Premte 12 Dhjetor 2025 10:39
Premte, 12 Dhjetor 2025, 10:39
FOTO: Reuters
Madhësia e shkronjave
Kryeministri bullgar Rosen Zheljazkov dha dorëheqjen e qeverisë pas protestave kundër politikës ekonomike dhe dështimit në luftën kundër korrupsionit, raportuan agjencitë botërore, të cituara nga BTA.
Reuters rikujton se qeveria e tërhoqi projektbuxhetin për vitin 2026, por pavarësisht kësaj protestat vazhduan në vendin, ku gjatë katër viteve të fundit u zhvilluan shtatë zgjedhje parlamentare – të fundit në tetor të vitit të kaluar, në sfondin e një përçarjeje të thellë politike dhe sociale. Agjencia citon gjithashtu mesazhin e presidentit Rumen Radev drejtuar deputetëve: “Zgjidhni mes dinjitetit të votës së lirë dhe turpit të varësive. Mes zërit të popullit dhe frikës nga mafia. Dëgjojini sheshet!”
“Në themel të pakënaqësisë së protestuesve ishte politikani dhe oligark bullgar Deljan Peevski, i cili është i sanksionuar si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa partia e tij “DPS – Fillim i Ri” mbështet qeverinë. Opozita e akuzoi Peevskin se ndikon në formësimin e politikave qeveritare në përputhje me interesat e tij oligarkike”, shkruan Associated Press.
France-Presse rikujton se dorëheqja e qeverisë erdhi pas një vale pakënaqësie të paprecedentë vitet e fundit dhe me një pjesëmarrje të konsiderueshme të të rinjve.
Agjencia spanjolle EFE vëren se zemërimi i shumë demonstruesve ishte drejtuar kryesisht kundër ish-kryeministrit Bojko Borisov dhe oligarkut të sanksionuar për korrupsion Deljan Peevski, i cili ka ndikim të madh në sistemin gjyqësor, shërbimet e sigurisë, një pjesë të madhe të mediave dhe sektorë të tjerë strategjikë të vendit më të varfër të BE-së.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova