LAJME

Artikull

Deputetët miratuan njëzëri dorëheqjen e qeverisë

Premte, 12 Dhjetor 2025, 12:54

Deputetët miratuan njëzëri dorëheqjen e qeverisë

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Kuvendi Popullor miratoi dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zheljazkov. Të gjithë 227 deputetët në sallën plenare votuan njëzëri “për” këtë propozim. Dorëheqja e qeverisë u dorëzua dje nga kryeministri, i cili deklaroi se, në bazë të Kushtetutës, kabineti që ai drejton do të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij deri në zgjedhjen e një të ri dhe do të sigurojë vazhdimësi në qeverisje.

Gjatë debatit, Bozhidar Bozhanov nga PP-DB deklaroi se arsyeja e vërtetë për rrëzimin e kabinetit është kriza e thellë politike në vend, e shkaktuar nga përfshirja e Deljan Peevskit në politikë. “Izolimi i Peevskit filloi nga sheshi; detyra jonë është ta përfundojmë dhe të bëhemi një demokraci e vërtetë evropiane”, theksoi ai.

Toma Bikov nga GERB-SDS tha se nuk mund të qeverisësh në një situatë të tensionuar të protestave. “Ne kurrë nuk kemi dashur të qeverisim në kundërshtim me situatën dhe tendencat, dhe e kemi dëshmuar këtë shumë herë. Vlerësuam se nuk është e mundur të realizojmë qëllimet tona programore në një mjedis të tillë”, shtoi deputeti.

Presidenti Rumen Radev pritet të zhvillojë konsultime me partitë parlamentare dhe të japë deri në tre mandate për formimin e një kabineti të ri. Në rast se nuk formohet një qeveri e tillë, Kuvendi Popullor do të shpërndahet dhe do të emërohet një qeveri e përkohshme.

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova