Autor
Joan Kolev
Artikull
Premte 5 Dhjetor 2025 06:30
Premte, 5 Dhjetor 2025, 06:30
FOTO: Bashkia e qytetit Sozopoll
Madhësia e shkronjave
Peizazhet magjepsëse detare të Sozopollit i mahnitin turistët, por jashtë sezonit veror qyteti i lashtë tërheq vizitorë nga vendi dhe nga jashtë me një kalendar të pasur ngjarjesh të ndryshme. Programi festiv i Komunës për muajin e fundit të vitit nis më 5 dhjetor, kur do të ndizen solemnisht dritat e Pemës së Krishtlindjes.
FOTO: Festivali i Peshkut të Kripur - Sozopoll
Në Ditën e Shën Nikollës, më 6 dhjetor, do të zhvillohet një procesion deri në port, ndërsa anijet do të dalin në det për hedhjen tradicionale të kurorave. Sipas ritualit, drejt ujërave të detit do të “fluturojë” një çelës i veçantë, me të cilin vendasit “kyçin” simbolikisht detin dhe nderojnë marinarët dhe peshkatarët që humbën jetën në det.
Të shtunën në mesditë do të zhvillohet një demonstrim shumëngjyrësh kulinar – do të përgatitet një paella gjigante, nga e cila do të mund të shijojnë të gjithë të interesuarit. Ajo do të gatuhet nga bullgari i parë që ka hyrë në Top 10 të Kampionatit Botëror të Paellës në Valensia në vitin 2024 – Nikollaj Todorov-Nik.
FOTO: Facebook/ Nick Todorov
Ai është pjesë e jurisë, e cila më 7 dhjetor do të vlerësojë kandidatët në konkursin e veçantë të edicionit të pestë të Festës së Peshkut të Kripur. Në këtë konkurs do të shpërblehen mjeshtrit më të mirë të traditës shekullore të Sozopollit në përgatitjen e peshkut të kripur dhe të tharë.
FOTO: Bashkia e qytetit Sozopoll
“Pas hapjes zyrtare të festës në sheshin “Kullata”, nis konkursi “peshku i kripur” në kategoritë: peshk i kripur, peshk i kripur dhe i tharë, peshk i kripur i marinuar, konserva peshku dhe vezë peshku (tarama). Paralelisht do të zhvillohet edhe një treg arti me krijues vendas, të cilët punojnë suvenire, punime artizanale dhe piktura me temë detare. Restorantet vendase do të paraqesin interpretimet e tyre të recetave tradicionale detare, e më pas, gjatë klasës së tij të mjeshtërisë, shefi Boris Petrov do të prezantojë një recetë të lashtë për peshk të kripur në një salcë të veçantë, të cilën ai e ka zbuluar vetë” – shpjegoi për Radio Bullgarinë Violeta Georgieva nga Dega “Kulturë” e Komunës së Sozopollit.
Violeta Georgieva
FOTO: Arkiv personal
E ftuara speciale e festës të dielën do të jetë këngëtarja e dashur Toni Dimitrova. Këngëtarja, e lindur në qytetin e afërt Burgas, do t’u dhurojë publikut në Sozopoll disa nga këngët e saj më të njohura.
Edicioni i sivjetshëm i Festës së Peshkut të Kripur realizohet me mbështetjen e Komunës së Sozopollit, Shtëpisë së Kulturës “Ati Paisij 1896” dhe Klubit Rotary në qytet.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova