POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 13 Dhjetor 2025, 09:00

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: EPA/BGNES

Madhësia e shkronjave

Vazhdojnë bllokadat e fermerëve në rrugët e Greqisë

Fermerët grekë vazhdojnë protestat e tyre masive, të filluara më 30 nëntor. Ata bllokuan me mijëra makina bujqësore rrugë kyçe në vend, duke lejuar periodikisht qarkullimin, përfshirë portet dhe madje kufijtë shtetërorë me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Në përpjekje për të ndalur bllokadat, policia përdori edhe gaz lotsjellës kundër protestuesve, por pa sukses. Pasuan negociata ndërmjet grevistëve dhe ministrit të bujqësisë Kostas Ciaras, në të cilat nuk u arrit marrëveshje. Për javën e ardhshme është planifikuar një takim mes liderëve të protestës dhe kryeministrit Kiriakos Micotakis, njoftoi korrespondentja jonë Katja Peeva. Tek bllokadat e fermerëve u bashkohen edhe njerëz nga sektorë të tjerë – studentë, ndërtues, mësues, pensionistë. Në shumë vende në bllokada, bujqit u shpërndajnë shoferëve që presin produktet e tyre. Krijohet përshtypja se e gjithë Greqia e mbështet protestën, deklaruan deputetët nga opozita, të cilët u takuan me fermerët.

Shkaku për pakënaqësinë është vonesa e pagesës së subvencioneve bujqësore për shkak të një hetimi mbi një skandal me shpërndarje të paautorizuar të fondeve evropiane për bujqësinë.

FOTO: nova.rs

Firmat kineze ndërtojnë urë të re mbi lumin Sava në Beograd

Kompani kineze punojnë për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Sava në Beograd, por informacione kyçe për kontratat, përzgjedhjen e ekzekutuesit dhe kushtet e projektit mbeten të padisponueshme për publikun, shkruan BGNES. Ndërtimi i ri po ndërtohet në vend të urës prej çeliku të vitit 1942, e cila u çmontua gjatë korrikut. Pjesë nga konstruksioni i ri prodhohen në një fabrikë të kompanisë shtetërore China State Construction Engineering. Sipas ministrit të financave të Serbisë, Siniša Mali, ura duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2026.

Projekti është i radhës në Serbi, i besuar kompanive kineze mbi bazën e një marrëveshjeje ndër-shtetërore mes Beogradit dhe Pekinit. Ekzekutues është korporata shtetërore kineze PowerChina, e cila merr pjesë edhe në objekte të tjera të mëdha infrastrukturore në Serbi.

FOTO: koliko.hr

Shporta bazë familjare e konsumit në Kroaci është 486 euro

Në nëntor të vitit 2025, shporta bazë me ushqime dhe artikuj higjienikë për një familje prej katër anëtarësh në Kroaci arriti mesatarisht 486.07 euro, ose 2.51 euro më shumë krahasuar me tetorin, tregojnë hulumtimet mujore të portalit të krahasimit të çmimeve koliko.hr, të kryera në bashkëpunim me Shoqatën Kroate për Mbrojtjen e Konsumatorëve (HUZP). Shporta bazë përmban 51 artikuj dhe mbulon nevojat modeste, por të balancuara mujore të familjes.

Portali ka llogaritur edhe çmimin e shportës standarde, e cila përfshin një zgjedhje më të gjerë të artikujve ushqimorë dhe higjienikë (totali 77) dhe pasqyron zakonet reale të konsumit të familjeve kroate. Në nëntor, çmimi i saj arriti 721.34 euro për një familje me katër anëtarë. Presidentja e HUZP Ana Knezheviç thekson se situata më e vështirë është ajo e pensionistëve të vetëm. Ata mund të përballojnë të blejnë vetëm gjysmën e shportës standarde për një person.

FOTO: anews.com.tr

Turqia është në vendin e parë në Evropë për rritjen e pyjeve

Sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), pyjet zënë 32% të tokës së thatë të globit. Më shumë pyje ka në Amerikën e Jugut, ku ndodhet Amazonia. Ndër shtetet, Turqia renditet e katërta në botë dhe e para në Evropë për zgjerimin e sipërfaqes së saj pyjore gjatë 10 viteve të fundit, njoftoi Agjencia Anadoll. Vendi zgjeron çdo vit sipërfaqen e pyjeve me 118 mijë hektarë (0,5%).

FOTO: gov.cy

Vera qipriote "Komandaria" hyri në Listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s

Vera "Komandaria" u përfshi në Listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, njoftoi faqja e qeverisë së Qipros. Vendimi u mor gjatë sesionit të 20-të të Komitetit Ndërqeveritar të UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale, i cili po zhvillohet në Delhi, Indi.

Zëvendësministrja e kulturës së Qipros, Vasiliki Kasianidu, tha se ky është një vendim i rëndësishëm për Qipron, për kulturën e saj, si dhe për fshatrat që prodhojnë "Komandaria". Ajo nënvizoi përkushtimin e vreshtarëve nga 14 fshatrat prodhuese për ruajtjen e traditës shekullore, të trashëguar nga brezi në brez.

FOTO: gov.cy

Kështu Qipro tashmë ka shtatë objekte në Listën e trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s, dhe ato janë: qëndisja "Lefkaritika" (2009), këngët "Ciatista" (2011), dieta mesdhetare (2013), arti i muraturës së thatë (2018) dhe këndimi bizantin (2019), obstetrika (2023) dhe vera "Komandaria" (2025).



Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski