SHOQËRI

Artikel

Të rinjtë bullgarë tregojnë se janë gati të luftojnë për të drejtat e tyre

David Radosllavov nga Viena: Bullgarët duhet të kenë një shans të përcaktojnë të ardhmen e tyre, partitë politike janë konsumuar

Enjte, 4 Dhjetor 2025, 20:00

Të rinjtë bullgarë tregojnë se janë gati të luftojnë për të drejtat e tyre

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Protestë e të rinjve. Gen Z kundër veteranëve. Të rinjtë ngritën zërin kundër status quo-së – këto janë vetëm një pjesë e titujve në mediat bullgare që përshkruajnë atë që po ndodh në vendin tonë nga 26 nëntori e këtej. Brezi Z, ose njerëzit e lindur midis viteve 1997 dhe 2012, të cilët nuk janë të ngarkuar me mënyrën nënshtruese të të menduarit të gjyshërve të tyre. Ata janë ata të rinj që kanë shoqëruar prindërit e tyre në protesta të tjera, aq të ndryshme sa edhe të njëjta, vite më parë në luftën për demokraci, pavarësi dhe barazi para ligjit në atdheun e tyre evropian. Ata u bënë fytyra e pakënaqësisë qytetare më 26 nëntor dhe 1 dhjetor, të provokuar nga buxheti shtetëror i propozuar nga qeveria për vitin 2026 – buxheti i parë në euro për Bullgarinë. Pakënaqësia e zgjuar megjithatë u shndërrua në pakënaqësi kundër status quo-së dhe mungesës së shtetit ligjor.

Ajo që mediat në vendin tonë nuk treguan, janë ata të rinj që shprehën pozicionin e tyre jashtë kufijve të shtetit. Bullgarët jashtë Bullgarisë, të cilët gjithashtu kanë zë dhe duan të dëgjohen.

FOTO: BGNES

Njëri prej tyre është David Radosllavov nga Sofja. Ai është vetëm 18 vjeç, student i vitit të parë në Universitetin e Vjenës, specializimi "E Drejta Ndërkombëtare", i cili më 1 dhjetor në orën 18 doli gjithashtu në shesh për të shprehur pozicionin e tij qytetar për atë që po ndodh. Ai e bëri këtë 1000 km larg shtëpisë së tij, në Sheshin Stefansplatz në qendrën e kryeqytetit austriak, ku u zhvillua edhe aksioni protestues më i populluar jashtë vendit, në sinkron me ngjarjet shoqërore në atdhe.

FOTO: arkiv personal

"Protesta kaloi, sipas vëzhgimeve të mia personale, si protesta më paqësore në të cilën unë personalisht kam qenë i pranishëm, dhe unë kam marrë pjesë në protesta së bashku me prindërit e mi që nga viti 2013. Energji pozitive dhe një mesazh jashtëzakonisht i mirë u dërgoi komuniteti bullgar në Austri bullgarëve në Bullgari. Për momentin, nëse nuk gabohem, kjo është e vetmja protestë në shkallë të gjerë dhe demonstratë e përgjithshme midis të gjithë bullgarëve jashtë vendit. Kuptova se ka pasur në Frankfurt dhe në Londër, por ato kanë qenë më shumë iniciativa të vetme individuale. Ne u mblodhëm rreth 120 persona, nëse përfshijmë edhe të huajt që gjithashtu na mbështetën. Në demonstrimin tonë u përfshinë miqtë tanë, të cilët janë qytetarë austriakë, ukrainas, gjeorgjianë dhe të tjerë. Në përgjithësi, të gjithë qytetarët që mbështesin kauzën e Bullgarisë – ajo të jetë një shtet demokratik dhe i së drejtës."

David jo vetëm që mori pjesë në veprimin qytetar të bashkatdhetarëve tanë në Vjenë, por ai është organizatori i saj së bashku me Tsvetomir Patarinski. Vendimi për këtë erdhi spontanisht. Për disa ditë kërkoi dhe mori lejet e nevojshme dhe shpalli protestë në mbrojtje të të drejtave të "bullgarëve në vendin e tyre, zëri i tyre të dëgjohet dhe buxheti të tërhiqet. Korrupsioni të ndalet dhe shteti i kapur të mos i lejojë më vetes të shkatërrojë jetët e njerëzve."

FOTO: Facebook /Keti Xania

Ai thekson se është i paanshëm politikisht dhe nuk mbështetet financiarisht nga asnjë formacion politik në Bullgari. "Kjo ishte vetëm dhe vetëm e nxitur nga pozicioni im qytetar", thotë para Radio Bullgarisë i riu bullgar.

"Mesazhi ynë i parë ishte të tërhiqej ky buxhet i turpshëm, i cili sipas çdo kriteri – ekonomik, politik dhe social – është absolutisht i papërshtatshëm. Kërkesa tjetër e jona ishte të kundërshtohej korrupsioni që ka pushtuar shtetin. Të mos lejohet që njerëz që përdorin epitete të pahijshme si 'të ndyrë' t’i drejtohen sërish shoqërisë bullgare. Të mos lejojmë njerëz që vendosin gjithnjë e më shumë këtë model të ndyrë dhe të korruptuar, që t’i ushqejë ata dhe strukturat e tyre partiake, të na qeverisin njerëz që mendojnë vetëm për interesat personale dhe jo në interes të qytetarëve bullgarë. Dhe të tregojmë se bullgarët jashtë vendit janë këtu – po aq të përfshirë sa bullgarët në Bullgari. Ne nuk kemi asnjë justifikim të mos dalim në sheshe në qendrën e Europës dhe në të gjitha qytetet e tjera, të shprehim pozicionin tonë qytetar, të mbështesim shtetin bullgar, ashtu siç e bëjnë gjeorgjianët, ukrainasit dhe të gjitha popujt që protestojnë jashtë shtetit të tyre për të drejtat e tyre, për zhvillimin e tyre evropian dhe për vlerat e tyre demokratike."

Pjesëmarrësit në demonstratën në qendrën e Vjenës treguan se populli bullgar ka të ardhme dhe se Bullgaria nuk është kauzë e humbur – shkroi natën e 1 dhjetorit në Facebook David Radosllavov.

"Personalisht unë, ashtu si mendoj edhe të gjithë studentët e tjerë dhe bullgarët në Austri, duam të shohim një Bullgari në të cilën të ketë të ardhura evropiane. Bullgari në të cilën ligjet respektohen. Bullgari në të cilën korrupsioni nuk inkurajohet, por ndëshkohet dhe madje jashtëzakonisht ashpër. Bullgari në të cilën sundimi i ligjit dhe drejtësia nuk mund të lëkunden në asnjë mënyrë. Bullgari në të cilën njerëzit të mos kenë frikë të shprehin pozicionin e tyre qytetar, të kenë pozicion qytetar dhe ta mbrojnë atë. Bullgari në të cilën mediat të mos kontrollohen, të ketë liri të fjalës. Bullgari me të cilën ne të krenohemi se jemi qytetarë bullgarë. Të ndihemi të lirë dhe të pavarur!"

Krenaria është ndjenja që David ka përjetuar nga turma e parë në sheshet në Sofje, Plovdiv, Varna dhe qytetet e tjera të vendit në orët e mbrëmjes së 1 dhjetorit.

FOTO: BGNES

"Unë ndihem jashtëzakonisht krenar për këta njerëz dhe gëzohem që këta njerëz janë në Bullgari dhe dëshirojnë të luftojnë për të ardhmen e tyre dhe duan që ata të vendosin ndryshimin, e jo të presin që dikush tjetër ta vendosë" – pranon i riu dhe komenton fjalët e liderit të partisë mandatmbajtëse GERB, Bojko Borisov, se të rinjtë e ndershëm në protestat nuk e dinë se cili është qëllimi i vërtetë, përkatësisht eurozona.

"Do të doja përmes jush t’u deklaroj të gjithë politikanëve në Bullgari, por edhe shumë njerëzve të tjerë që për fat të keq mendojnë në mënyrë të ngjashme, se brezi i ri në Bullgari jo vetëm që është i njohur me proceset politike. Brezi i ri i Bullgarisë tashmë tregoi se është gati të vendosë tonin në hapësirën politike – është kategorik David Radosllavov. – Brezi i ri në Bullgari, brezi im, i cili quhet Gjenerata Z, tregoi se është gati të luftojë për të drejtat e tij qytetare, se do t’i mbrojë ato dhe se nuk do t’i lejojë askujt më të tallë themelet demokratike dhe juridike të shtetit. Të gjithë njerëzit që ishin në protestë në Vienë, pa përjashtim, kishin ardhur me pozicionin e tyre personal qytetar. Unë kam folur me secilin prej tyre dhe mendoj se njerëzit në Bullgari duhet të kenë shans të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Partitë politike tashmë janë konsumuar dhe për këtë arsye kanë frikë prej nesh. Nëse Bojko Borisov ose Deljan Peevski, ose cilido politikan tjetër nga koalicioni qeverisës aktual, do të kishte dalë jashtë te njerëzit, ju siguroj se ai nuk do të fliste gjërat që guxon t’i flasë në korridoret e Kuvendit Popullor."

FOTO: BGNES

David Radosllavov është skeptik se një mocion mosbesimi ndaj qeverisë do të kalojë në votim në parlament, por deklaron gatishmëri të organizojë një protestë të re në mbështetje të tij në qendër të Vjenës. Sepse zëri i të rinjve bullgarë duhet të dëgjohet, pa marrë parasysh se ku ndodhen në moment.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski