Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Premte 5 Dhjetor 2025 06:05
Premte, 5 Dhjetor 2025, 06:05
Krasimira Stojanova, Pavell Balev dhe BNR prezantojnë një album të ri të Mozartit
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Një ngjarje jashtëzakonisht e veçantë pritet më 5 dhjetor në sallën “Bullgaria” në kryeqytet. Sopranoja bullgare me famë botërore, Krasimira Stojanova – Kammersängerin e Operës Shtetërore të Vjenës, do të prezantojë në koncert albumin e saj të ri, të titulluar “Mozart – Stojanova”, i realizuar me dirigjentin e shquar bullgar Pavell Balev dhe Orkestrën Simfonike të BNR-së.
FOTO: BTA
Ndryshe nga botimet e saj të tjera, ky kompaktdisk është tërësisht një prodhim bullgar dhe është regjistruar në partneritet me Radion Kombëtare Bullgare. Në një konferencë për shtyp, dirigjenti deklaroi se sipas kërkimeve të tij, ky është albumi i parë solo i një sopranoje bullgare me një program tërësisht të Mozartit. Deri tani, albume të tilla kanë regjistruar basi Nikolla Giuzelev, baritoni Pavell Gerdxhikov dhe mezzo-sopranoja Aleksandrina Millçeva.
Krasimira Stojanova falënderoi BNR-në për partneritetin:
Krasimira Stojanova
FOTO: BTA
“Drejtoria e Radios Kombëtare Bullgare hapi gjerësisht dyert për një projekt të tillë, sepse sot, kur industria e regjistrimeve muzikore po shënon sërish regres, ne kemi mundësinë të krijojmë diçka të tillë – dhe pikërisht në prag të vitit të Mozartit. Ne jemi të paktën një hap përpara të gjithëve. Ndoshta dikush tjetër e ka tentuar, por unë guxoj të them se ne jemi shumë më përpara. Dhe siç zbuloi një ditë Pavell – krejt rastësisht kemi zgjedhur datën 5 dhjetor, datën e vdekjes së Mozartit! Kjo do të thotë se nuk ka asgjë rastësore në këtë disk dhe çfarë tjetër na mbetet, veçse më 5 dhjetor të këndojmë, të krijojmë, të muzikojmë – për kë? Për Mozartin, sepse pa Mozartin, sado të tingëllojë si klishe, kjo botë nuk do të ishte e njëjtë.”
FOTO: BTA
Në diskun, e realizuar me pjesëmarrjen e violinistit Svetlin Rusev, pianistin Ljudmill Angellov dhe tenorin Hrisimir Damjanov, janë përfshirë arie koncertale dhe fragmente nga rolet mozartiane që Stojanova ka interpretuar në skenë. Ajo e ka nisur karrierën e saj me këtë autor, dhe me albumin e ri krijon një lloj “kornize” – 30 vjet më vonë, sërish me Mozartin. “Gjithçka që kam dashur, që kam konsideruar se i përshtatet zërit tim, e kam kënduar – dhe jam e lumtur”, thotë këngëtarja.
Dirigjenti Pavell Balev është jashtëzakonisht i kënaqur me punën me Orkestrën Simfonike të BNR-së gjatë procesit të regjistrimit në korrik:
Pavell Balev
FOTO: BTA
"Filloi një punë laboratorike. Mozarti është një art i rafinuar… E mira është se punova me një formacion që nuk u ndryshua gjatë kësaj jave. Pata mundësinë për ndërtim gradual – që ajo që them të mbahet mend dhe të qëndrojë, në mënyrë që ditën tjetër të mund të ndërtoj mbi të. Kjo u respektua, gjë që është e rrallë, sepse zakonisht në regjistrime muzikantët kanë të drejtë të ndërrohen. Por në këtë projekt të gjithë muzikantët mbetën të përkushtuar deri në ditën e fundit dhe punuan duke grumbulluar përvojë. Për ta ishte një festë – për ne gjithashtu! Ju do të dëgjoni se ky regjistrim ka një tingull që na afron deri diku me standardet tashmë të vendosura jashtë Bullgarisë.
FOTO: BTA
Pavell Balev shpreson që publiku dhe specialistët të vlerësojnë cilësitë e interpretimeve:
“Ne mund ta paraqesim këtë disk jashtë vendit, sepse shprehja artistike e Krasimira Stojanovës është e njohur. Ajo mund t’i japi ngjyrë çdo fjale dhe nga çdo ton të krijojë një gjendje, ndërsa ne me orkestrën ecim me të dhe ndërtojmë mbi një stilistikë që është më e vështira e mundshme për t’u realizuar.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello