TURIZËM

Seksion

Fshati Kërpaçevo si qendra e Universit

Hënë, 8 Dhjetor 2025, 07:15

Iva Taralezhkova para Mullirit të Vjetër, të shndërruar në një qendër kulturore dhe arsimore

Iva Taralezhkova para Mullirit të Vjetër, të shndërruar në një qendër kulturore dhe arsimore

FOTO: Veneta Nikollova

Madhësia e shkronjave

Në një fshat të vogël, të fshehur në zemër të pllajës Devetashko, jeta vlon dhe pulson me një energji që ngjall admirim. Fshati Kërpaçevo është shndërruar në një simbol se si njerëzit, të bashkuar nga një qëllim i përbashkët, mund t’i kthejnë prirjet demografike dhe të ringjallin një rajon të braktisur. Pikërisht këtu lindi Shoqata “Devetashko Pllato” (Pllajja Devetashko) – shkëndija që frymëzoi edhe fshatrat fqinjë të besojnë se së bashku mund të arrijnë më shumë. Shoqata shfrytëzon dhuntitë natyrore – shpellën madhështore të Devetashkës dhe ujëvarat magjike të Krushunës – për të tërhequr më shumë vizitorë në këtë cep të paprekur nga betoni. Sot, entuziastë nga Kërpaçevo, së bashku me përfaqësues nga tetë fshatra të tjerë, punojnë për të shndërruar rajonin në një destinacion elitar të ekoturizmit dhe turizmit rural. Iva Taralezhkova, kryetare e shoqatës, me krenari paraqet arritjet më të reja:

FOTO: Veneta Nikollova

“Shoqata ‘Devetashko Pllato’ prej dy vitesh punon mbi një projekt shumë interesant ndërkombëtar, të financuar nga programi Erasmus+. Quhet Inherit. Së bashku me partnerë nga Qiproja, Sllovakia dhe Spanja, zhvilluam një metodikë përmes së cilës, përmes trajnimeve dhe punës me sipërmarrësit vendas në fushën e turizmit, krijuam materiale informuese për trashëgiminë tonë kulturore dhe natyrore. Brenda projektit janë krijuar tre itinerare në zonën e pllajës Devetashko, të cilat ofrojnë mundësi unike për t’u zhytur në bukurinë natyrore dhe historinë e krahinës sonë.”

FOTO: Veneta Nikollova

Por kartolina e vërtetë e prezantimit të pllajës është Mulliri i Vjetër në Kërpaçevo, i restauruar me nismën e shoqatës dhe i ngritur nga guri gëlqeror gati 100 vjet më parë. Tani ai është një vend për aktivitete kulturore dhe trajnime, ndërsa fshati vazhdimisht pret mysafirë.

Kërpaçevo mirëpret turistë gjatë gjithë vitit

FOTO: Veneta Nikollova

“Shoqata jonë punon që nga viti 2008, dhe tashmë kemi mbi 120–130 anëtarë nga të gjitha nëntë fshatrat, si dhe nga qytete e fshatra të tjerë që thjesht na simpatizojnë dhe duan të punojnë me ne,” thotë Iva Taralezhkova. “Ne shpesh bëjmë takime në fshatra, bisedojmë me njerëzit, ata japin propozime dhe përfshihen në veprimtaritë tona. Aktualisht po realizojmë një projekt shumë të domosdoshëm për restaurimin e 20 çezmave në rajon, një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme duke pasur parasysh thatësirën dhe mungesën e ujit. Financimi vjen nga programi ‘Pikë pas pike’ i fondacionit Because, ndërsa mbështetemi edhe në ndihmën e bashkive.”

Fshati ka ruajtur atmosferën autentike të së kaluarës

FOTO: Veneta Nikollova

Në Kërpaçevo, ku jetojnë rreth 70 banorë gjatë gjithë vitit, tashmë ka gati 10 shtëpi pritjeje që ofrojnë rreth 120 shtretër për të fjetur. Kjo do të thotë se në periudhat më të ngarkuara numri i turistëve tejkalon dukshëm atë të banorëve vendas. Fshati gjallërohet më shumë gjatë festivalit “JAZZ nën yje” pranë shpellës Garvanica, i cili tërheq mijëra vizitorë çdo verë, dhe vendasit tashmë me buzëqeshje e quajnë Kërpaçevon “qendra e Universit”.

Një hambar i vjetër në Kërpaçevo, i shndërruar në një shtëpi tërheqëse për mysafirë

FOTO: Veneta Nikollova

“Përpjekjet tona kryesore janë ta bëjmë rajonin tërheqës, ta promovojmë. Ne organizojmë fushata dhe përgatisim materiale të ndryshme, përfshirë edhe këto itineraret e reja; zhvillojmë vende të reja që njerëzit t’i vizitojnë, në mënyrë që vërtet të ketë jetë dhe zhvillim ekonomik në Kërpaçevo dhe në fshatrat përreth. Dhe dalëngadalë të vijnë edhe të rinj, për të cilët gëzohemi shumë. Sepse tashmë kemi ndoshta rreth 10 fëmijë të lindur gjatë 5 viteve të fundit në rajon, dhe kjo na bën jashtëzakonisht të lumtur,” – përfundoi Iva Taralezhkova.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello


Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello