SHOQËRI

Artikull

Mbretëria e Bashkuar shtrëngon regjimin e migracionit

Për çfarë duhet të kenë kujdes bullgarët?

Mërkurë, 10 Dhjetor 2025, 07:00

Mbretëria e Bashkuar shtrëngon regjimin e migracionit

FOTO: EPA/BGNES

Madhësia e shkronjave

"Bullgarët të informohen dhe të mos nxitojnë!" – është këshilla e gazetarit Veselin Paunov drejtuar bashkatdhetarëve në Mbretërinë e Bashkuar, ku u shpall një "reformë radikale" në politikën e migracionit. Masat janë të drejtuara kryesisht drejt shkurtimit të afatit për qëndrim të përkohshëm në vend nga 5 vjet në 30 muaj, zgjatjes së kohës për marrjen e statusit të qëndrimit të qëndrueshëm dhe lehtësimit të ekstradimit të migrantëve, të cilët nuk kontribuojnë për zhvillimin e ekonomisë ose kanë shkelur ligjet.

"Pak është e rrezikshme njeriu të flasë konkretisht për reformat, sepse gjithçka është në lëvizje të madhe. Vazhdimisht dalin gjëra të reja, propozime të reja, përmirësime, dhe e gjitha kjo duhet të votohet dhe të miratohet, por në parim shtrëngimi është i pranishëm, sidomos sa i përket atyre që kërkojnë azil në vend", përmbledh korrespondenti i BNR në Londër dhe shton: "Bullgarët nuk do të preken drejtpërdrejt, sepse Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian". Por kjo nuk vlen për ndryshimet strukturore të lidhura me përfitimet sociale:

FOTO: Arkiv personal

"Deri tani, që të marrësh status të qëndrimit të qëndrueshëm, duhet të kishe kaluar 5 vjet në vend dhe të kishe punuar, të kishe paguar sigurimet e tua, etj. Kjo periudhë mund të jetë tashmë 10 vjet, e mund të bëhet edhe 15, madje 20, ashtu siç është për njerëzit që jetojnë jashtë BE-së. Për mua është e çuditshme, por vendosen kufizime edhe për ata që punojnë në shëndetësi dhe kujdes social – fusha ku ka nevojë të madhe për punëtorë dhe janë të mbushura nga migrantë, kryesisht bullgarë dhe rumunë. Tani tashmë do të jetë e nevojshme edhe vizë pune, kështu që bullgarët që mendojnë të udhëtojnë për Mbretërinë e Bashkuar dhe të punojnë atje, duhet ta kenë parasysh se lëshimi i saj nuk do të jetë më aq i lehtë. Ndryshohen shumë kërkesa, njëra prej të cilave është njohja e gjuhës, ndërsa testi bëhet shumë më i vështirë. Parashikohen edhe gjëra të tjera në këtë paketë, e cila do të jetë në parimin e sistemit me pikë. Nuk po pretendoj se do të jetë e pamundur, por do të jetë shumë më e vështirë!"

Për bashkatdhetarët me status të përkohshëm qëndrimi, Paunov sqaroi se nuk do të kishin probleme, nëse kanë punë, respektojnë ligjet dhe i paguajnë rregullisht faturat e tyre, duke cituar fjalët e ministres së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Shabana Mahmud: "Ne do të pranojmë njerëz, të cilët nuk vijnë për të marrë, por për të dhënë!". Kolegu ynë, i cili prej vitesh jeton në Angli, ka edhe një paralajmërim të posaçëm për ata që tashmë kanë marrë dokument për qëndrim të përhershëm:

FOTO: EPA/BGNES

"Filluan shumë kontrolle dhe rezultoi se në dokumentacionin për statusin e qëndrimit të qëndrueshëm janë bërë parregullsi dhe pasaktësi. U arrit edhe në ekstradimin e bullgarëve. Ka tashmë raste të tilla! Njoh një këshilltar imigracioni, i cili merret pikërisht me raste të tilla dhe këshillon bullgarët të jenë shumë të kujdesshëm gjatë dorëzimit të dokumenteve – të kenë kujdes çfarë bëjnë, ku dorëzojnë dhe çfarë plotësojnë, sepse edhe një pasaktësi e vogël mund t’u bëjë keq, dhe kjo mund të çojë në kontrolle, vërtetim të parregullsisë, madje mund t’i vërë edhe përballë ligjit."

A do të preket Bullgaria si kufi i jashtëm i Shengenit, duke pasur parasysh reformat e reja që do të lehtësojnë ekstradimin e migrantëve që kanë shkelur ligjet e Mbretërisë së Bashkuar?

"Skema është e tillë – të kthehen në vendin nga i cili kanë hyrë, kështu që ky, sigurisht, është një problem potencial – thotë Veselin Paunov. – Mbretëria e Bashkuar megjithatë futi një skemë të re me Francën me sistemin ‘një hyn – një del’, pra migrantët, të cilët kanë kaluar ilegalisht në vend dhe kapen, kthehen në Francë, dhe përkatësisht lejohet që të hyjë një tjetër. Por skema nuk funksionon shumë mirë, sepse njerëz me varka të vogla, të ardhur në shtator, të kapur në tetor, të kthyer në Francë në nëntor, përsëri kthehen me varkë në Mbretërinë e Bashkuar. Kishte edhe skema të tjera për dërgimin e migrantëve në Ruandë, por ajo gjithashtu dështoi – filloi të flitej për shkelje të të drejtave të njeriut, etj. Tema është shumë delikate, sepse lidhet me punë me njerëz!"

FOTO: EPA/BGNES

Kohët janë dinamike, prandaj Veselin Paunov këshillon bullgarët, që kanë vendosur të nisen drejt Mbretërisë së Bashkuar, të informohen:

"Shumë informacion mund të gjendet në faqet qeveritare të Mbretërisë së Bashkuar. Duhet të lexohen të gjitha kërkesat! Siç thashë, gjërat ndryshojnë shpesh, e ndonjëherë edhe në mënyrë drastike, dhe njeriu mund të befasohet. Mirë është që secili të njihet paraprakisht me atë që e intereson dhe të mos nxitojë! Gjithmonë mund të kërkohet ndihmë nga ambasadat. Dhe, mbi të gjitha, të kalojë në rrugë të ligjshme! Nuk është rastësi që përmend se jam i befasuar se sa shumë njerëz mashtrohen dhe shumë lehtë madje. Është mirë njeriu gjithmonë të hulumtojë, të shikojë paraprakisht, të dijë për çfarë bëhet fjalë!"


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski