POLITIKË

Artikull

Qeveria dha dorëheqjen pa pritur votën e mosbesimit

Enjte, 11 Dhjetor 2025, 15:03

Qeveria dha dorëheqjen pa pritur votën e mosbesimit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në një konferencë pas takimit të partnerëve të koalicionit dhe pak para votimit të votës së gjashtë të mosbesimit ndaj kabinetit, kryeministri Rosen Zheljazkov njoftoi se qeveria jep dorëheqjen. “Nuk kemi asnjë dyshim se në votën e ardhshme të mosbesimit qeveria do të marrë mbështetje. Pavarësisht kësaj, vendimet e Kuvendit Popullor kanë rëndësi vetëm kur pasqyrojnë dëshirën e sovranit. Ne dëgjojmë zërin e qytetarëve që protestojnë, ndaj dëgjojmë edhe kërkesat e tyre, e pikërisht – dorëheqjen e qeverisë”, theksoi kryeministri. Sipas tij, protestat në Bullgari gjatë ditëve të fundit janë protesta për vlera dhe sjellje, e jo sociale. “Qytetarët duhet të nxjerrin liderët e tyre formalë – kjo nuk është sfidë ndaj Asen Vasilev, Bozhidar Bozhanov, Atanas Atanasov, madje as ndaj presidentit Rumen Radev”, apeloi Rosen Zheljazkov.

Vota e gjashtë e mosbesimit ndaj kabinetit të Rosen Zheljazkovit u propozua për votim në lidhje me dështimin e qeverisë në politikën ekonomike, që çoi në disa nga protestat më të mëdha në Bullgari. Kërkesa u paraqit të premten e kaluar nga 61 deputetë nga PP-DB, APS dhe MEÇ. Opozita theksoi rolin e liderit të DPS-së “Fillim i Ri”, Deljan Pevski, i sanksionuar sipas listës “Magnitski”, në qeverisjen e vendit. Forca e katërt më e madhe parlamentare merr pjesë si partner joformal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shtetin.

Votimi ishte caktuar për orën 13:30, por grupi i partnerit të koalicionit në qeveri, ITN, kërkoi një pushim 30-minutësh, pa dhënë shpjegim. Pas kësaj, kryeministri Rosen Zheljazkov mbajti një konferencë, në të cilën njoftoi dorëheqjen e qeverisë.

Pas konferencës së kryeministrit Zheljazkov, në parlament u zhvillua votimi i mocionit të mosbesimit. Për shkak të mungesës së kuorumit, vota e mosbesimit u shpall e pasuksesshme dhe seanca u mbyll.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova