëson një qendër të shumë ngjarjeve kulturore, festave dhe festivaleve që përfshijnë të gjithë bashkatdhetarët. Kjo përfshin kremtimin e festave bullgare, të datave të rëndësishme historike, organizimin e festivaleve të filmit dhe të librit, të shfaqjeve teatrale dhe koncerteve. Prandaj mund të them se komuniteti bullgar në Amerikë është jashtëzakonisht i gjallë dhe frytdhënës.”

FOTO: Shkolla Bullgare “Shën Kirill dhe Metodij” – Boston

Shërbimi konsullor pranë Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, i drejtuar nga Daniella Sirakova, është gjithashtu një vend ku bullgarët mund të gjejnë përgjigje për pyetjet që i shqetësojnë dhe të marrin ndihmë.


“Shumica e bullgarëve që vijnë tek ne, e bëjnë këtë për të rinovuar dokumentet e tyre personale, si edhe për noterizimin e dokumenteve të tjera,” – thotë diplomatja. – “Për fat të keq, ka edhe bashkatdhetarë që kërkojnë ndihmë për arsye të pakëndshme – për sigurimin e trajtimit spitalor, në raste vdekjeje etj. Pavarësisht nga përbërja e vogël e Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, ne punojmë me dëshirë të madhe dhe përpiqemi të jemi sa më të dobishëm dhe t’i ndihmojmë të gjithë.”

FOTO: Shkolla Bullgare “Shën Kirill dhe Metodij” – Boston