Autor
Allbena Bezovska
Enjte 4 Dhjetor 2025 06:15
Enjte, 4 Dhjetor 2025, 06:15
FOTO: gotvq.eu
Madhësia e shkronjave
Dhjetori është muaji i festave të dashura. Të lidhur së bashku në një rruzare të gëzueshme, ato kapërcejnë kufirin mes dy viteve dhe vazhdojnë me festat e janarit, ditë emrash të shoqëruara me rituale të lashta bullgare. Dikur dhjetorin e quanin muaji i Shën Nikollës – për shkak të festës së madhe kishtare dhe popullore me të cilën nderojmë Shën Nikollën, kryepeshkopin e Mirës së Likisë.
“Varvara zien, Sava pjek, Nikolla pret mysafirë” – kjo thënie popullore bashkon tri festa të rëndësishme që shënojnë kalimin nga vjeshta në dimër gjatë dhjetorit. Të lidhura me data dhe emra nga kalendari ortodoks, ato mbartin qartë gjurmët e ritualeve pagane. E para në këtë varg është e ashtuquajtura Varvara, Varvarica, Dita e Varvarës, e njohur edhe si Krishtlindja e Grave.
Më 4 dhjetor, kisha ortodokse nderon kujtimin e Shenjtores Martire Varvara – një vajzë nga një familje fisnike, e cila u vra me shpatë për shkak të besimit të saj të krishterë në fillim të shekullit të IV-të. Ekziston besimi se nga Dita e Varvarës deri në Ditën e Ignat Hyjmbajtësit, që bie më 20 dhjetor, dita rritet sa maja e një gjilpëre. Po aq rritet edhe nga Dita e Ignat Hyjmbajtësit deri te Dita e Shën Vasilit, që bie më 1 janar. Në Ditën e Varvarës, dita dhe nata bëhen të barabarta.
Shën Varvara
FOTO: arkiv
Në besimet tradicionale, Varvara konsiderohet mbrojtëse e sëmundjeve të fëmijëve, e posaçërisht e sëmundjes së lisë, të cilën populli ynë e ka quajtur me emra tabu: gjyshja, hallëza, e ëmbla, mjaltëza. Gjyshe e keqe, pa dhëmbë dhe e shëmtuar– kështu “pikturohet” figura e sëmundjes, e cila në imagjinatën popullore merr edhe trajtat e vetë Varvarës. Për ta zbutur Gjyshen e Lisë dhe për ta larguar nga fëmijët, gratë përgatisnin një gatim ritual, ku përzihen lloje të ndryshme drithërash dhe bishtajash. Këtë gatim e quanin “varvara”. I ëmbëlsuar me mjaltë, ky gatim ritual shpërndahet te fëmijët, po ashtu edhe te fqinjët dhe të afërmit. Ekziston besimi se gjatë gjithë ditës fëmijët duhet të kërcenin dhe të lëviznin, që Varvara të mos i kapë. Emri “Krishtlindja e Grave” rrjedh nga një zakon, i përhapur kryesisht në Bullgarinë Perëndimore.Vajza të reja dhe më të vogla, të veshura me petka festive dhe me qese të hedhura mbi sup, vizitonin shtëpi më shtëpi. Si burrat kolendarë që shkonin për të kënduar natën e Krishtlindjes, edhe ato këndonin këngë bekimi, duke uruar shëndet dhe pjellori.
FOTO: arkiv
Të nesërmen më 5 dhjetor, kisha nderon kujtimin e Shën Sava të Shenjtëruar– themeluesit të vendbanimit më të vjetër që ende banohet në Tokën e Shenjtë, i njohur si Lavra e Shën Savës. I lindur në Kapadoki në shekullin e IV-të, Sava, vetëm 18-vjeç, u vendos në një manastir, ku mori edukimin dhe u bë murg. Në kërkim të vetmisë dhe përkushtimit ndaj Zotit, ai u drejtua te shkretëtira e Jordanit dhe jetoi në një shpellë, e cila iu tregua në një ëndërr. Pas vdekjes së prindërve të tij, Sava mori një pasuri të madhe, me të cilën ndërtoi disa manastire dhe spitale, si dhe strehimore për udhëtarët. Si udhëheqës shpirtëror i komuniteteve të oshënarëve, Sava mësonte pelegrinët e ardhur në butësi, përulësi, heshtje dhe besim në Zot.
Sipas përfytyrimeve të bullgarit, Sava shpesh paraqitet si grua, motër e Varvarës, ndërsa Shën Nikolla është vëllai i tyre (pasi dita e shenjtorit vjen vetëm një ditë më vonë). Shën Sava sundon mbi murtajën. Në disa zona të vendit, gjatë kësaj dite nuk preken gërshërë, gjilpëra, thika e të tjera, që motrat të mos zemërohen. Sipas besimit, kjo mbron nga lëndimet me mjete të mprehta. Në fshatra të tjera, Dita e Savës i kushtohet kujtimit të të ndjerëve. Në Ditën e Shën Savës nderohet edhe shpirti-mbrojtës i shtëpisë. Ndoshta legjenda më e përhapur thotë se vëllai i mirë Sava gjithmonë ecën pas Varvarës dhe e lut që të mos hedh kokrra akulli mbi fushat. Të dy – Sava dhe Varvara – përgatisin festën më të madhe të dhjetorit: Ditën e Shën Nikollës Mrekullibërës.
FOTO: arkiv
Sundimtar i lumenjve dhe deteve, i stuhive detare dhe dallgëve, Nikolla ka fuqinë të nisë dhe të ndalojë këto fenomene natyrore. Në mitologjinë popullore, ai është një hero me krahë, që mund të fluturojë në lartësi të mëdha dhe të vëzhgojë detin. Festa kishtare është më 6 dhjetor. Ky është një nga ditët e pakta gjatë Kreshmë së Krishtlindjes, kur lejohet të hahet peshk. Gatimi ritual, që përgatitet në çdo shtëpi, është krapi i mbushur. Sepse shenjtori sundon edhe mbi peshqit dhe krijesat detare. Përveç kësaj, përgatiten edhe bukë rituale, të stolisura me figura plastike të veçanta. Dita e Shën Nikollës (Nikullden) është festa më e madhe nga triada, e cila shënon fillimin e ciklit të madh ritual të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, që mbaron në fund të janarit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova