Autor
Daniela Goleminova
Artikel
Bullgarët në Antwerp bëjnë bamirësi për fëmijët në Gabrovo për Krishtlindje
Kanë nevojë për ndihmë për transportin e donacioneve
Martë 2 Dhjetor 2025 20:00
Martë, 2 Dhjetor 2025, 20:00
FOTO: Marija Dobrikova, Polina Dobrikova
Madhësia e shkronjave
Për herë të parë bullgarët në Antwerp organizojnë një fushatë të krishtlindjeve për grumbullimin e rrobave, këpucëve, librave për fëmijë, lojërave edukative, ëmbëlsirave dhe dekorimeve të krishtlindjeve, të cilat do t’u dhurohen fëmijëve me aftësi të kufizuara në dy qendra në Gabrovo. Motorët e së mirës janë Shkolla Bullgare e së Dielës, Shoqata “Izvor” dhe Misioni Kishtar Bullgar “Shën Zllata Mëglenska” në Antwerp. Fushata do të vazhdojë deri më 7 dhjetor, pas së cilës donacioni do të transportohet drejt Bullgarisë, në mënyrë që fëmijët nga Gabrovo t’i marrin dhuratat e tyre në Lindjen e Krishtit.
Ideja për fushatën bamirëse lind krejt spontanisht. Në fillim të nëntorit, Pavlina Nikollova, nënë e dy fëmijëve që ndjekin shkollën bullgare të së dielës në Antwerp, i propozon drejtoreshës Polina Dobrikova të organizohen dhe të dërgojnë dhurata të krishtlindjeve për fëmijët me aftësi të kufizuara, që jetojnë në Gabrovo.
“Zakonisht për Krishtlindje njerëzit hapin zemrat e tyre për vepra të mira – thotë Pavlina Nikollova – Unë kam shumë të njohur dhe miq dhe vendosa ta ndaj idenë me ta. Fëmijët e mi shkojnë në shkollën bullgare të së dielës në Antwerp dhe atje e ndava idenë me drejtoreshën e shkollës, Polina Dobrikova, e cila menjëherë e përqafoi dhe gjërat u rregulluan shumë mirë. Njerëzit u përgjigjën. Për një kohë të shkurtër dhuruan shumë gjëra – rroba, këpucë, ëmbëlsira, karroca. Pika kryesore ku i grumbullojmë donacionet ndodhet në shkollën bullgare të së dielës. Deri më 7 dhjetor, kush dëshiron të dhurojë diçka, qoftë edhe krejt simbolike, mund ta bëjë, që t’i buzëqeshim fëmijët gjatë festave të krishtlindjeve”, bën thirrje bashkatdhetarja jonë Pavlina Nikollova.
Shumë shpejt në mesin e komunitetit bullgar në Antwerp u përhap lajmi për fushatën bamirëse dhe njerëzit filluan të dhurojnë. Për dy javë në shkollën bullgare të së dielës janë mbledhur rreth 20 kuti me dhurata. Entuziazmi është shumë i madh, thotë drejtoresha e shkollës Polina Dobrikova.
FOTO: Marija Dobrikova, Polina Dobrikova
“Njerëzit janë shumë të entuziazmuar nga kjo fushatë e parë bamirëse që organizojmë këtu në Antwerp, me ndihmën e shoqatës ‘Izvor’, të shkollës bullgare të së dielës dhe të këshillit të prindërve, të misionit ortodoks bullgar ‘Shën Zllata Mëglenska’. Patjetër ka shumë njerëz që dhurojnë, sjellin atë që fëmijët në Gabrovo kanë nevojë – rroba për fëmijë dhe të rinj, lodra, ushqime të paketuara dhe dekorime për Krishtlindje. Reagimi që mori kjo fushatë ishte shumë frymëzues për ne, sepse morëm donacione edhe nga njerëz që deri tani nuk kanë qenë pjesë e komunitetit tonë. Ata vijnë, i lënë donacionet me buzëqeshje dhe me dëshirën për të gëzuar fëmijët nga dy qendrat në Gabrovo... Me të vërtetë bullgarët janë njerëz me zemra të mëdha dhe shumë solidarë. Kjo shihet te secili që vjen për të lënë donacionin tek ne dhe shpesh njerëzit pyesin nëse ka nevojë për diçka tjetër. Kauza të tilla i bashkojnë njerëzit – të jemi të mirë, të jemi njerëzorë në këtë botë, të kujdesemi për të afërmit tanë, për njerëzit që i ndjejmë si tanët”, thotë Polina Dobrikova.
Fushata bamirëse do të vazhdojë deri më 7 dhjetor, pas së cilës kutitë me donacionet do të nisen nga Antwerpi drejt Gabrovos. Atje dhuratat do të shkojnë te fëmijët që ndjekin Qendrën për Mbështetje Arsimore Speciale dhe te fëmijët në Qendrën për Akomodim në Formë Familjare për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara. Si i zgjodhën pikërisht këto dy qendra në Gabrovo bullgarët në Antwerp, tregon Marija Dobrikova, sekretare e këshillit kishtar të misionit ortodoks bullgar “Shën Zllata Mëglenska”.
FOTO: Marija Dobrikova, Polina Dobrikova
“Zgjodhëm Gabrovon, sepse nismëtarja kryesore e fushatës, Pavlina Nikollova, e njeh drejtoreshën e Qendrës për Mbështetje Arsimore Speciale, dhe ajo na drejtoi edhe te Qendra tjetër në formë familjare për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara. Në qendrën e parë trajnohen gjithsej 36 nxënës me nevoja të veçanta nga klasa e 1-rë deri në të 12-tën. Fëmijët kanë sëmundje të ndryshme, si fizike, ashtu edhe psikike. Atje punojnë specialistë – pedagogë, logopedë, psikologë dhe për çdo nxënës është miratuar një plan individual. Ofruar është gjithashtu edhe mbështetje shtesë. Ndërsa qendra e dytë, me drejtore Daniela Nençeva, ka kapacitet për 28 vende. Në dy lokacione janë të shpërndarë nga 14 fëmijë, të cilëve u nevojitet kujdes 24-orësh. Meqenëse edhe unë jam me origjinë nga Gabrovoja, e përqafova idenë dhe dua të ndihmojmë fëmijët”, thotë Marija Dobrikova.
Dhe për shkak se shumë bashkatdhetarë tanë nga Antwerpi hapën zemrat e tyre dhe dhurojnë pako të mëdha me dhurata për fëmijët nga Gabrovo, organizatorët e fushatës bamirëse janë përballur me një problem logjistik, si të sigurojnë transport për një donacion kaq të madh, ndan me shqetësim Marija Dobrikova.
FOTO: Marija Dobrikova, Polina Dobrikova
“Transporti u tregua vështirësia më e madhe në organizimin e donacionit. Ende po kërkojmë mundësi që të jenë me çmime më të përballueshme. Dua të bëj një apel, nëse përfaqësues të firmave të transportit në Bullgari dëshirojnë dhe kanë mundësi të na mbështesin, të lidhen me ne. Në fakt, vetë grumbullimi i donacioneve ishte pjesa më e lehtë. Transportimi drejt Bullgarisë është pak më i vështirë, por me mbështetjen e Zotit, pasi synimet tona janë shumë të mira, e di që do ta përfundojmë këtë kauzë deri në fund me sukses. Besoj sinqerisht në këtë”, përfundon Marija Dobrikova.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski