HISTORI

Artikel

Zbulime të reja ringjallin legjendat për Kaliakrën

Kaliakra kryeqyteti madhështor i Despotatit të Dobruxhës

Martë, 9 Dhjetor 2025, 06:30

Dr. Filip Petrunov

Dr. Filip Petrunov

FOTO: Facebook/Filip Petrunov

Madhësia e shkronjave

Gjatë gërmimeve të sivjetshme, arkeologët i dhanë sërish jetë legjendave të gërshetuara në shkëmbinjtë e Kaliakrës, duke zgjuar rrëfimet e lashta që mbajnë gjurmët e historisë dhe misterit. Ndër rrënojat e dikurshme të fortesës madhështore mbi Detin e Zi, u zbuluan mbi 400 objekte, të cilat hedhin dritë të re mbi historinë e pasur të saj.


Kepi Kaliakra

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Ky rajon ishte i banuar që në periudhën romake, ndërsa në shekullin e XIV-të u shndërrua në kryeqytetin madhështor të Despotatit të Dobruxhës. Këtu ngrihej edhe rezidenca e despotit Dobrotica – sundimtari që i dha emrin të gjithë rajonit. Në bregun lindor të Kepit Kaliakra prej vitesh po studiohet një nekropol i madh, në të cilin tashmë u zbuluan mbi 200 varre. Ndër gjetjet dallohen dëshmi mbresëlënëse për jetën dhe ritet e së kaluarës – nga një varrim me monedha ari të vendosura mbi sytë e të ndjerit, deri te varret e burrave dhe grave fisnike, të pasura me mbetje tekstili dhe fragmente të tëra arkivolesh të ruajtura, siç mësojmë nga dr. Filip Petrunov nga Instituti Kombëtar Arkeologjik me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave dhe drejtues i ekspeditës.

Aty, para disa vitesh, u zbulua edhe varri i aristokratit Georgi, në të cilin ishte ruajtur unaza e tij vulë. Ky monument i mrekullueshëm me shqiponjë dhe me mbishkrimin rrethor “Georgi, sundimtar i Kaliakrës” është aktualisht i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Nga ky varr i Georgit u ruajtën në gjendje shumë të mirë pjesë të veshjes, ku ekspertët arritën të dallojnë 11 lloje të ndryshme tekstilesh mëndafshi dhe liri – të gjitha të zbukuruara me ornamente të pasura dhe të ruajtura falë fijeve të arta e të argjendta me të cilat ishin qëndisur. Përfshihet edhe një figurë dragoi nga rrobat e tij. Në këtë nekropol u zbulua gjithashtu edhe “Plaçka Tatare” – një thesar prej mbi 950 sendesh, i cili po ashtu ndodhet sot në sallat e Muzeut Historik Kombëtar.”

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Zbulimet e fundit e pohojnë pa mëdyshje se përgjatë brigjeve të ashpra të Kepit Kaliakra jeta lulëzonte që afro dy mijë vjet më parë.

“Gjetjet më të fundit përbëjnë një koleksion prej mbi 400 objektesh, që mbulojnë një diapazon shumë të gjerë kronologjik – nga fundi i shekullit të II-të deri në fund të shekullit të XIV-të – thotë dr. Filip Petrunov. – Ndër to kemi monumente të mrekullueshme numizmatike, pra monedha të datuara nga periudha romake deri në mesjetë – monedha ari dhe argjendi.

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Veçanërisht mbresëlënëse janë objektet nga Mbretëria e Parë Bullgare – aplikacione rripash, skaje rripash, të cilat janë karakteristike për periudhën e kryeqytetit Pliska dhe që u zbuluan në Kaliakra. Gjithashtu, u gjetën unaza me shqiponjë dhe me pentagram, karakteristike për periudhën ndërmjet shekujve IX–XI. Por një nga zbulime më të vlefshme është një statujë e vogël nga periudha romake, që paraqet një kult shumë të përhapur në të gjithë Perandorinë Romake gjatë periudhës parakristiane – është fjala për figurën e hijshme të Fortunës.”

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Së fundmi, mes gjurmëve të qytetit të dikurshëm mesjetar, arkeologët zbuluan dy të ashtuquajtura ampula plumbi – eulogia, të cilat theksojnë rëndësinë e Kaliakrës edhe si një qendër fetare.

“Vetë ampulat janë relikte fetare jashtëzakonisht të veçanta. Ndoshta nuk janë zbuluar më shumë se 30 monumente të ngjashme deri tani në Bullgari. Bëhet fjalë për enë të brishta plumbi, në të cilat ruhej miroja e shenjtë – një relikte shumë e çmuar nga krishterimi i Mesjetës. Prania e tyre në Kaliakra dëshmon rolin e fortesës si një qendër e pasur kulturore dhe fetare. Fakti që të dyja u gjetën në një dhomë sugjeron se pikërisht atje ndoshta ruheshin lipsane të shenjta pranë një kishe në Kepin e Kaliakrës” – thotë dr. Petrunov.

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Një komplet elegant i bizhuterive femërore për kokë – një diademë argjendi e praruar me ar, e përbërë nga dhjetëra aplikacione të punuara në mënyrë juvelire dhe dy vathëështë ndër gjetjet të sivjetshme më të çmuara. E ngjitur në shaminë e të ndjerës, bizhuteritë edhe më sot sjellin ndjenjën e  bukurisë dhe prestigjit, të ruajtura gjatë shekujve.

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

“Nga njëra anë, kjo tregon për statusin shoqëror të kësaj gruaje, pasi bizhuteri të tilla nuk gjenden në çdo varr. Nga ana tjetër, dëshmon për nivelin e lartë kulturor gjatë periudhës kur Kaliakra ishte kryeqytet. Ajo nuk ishte në asnjë mënyrë më pak e vlefshme apo më pak e rëndësishme se pasuritë e zbuluara në Tërnovgradin Mesjetar, pasi në atë kohë Kaliakra, edhe pse një despotat i pavarur, kishte përkatësi kulturore ndaj Mbretërisë së Tërnovgradit. Kësisoj, ne kemi një sit arkeologjik që qëndron në një nivel jashtëzakonisht të lartë, sepse përfaqëson kryeqytetin detar të Bullgarisë në atë periudhë” – thekson në përfundim dr. Filip Petrunov.

 

FOTO: Instituti Kombëtar i Arkeologjisë me Muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova