MUZIKË

Seksion

“Sonata e hënës” e Angell Zaberskit – një hit i paharrueshëm

Premte, 12 Dhjetor 2025, 20:05

Angell Zaberski (1931 – 2011)

Angell Zaberski (1931 – 2011)

FOTO: Arkiva

Madhësia e shkronjave

Мjeshtri i estradës liriko-dramatike Angell Zaberski (1931–2011) është ndër kompozitorët e parë që u bë i njohur për muzikën popullore bullgare në skenat evropiane. Ai nisi të luante në violinë që fëmijë dhe përfundoi Fakultetin për Vokal në Konservatorin e Sofjes (sot Akademia Kombëtare e Muzikës) në klasën e këngëtarit dhe pedagogut legjendar, prof. Hristo Brëmbarov. Opera mbeti pasioni i tij i madh deri në fund të jetës së tij: ai studioi me hollësi partiturat e Verdit dhe Puçinit dhe ndiqte karrierat e yjeve botërorë të operës. U pasionua edhe pas xhazit – mes idhujve të tij ishin Duke Ellington dhe Count Basie.


Në vitin 1955 filloi punë në Radion Kombëtare Bullgare si përpunues muzikor i prodhimit të “Emisioneve për jashtë vendit” (sot Radio Bullgaria), dhe krijoi muzikë edhe për Teatrin Radiofonik. Në vitin 1958, së bashku me katër miq, Zaberski hodhi themelet e formacionit vokal mashkullor “Miqtë e këngës”. Disa muaj më vonë, së bashku me Rajna Denevën, kvinteti regjistroi këngën e tij të parë – “Takimi i parë”. Angell Zaberski është kompozitori që fitoi çmimin e parë të madh në historinë e festivalit ndërkombëtar të muzikës pop “Orfeu i Artë”. Kjo ndodhi në vitin 1965, kur konkursi ende quhej “Këngë për Detin e Zi bullgar”, dhe Zaberski prezantoi dy vepra – “Kaliakra” dhe “Drejt Sllënçev brjag”, të interpretuara nga këngëtarja e talentuar Mimi Nikollova. Për “Kaliakra” ai mori çmimin e tij të parë të madh.

Gjatë gjysmës së dytë të viteve ’60 ai përjeton një periudhë të konsolidimit krijues. Pikërisht atëherë lindën hite si “Adagio”, “Mështeknat dhe vajza”, “Kur të kërkoj”, “A të besoj vallë”, “Shpendët tregojnë”, që fituan vlerësime në konkurse bullgare dhe ndërkombëtare. Veprimtarinë si pedagog vokal Angell Zaberski e nisi në Studion e sapohapur për interpretues estrade pranë Radios Kombëtare Bullgare dhe e vazhdoi në Departamentin e Estradës të themeluar në vitin 1968 pranë Konservatorit Shtetëror Bullgar. Ai ishte ndër pedagogët më prestigjiozë, me klasë të pavarur vokale dhe me metodikë specifike. Suksese i solli edhe bashkëpunimi krijues me yje si Margret Nikollova, Georgi Kordov, Boris Guxhunov, Borisllav Grënçarov, Konstantin Kazanski, Jordanka Hristova, Margarita Radinska, Kristina Dimitrova, Panajot Panajotov… Por duket se interpretuesin e tij më të vërtetë dhe më të sinqertë gjatë viteve ’60 ai e gjeti te këngëtarja e re Lili Ivanova. Miniaturat vokale të rafinuara si “Adagio”, “Anija e bardhë”, “A të besoj vallë” dhe “Sonata e hënës” janë rezultat i takimit të dy muzikantëve jashtëzakonisht të talentuar, të cilët u ndodhën “në të njëjtën valë” në shprehjen e tyre artistike.

Lili Ivanova

FOTO: YouTube/@LiliIvanovaOfficial

“Mështeknat dhe vajza ” ishte një hit edhe para Lilit – me të, Georgi Kordov fitoi çmimin e dytë në një festival në qytetin francez Ren, por pamjen e vet karakteristike kënga e mori në interpretimin e Lili Ivanovës. Interpretimi i saj i “Adagio” i solli kompozitorit çmimin më të madh – “Çelësi i Artë” të festivalit në Bratislavë në vitin 1966. Dy vjet më vonë “A të besoj vallë” fitoi çmimin e parë në Barcelonë. Sot ato janë shembuj klasikë të muzikës së famshme bullgare.


Melodia e gjerë dhe emocionaliteti i pasur, karakteristike për Angell Zaberskin, e shndërrojnë në hit edhe një këngë tjetër, të dashur deri sot në interpretimin e zërit të ngrohtë dhe me shumë nuanca të Lili Ivanovës. Në vitin 1968 “Sonata e hënës”, me tekst të Koljo Sevov, fitoi çmimin e dytë në “Orfeu i Artë” dhe u publikua bashkë me tre këngë të tjera nga programi i konkursit. Pas plot 32 vjetësh – në vitin 2000, balada u shfaq në albumin “Erërat” të Lili Ivanovës, dhe më vonë u përfshi në koleksionet “The Best 2” nga viti 2003 dhe “E pabesueshme” nga viti 2015.

Përagtiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello