Artikull
Hënë 1 Dhjetor 2025 16:00
Hënë, 1 Dhjetor 2025, 16:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Pakënaqësia publike dhe procedurat parlamentare mund të vonojnë miratimin e planifikimit shtetëror financiar dhe ka variant që Bullgaria të kalojë pragun e eurozonës pa buxhet të votuar për vitin 2026. Projekti i paraqitur nga qeveria bullgare nxori në miting mijëra bullgarë më 26 nëntor, të cilët protestonin kundër shpërndarjes së propozuar të resurseve shoqërore, duke e përcaktuar atë si të padrejtë, dhe në përgjithësi të neveritur nga situata politike në vend. Atëherë Bojko Borisov, lideri i partisë që jep mandatin – GERB, ndaloi procedurën e votimit të ligjit në lexim të dytë në parlament, dhe kryeministri shpalli rivendosjen e dialogut me punëdhënësit dhe sindikatat.
Pas tensionit në "trekëndëshin e pushtetit" Buxheti i vitit 2026 u ngri
“Nuk do të lejojmë të na mashtrojnë” – me këtë titull opozita, në fytyrën e koalicionit “Vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria Demokratike” (PP-DB) organizon protestë të re në Sofje dhe në disa qytete rajonale më 1 dhjetor. Akad. Nikollaj Denkov, ish-kryeministër dhe aktualisht nënkryetar i PP, e përcaktoi atë si paralajmëruese, që t’i kujtojë qeverisë se pritet që buxheti i hartuar prej tyre të tërhiqet dhe të rishikohet në mënyrë tërësore.
Nikollaj Denkov
FOTO: BGNES
“Rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet në sallën plenare, procesi duhet të ristartohet. Ne kemi kohë deri në Vitin e Ri – nëse duhet do të punojmë edhe midis festave, por duhet të kemi buxhet normal, në të cilin të dimë që gjithçka që votojmë është e harmonizuar dhe i përgjigjet asaj që presin biznesi dhe njerëzit që duan të dinë se cilat do të jenë të ardhurat e tyre” – theksoi Denkov në një intervistë për BNT.
Të mos ngatërrojmë teknologjinë e miratimit të buxhetit me filozofinë e tij dhe parametrat e vendosur në të – bëri thirrje kryeministri Rosen Zheljazkov në një intervistë të zgjeruar për BNR, duke saktësuar se sipas rregullave të Kuvendit Popullor, tërheqja e buxhetit pas votimit të parë mund të bëhet vetëm me vendim të parlamentit.
Rosen Zheljazkov
FOTO: BTA
“Nëse procedura fillon nga e para, kjo do të thotë se do të humbasim rreth dy muaj vetëm në procedura. Kjo nënkupton të përgatisim buxhet zgjatës, i cili të zbatohet gjatë vitit 2026. Domethënë, buxheti për 2025-ën, sipas kuptimit të Ligjit për Financat Publike, tashmë i transformuar në euro, të funksionojë gjatë periudhës më të ndërlikuar të vitit të ardhshëm, kur do të zhvillohet qarkullimi i dyfishtë i levës dhe i euros gjatë janarit. Ky është rrezik sistemik. Për këtë arsye kuptimi ynë është se mund të merret buxhet më optimal, gjë që mund të ndodhë me raporte ndryshimi midis votimit të parë dhe të dytë, nëse Këshilli Trepalësh – qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit – arrijnë marrëveshje për parametrat e përgjithshëm.”
Nëse i mbivendosim dëshirat në momentin aktual, kjo do të thotë më pak të ardhura dhe më shumë shpenzime, theksoi Zheljazkov dhe tregoi se aktualisht po zhvillohen bisedime me punëdhënësit dhe me sindikatat, të cilat duhet të çojnë në një konsensus. “Do të shohim nëse ky konsensus do të kënaqë edhe ambiciet politike të opozitës” – tha kryeministri, sipas të cilit jemi bërë dëshmitarë të protestave të para në histori kundër një buxheti në të cilin ka rritje të konsiderueshme të pagesave sociale:
FOTO: BTA
“Nuk janë protesta sociale si ato të viteve 96-97, kur pritjet nga buxheti ishin për më shumë shpenzime dhe mbrojtje sociale. Buxheti 2026 nuk është as i majtë, as i djathtë. ... Protestat bashkuan shumë grupe të pabashkueshme. Aty kishte njerëz që protestojnë kundër euros, kishte njerëz që protestojnë për më shumë Evropë, për më shumë liberalitet, kishte njerëz që protestojnë për më shumë konservatorizëm, protestojnë për politika sistemike, e të tjerë për politika antisistemike. Ka edhe mospërputhje gjeneratash – protestë e të rinjve, të cilët janë shpërthimi tipik gjeneracional kundër status quo-së ose kundër konservatorizmit. Ka edhe grupe që janë aty sepse nuk e pëlqejnë pushtetin si të tillë. Kjo pakënaqësi duhet adresuar për t’u dhënë përgjigje. Dhe nëse pranojmë që adresuesi është buxheti, atëherë duhet të punohet mbi të, por brenda disa kornizave. Nëse konsensusi është të punojmë me buxhet zgjatës për vitin 2025 dhe ai është më i pranueshëm, ky gjithashtu është variant.”
Raporti i PBB-së ndaj borxhit rritet, sepse ka më shumë shpenzime, të cilat kryesisht janë për pagesa sociale, nënvizoi kryeministri dhe komentoi propozimet nga ekonomistë që të mendohet për rritjen e TVSH-së: “Ne gjatë vitit 2026 kategorikisht nuk mund ta lejojmë këtë, sepse do të jetë element që do të stimulojë proceset inflacioniste. Do të dëgjojmë të gjitha propozimet që mund të sigurojnë rritje të pjesës së të ardhurave, por nuk mendoj se në momentin aktual shoqëria do të pranojë uljen e pjesës së shpenzimeve të buxhetit” – theksoi Rosen Zheljazkov dhe shtoi:
FOTO: Pexels
“Nuk mund të pritet që një buxhet, i cili është korniza financiare e shtetit, por shpreh pikëpamjet e shumicës qeverisëse, të arrijë shumicë të plotë në parlament dhe mbështetje të opozitës – një buxhet i tillë në historinë bullgare nuk ka. Prandaj ky do të jetë buxhet që duhet të sjellë njëfarë kuptimi për solidaritet, duke pasur parasysh vitin e ardhshëm të ndërlikuar. Dhe ai është i tillë për shkak të dy pikave të rëndësishme: njëra është politike – zgjedhjet presidenciale të ardhshme, dhe tjetra është socio-ekonomike. Domethënë, tensioni politik do të ngarkohet shtesë me kalimin e butë drejt euros. Të gjitha këto duhet t’i kemi parasysh kur përpunohen parametrat e rinj të buxhetit” – deklaroi kryeministri Rosen Zheljazkov në emisionin “E diela 150” të BNR.
Redaktoi: Elena Karkallanova
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski