Artikull
Dielë 7 Dhjetor 2025 09:05
Dielë, 7 Dhjetor 2025, 09:05
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Njëri nga këngëtarët më të dashur dhe më të respektuar të muzikës popullore bullgare është përfaqësuesi i shquar i zonës folklorike të Veriut, Boris Mashallov (1914 – 1962). Ai la pas një trashëgimi mbresëlënëse prej mbi 400 këngësh dhe njihet si mjeshtër virtuoz në interpretimin e modeleve të ngadalta dhe të gjalla të këngës popullore, të karakterizuara nga diapazoni i gjerë dhe ornamentika e pasur muzikore. Ndër interpretimet e tij më të njohura janë “Nedo moj, Nedke e bukur”, “Verë pinë pesëdhjetë trim”, “Mirë se erdhe, Draginko”, por më e dashura dhe më e përhapura deri më sot mbetet e kënga e trishtueshme dhe emocionuese “Qengji blegërin”.
Përveç se ishte një interpretues i jashtëzakonshëm, Boris Mashallov ishte një mbledhës i palodhur i thesareve folklorike. Ai udhëtonte nëpër tërë Bullgarinë dhe kërkonte me përkushtim këngë të reja. Që kur ishte gjallë, ai tregonte se këngën e shkëlqyer “Qengji blegërin” e mësoi rastësisht, gjatë një udhëtimi në Bullgarinë Veriore. Sipas dëshmisë së vëllait të tij, Serafim, para një koncerti në një nga fshatrat e këtij rajoni, Boris Mashallov takoi një rom udhëtar me një ari, i cili i ofroi të dëgjonte “një këngë që të bëjë të qajë edhe kafshën më të madhe”. I liruar nga paragjykimet, i famshmi Boris i kërkoi këngëtarit rom për t'ia kënduar këngën disa herë. Të njëjtën mbrëmje, e gjithë salla qau gjatë interpretimit të tij të kësaj kryevepre të re në repertorin e tij, që deri më sot emocionon deri në lot çdo dëgjues.
Boris Mashallov
FOTO: Arkiv
Për herë të parë zëri i Boris Mashallovit u dëgjua nënjë transmetimi të Radios Kombëtare Bullgare (atëherë Radio Sofja) në vitin 1937 dhe mbajtësi i tij (atëherë bojaxhi profesionist) menjëherë u bë i dashur për dëgjuesit. Që prej asaj kohe, gjatë gjithë jetës së tij, Mashallov nuk reshti së kënduari.
Në vitin 1954 këngëtari ishte në turne në Rusi dhe Kinë. Për një koncert në një stadium gjigant në Pekin, ai mësoi këngën e tij më të njohur në gjuhën kineze. Kur këndoi “Qengji blegërin” para një audience prej 50 mijë vetash në gjuhën e tyre amtare, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë, duke e shpërblyer me duartrokitje të fuqishme.
Pllaka përkujtimore e këngëtarit boris Mashallov në Sevlievo
FOTO: opoznai.bg
I përkushtuar dhe i palodhur, Mashallov nuk kurseu as forcë, as kohë. Në pothuajse çdo koncert ai këndonte këngë me dëshirë të dëgjuesve. Zëri i tij ishte kaq mbresëlënës, saqë ai nuk përdorte kurrë mikrofon. Në vitet e fundit të jetës, i munduar nga një sëmundje e rëndë kronike, shpesh, për shkak të krizave, nuk mundej të dilte në skenë, por në vend që të kurohej seriozisht, vazhdonte të udhëtonte dhe të jepte koncerte në të gjithë Bullgarinë. Turneu i tij i fundit ishte në qytetet e malit Rodopa - Madan dhe Rudozem. Në koncertin e fundit të jetës së tij, ai doli në skenë, këndoi këngën e parë, filloi të dytën dhe, pa arritur ta përfundonte, u rrëzua në skenë. Tre javë më vonë – më 14 korrik 1962, vetëm 48 vjeç, ai ndërroi jetë. Ajo që mbeti janë incizimet e tij të shkëlqyera, të cilat adhuruesit vazhdojnë t’i dëgjojnë me admirim. Dhe kënga e tij më e bukur – “Qengji blegërin”, prek çdo zemër.
Dekada pas Boris Mashallovit, “Qengji blegërin” i sjell famë botërore një tjetër ylli të madh bullgar – këngëtares legjendare Nadka Karaxhova. Në versionin e saj, dukshëm më i shkurtër se ai i Mashallovit, personazhi kryesor, që tek Mashallovi quhej Todor, bëhet Stojan, dhe historia e trishtuar është reduktuar vetëm te zhdukja e nënës së qengjit. Mungojnë hollësitë dramatike për të zotin, i cili harron besnikërinë dhe meritat e nënës Rogusha dhe e shet atë me leverdi, por megjithatë preket nga vajet e të voglit të saj.
Në vitin 1979, interpretimi i këngëtares bullgare Nadka Karaxhova u transmetua për tre muaj rresht në një emision të Korporatës Britanike të Radios BBC. Disa vite më parë – në vitin 1975, në tregun muzikor botëror doli disku i parë nga seria e famshme “Misteri i zërave bullgarë”, i cili përfshin disa nga përpunimet korale të pashoqe të një prej kompozitorëve më të talentuar bullgarë – Krasimir Kjurkçijski. Në këtë album të parë tingëllojnë kryeveprat “Këndon zogëza”, “Kalimanku, Denku”, “Rrëfim”, “O, hënushë, moj”, ndër të cilat spikat kënga popullore e jashtëzakonshme “Qengji blegërin” me soliste Kalinka Vëllçeva.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova