POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Premte, 5 Dhjetor 2025, 20:00

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: EPA/BGNES

Madhësia e shkronjave

Papa Leu XIV vizitoi Xhaminë Blu në Turqi

Në kuadër të udhëtimit të tij të parë Apostolik, Papa i Romës Leu XIV vizitoi Turqinë. Përveç takimeve me komunitetet e krishtera, programi i tij përfshiu edhe vizitën në xhaminë “Sulltan Ahmed”, e njohur si Xhamia Blu – faltorja myslimane më e rëndësishme në Stamboll, njoftoi Shërbimi i Shtypit i Vatikanit. Vizita ka kaluar “në heshtje, në frymë meditimi dhe dëgjimi, me respekt të thellë ndaj këtij vendi dhe ndaj besimit të atyre që mblidhen aty për lutje”.

FOTO: Vatican Media/ZUMA/picture alliance

Ati i Shenjtë ka vëzhguar faltoren e zbukuruar në mënyrë të pasur dhe ka dëgjuar një tregim për historinë e saj. Në hyrje ai dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit kanë hequr këpucët. Xhamia Blu, një nga simbolet e Stambollit, është ndërtuar midis viteve 1609 dhe 1617 nga sulltan Ahmed I në vendin e Pallatit të Madh në Kostandinopojë. Vizita e Leut XIV është shenjë respekti ndaj vendit mikpritës, 99% e popullsisë së të cilit janë myslimanë. Më 29 nëntor 2014 këtë faltore e vizitoi edhe paraardhësi i tij, Papa Françesku, dhe në vitin 2006 – Papa Benedikti XVI.

FOTO: kathimerini.gr

Fermerët grekë bllokuan autostradat për shkak të subvencioneve të vonuara

Fermerët grekë intensifikojnë protestat e tyre duke bllokuar autostrada në gjithnjë e më shumë rajone në vend, duke përfshirë edhe Thesalinë, Maqedoninë, Trakinë, Epirin, shkruan “Kathimerini”. Gazeta thekson se, pavarësisht bllokadave, fermerët lejojnë kalimin e kamionëve që transportojnë produkte greke dhe të ambulancave. Më 2 dhjetor në mbrëmje u bllokuan pikat kufitare në kufijtë me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu protestuesit duan të tërheqin vëmendjen e qeverisë mbi problemet me të cilat përballen fermerët dhe blegtorët – rritja e kostove të prodhimit dhe vonesa serioze në pagesën e subvencioneve bujqësore për shkak të një hetimi për një skandal me deklarata të rreme për tokë dhe bagëti, të përdorura për marrje të padrejtë të subvencioneve bujqësore evropiane.

FOTO: regionalni.com

Ish-deputeti kroat akuzohet për prodhimin e testeve të rreme për COVID

Prokuroria e Qarkut në qytetin verior kroat Varaždin ngriti akuza kundër ish-deputetit të partisë në pushtet Bashkimi Demokratik Kristian, Anxhelko Mihaliç, dhe djalit të tij Filip për organizimin e prodhimit të mbi 1,3 milionë testeve të rreme për COVID-19 në Turqi. Këtë e njofton hrt.hr, duke iu referuar prokurorisë kroate, duke sqaruar se vetë prokuroria nuk përmend emra. Sipas akuzës, të dy kanë organizuar prodhimin e testeve në një fabrikë në Stamboll midis gushtit 2022 dhe majit 2023. Testet imitonin produktet origjinale dhe ishin importuar në Kroaci, pas së cilës shiteshin përmes kompanisë së tyre te klientë në vend, në Greqi, Rumani, Austri, Spanjë dhe Gjermani. Nga veprimtaria e paligjshme përfitimi ka qenë rreth 450 000 euro, sqarojnë nga prokuroria.

FOTO: ata.gov.al

Shkollat shqiptaro-franceze aktivizojnë mësimin e frëngjishtes në Shqipëri

Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe qeveria franceze nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e shkollave dygjuhësore shqiptaro-franceze, njoftoi ATSH. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe ambasadorja franceze në Shqipëri, Catherine Suard, në një takim me mësues të gjuhës frënge, theksuan nevojën për zgjerimin e rrjetit të shkollave dygjuhësore në Korçë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë. Kumbaro theksoi se mësimi i gjuhës frënge do t’u japë mundësi shumë të rinjve të përgatiten për shkollimin në liceun shqiptaro-francez me profil shkencor, i cili do të hapet në shtator 2027. Liceu do të jetë shtetëror, do të ketë konvikte, mensë, klasa moderne dhe laboratorë. Një pjesë e lëndëve do të jepen në gjuhën frënge nga mësues francezë, ndërsa pjesa tjetër, e lidhur me historinë dhe kulturën shqiptare – në shqip nga mësues shqiptarë. Catherine Suard shprehu shpresën se gjimnazi shqiptaro-francez do të tërheqë të rinj frankofonë që do të shërbejnë si urë mes dy vendeve.

FOTO: cyprus-mail.com

Qipro shënon rekorde në turizëm

Të ardhurat nga turizmi për periudhën janar – shtator në Qipro janë rritur me mbi 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke arritur në 3 miliardë euro, njoftoi shërbimi statistikor i ishullit. I gjithë viti 2024 solli 3,2 miliardë euro, të cilat do të tejkalohen në fund të vitit 2025, raportoi korrespondentja e BNR nga Qipro, Branisllava Bobanac. Rekord vendosën edhe dy aeroportet ndërkombëtare qipriote në Larnakë dhe Pafos, të cilat tejkaluan 13 milionë pasagjerë që mbërritën dhe u larguan, krahasuar me 12,3 milionë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në shtator të këtij viti turistët britanikë (tregu më i madh turistik me 31,4% të të gjitha vizitave) shpenzuan mesatarisht 115 euro në ditë, izraelitët (tregu i dytë më i madh me 14,0%) – 158 euro, dhe turistët nga Polonia (tregu i tretë me 7,9%) – 102 euro në ditë.



Përpiloi: Miglena Ivanova

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski