Autor
Joan Kolev
Seksion
Mërkurë 3 Dhjetor 2025 07:25
Mërkurë, 3 Dhjetor 2025, 07:25
FOTO: arkivi personal i regjisores
Madhësia e shkronjave
3 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara – një datë në të cilën i kujtojmë vetes se mjedisi urban i aksesueshëm nuk është luks, por domosdoshmëri. Në Bullgari, tema mbetet dhimbshëm aktuale. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Shëndetin Publik dhe Analizën për periudhën 2005–2020, mbi 654 mijë njerëz jetojnë në vendin tonë me aftësi pune të reduktuar përgjithmonë ose me ndonjë shkallë të aftësisë së kufizuar. Mbi 22 mijë prej tyre janë fëmijë. Këta janë njerëz që rrallë i shohim në rrugë, në automjete, në dyqane, sepse mjedisi urban shpesh nuk është i përshtatur për nevojat e tyre. Por e vërteta është se aksesueshmëria prek të gjithë – përfshirë prindërit me karroca, të moshuarit, ose këdo prej nesh që mund të gjendet i paaftë përkohësisht.
Pse është kaq e vështirë të lëvizen njerëzit me aftësi të kufizuara në vendbanimet bullgare?
Adelina Banakieva
FOTO: arkivi personal i regjisores
"Sofja është vërtet një qytet i paarritshëm", thotë Adelina Banakieva, një vullnetare dhe aktiviste qytetare e cila lufton për një jetë të mirë dhe akses të barabartë në hapësirat publike. Dhe ajo jep një shembull: Stacioni i metrosë "Serdika", i vendosur disa metra nga sheshi qendror “Sveta Nedelja” ("Shën e Diela"), vazhdon të ketë një pasqyrë të vendosur anash në ashensorin e tij, e cila pengon me rreth një centimetër hyrjen e një karroce invalidësh, ndërsa përndryshe ai është krejtësisht i paarritshëm nga të gjitha drejtimet.
Në anën e Gjykatës janë instaluar rampa me një pjerrësi jashtëzakonisht të madhe, ku është absurde të kalojë si një person në karrocë me rrota, ashtu edhe një nënë me karrocë fëmijësh. Vendosja e këtyre rampave për të përmbushur standardet, por pa marrë parasysh pjerrësinë e tyre, është jashtëzakonisht fyese për personat me aftësi të kufizuara."
FOTO: arkivi personal i regjisores
Në Evropë, mungesa e rampave shpesh kompensohet nga ashensorë të jashtëm ose të brendshëm. Sipas Banakievës, kjo është plotësisht e mundur edhe në vendin tonë.
"Kemi komentuar shumë me përfaqësuesit e Shoqatës së Importuesve dhe Prodhuesve të Ashensorëve në Bullgari se një ashensor mund të vendoset kudo - nëse jo brenda, atëherë jashtë. Mund të ekzistojë më vete dhe ka një mundësi për ta forcuar. Nuk është një shtesë tepër e shtrenjtë për një hapësirë publike, por thjesht nuk bëhet."
FOTO: arkivi personal i regjisores
Një problem tjetër serioz është se për të instaluar një rampë në hyrje të një ndërtese banimi, kërkohet pëlqimi i të gjithë bashkëpronarëve.
"Bullgarët, sado që nuk dua ta them, mendojnë se këto rampa do të na pengojnë, do të prishin pamjen e bllokut, por kjo thjesht duhet të jetë kudo, pasi ky është një standard që zbatohet për të gjitha ndërtesat në të cilat jetojnë më shumë se tre familje", komentoi Banakieva.
Arti si pasqyrë e problemit
Aktorja Iva Sveshtarova hyn në lëkurën e njerëzve me vështirësi në lëvizje, duke mësuar të lëvizë në një karrige me rrota:
"Kur u ula për
herë të parë, e pranoj se isha mjaft e shqetësuar. Ndjesia ishte e çuditshme
dhe menjëherë fillova të mendoja fort se si mbijeton dikush duke lundruar në
këtë infrastrukturë të tmerrshme - jo vetëm në Sofje, por në të gjithë
vendin."
FOTO: arkivi personal i regjisores
Iva luan personazhin kryesor në filmin "Ngjyrat e qytetit" https://vimeo.com/892859881, me të cilin regjisorja Petja Andreeva përqendron vëmendjen tonë në temën e paarritshmërisë së mjedisit urban. Ajo frymëzohet për të paraqitur problemin e rëndësishëm shoqëror përmes mjeteve të artit pas një takimi të rastësishëm me një person në karrocë me rrota. Kjo e bën atë të shohë me sy të rinj pengesat që këta njerëz kalojnë çdo ditë.
"Kjo temë më
mundon shumë, sepse njerëzit në Bullgari që kanë vështirësi në lëvizje janë
praktikisht të burgosur. Filmi ka marrë pjesë në festivale të ndryshme dhe pas
çdo shfaqjeje kemi pasur diskutime me publikun. Fatkeqësisht, ende nuk ka pasur
reagim nga institucionet. Kam vënë re se ata reagojnë më shumë ndaj klipeve në
internet, por edhe atëherë është më shumë si "sepse u bë një bujë",
dhe pastaj gjithçka vazhdon si më parë."
FOTO: stolica.bg
Sipas saj, gjatë 20 viteve të fundit, Sofja është bërë më e arritshme – transporti është rinovuar, ka më shumë automjete me dysheme të ulët. Por mbetet një problem tjetër – qëndrimi i njerëzve.
"Më ndodhi pikërisht para syve të mi, duke ecur me një karrocë fëmijësh, një familje me dy fëmijë parkoi makinën e tyre në trotuar. Ata gjithashtu kanë fëmijë, e dinë që kalimi është i vështirë, e megjithatë japin pikërisht këtë shembull për trashëgimtarët e tyre. Madje kam parë një makinë stërvitjeje të parkuar në trotuar si pjesë e një kursi drejtimi."
FOTO: arkivi personal i regjisores
Pra, ndryshimi i mjedisit është çështje përgjegjësie - personale dhe shoqërore. Në këtë kuptim, mesazhi i Iva Sveshtarovës është:
"Shpresoj sinqerisht që institucionet më në fund do të marrin përgjegjësinë e tyre dhe do të fillojnë ta bëjnë punën e tyre siç duhet. Jeta e plotë e një numri të madh njerëzish varet prej tyre. Shpresoj gjithashtu që të gjithë njerëzit me vështirësi fizike do të fillojnë të jenë një pjesë më e dukshme e shoqërisë, siç është rasti në vendet ku ka një infrastrukturë të ndërtuar në mënyrë adekuate."
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva