SHOQËRI

Artikull

Shkëlqim festash dhe fillim i ri për legjendaren “Shtëpia me luleshtrydhe”

Dielë, 7 Dhjetor 2025, 07:00

Shkëlqim festash dhe fillim i ri për legjendaren “Shtëpia me luleshtrydhe”

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Pak para Krishtlindjeve, “Shtëpia me luleshtrydhe”, legjendare, në rrugën qendrore sofiane "San Stefano" shkëlqeu në dekor festues. Ndërtesa e vjetër, pothuajse e harruar – ndërtuar midis viteve 1927 dhe 1930 sipas projektit të arkitektit Georgi Kunev për bankierin Dimitër Ivanov dhe familjen e tij – është një nga shembujt më të qartë të banesave elitare të kryeqytetit nga fillimi i shekullit të kaluar, që ndërthurin frymën e secesionit dhe Art Deco-s.

FOTO: BGNES

Para disa muajsh, pas shumë vitesh të braktisjes dhe degradimit gradual, “Shtëpia me luleshtrydhe” u ble nga sipërmarrës të rinj – pjesë e një kompanie të njohur bullgare të teknologjisë. Pronaret e rinj njoftuan se do të ndërmarrin restaurim të gjerë me qëllim rikthimin e shkëlqimit të ndërtesës, duke ruajtur identitetin e saj arkitekturor. Nga kompania premtuan se shtëpia do të jetë e aksesueshme për të gjithë banorët e Sofjes – jo vetëm si zyrë ose pronë private, por edhe si simbol i trashëgimisë kulturore të qytetit.

FOTO: strawberryhouse.bg

Nga faqja e dedikuar “Shtëpisë me luleshtrydhe” bëhet e qartë se tashmë është përgatitur një model 3D i ndërtesës, është kryer skanim me lazer dhe po zhvillohen studime gjeodezike dhe konstruktive – pjesë e përgatitjes për restaurimin. Përveç kësaj, në faqe është publikuar një shëtitje virtuale, që i jep çdo kujt mundësi të shohë gjendjen e saj aktuale dhe të ndjekë hapat për shpëtimin e saj.

FOTO: BGNES

“Shtëpia me luleshtrydhe” nuk është thjesht një ndërtesë e vjetër – ajo mbart kujtime, histori dhe vlerë arkitekturore. Dhe tani, nën kujdesin e pronarëve të rinj, kjo ndërtesë emblematike e kryeqytetit ka shansin të shndërrohet në një vend që do të jetë i ndarë – për iniciativa kulturore, ngjarje, jetë shoqërore ose thjesht për kënaqësi nga e bukura.

Sofja meriton të ruajë shtëpi të tilla, të cilat tregojnë për kohëra të shkuara dhe formësojnë pamjen e saj.

Përpiloi: Veneta Nikollova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski