TURIZËM

Artikull

Mes dëborës artificiale dhe natyrale – si nis sezoni i skive në Bullgari

Këtë dimër presim nga 2 deri në 3 milionë turistë

Shtunë, 13 Dhjetor 2025, 10:05

Mes dëborës artificiale dhe natyrale – si nis sezoni i skive në Bullgari

FOTO: borovets-bg.com

Madhësia e shkronjave

Ende nuk ka dëborë në pjesët e larta të maleve, por sezoni dimëror tashmë ndihet, dhe resortet tona po përfundojnë përgatitjet pavarësisht dimrit që po vonon. Në Pamporovo parashikohet interes i shtuar nga Rumania, Greqia, Turqia dhe, tradicionalisht, nga Mbretëria e Bashkuar. Hapja e sezonit në kompleks ende nuk ka një datë të saktë pikërisht për shkak të mungesës së një shtrese të mjaftueshme dëbore. Në Vitosha situata është e ngjashme – sezoni i skive zakonisht nis në mesin ose fundin e dhjetorit, por një datë zyrtare do të njoftohet vetëm kur kushtet të jenë të përshtatshme. Vendimtare mbeten mbulesa e dëborës dhe gatishmëria teknike e pajisjeve.

Borovec

FOTO: BTA

Më të qarta janë planet në resortet e tjera të mëdha të vendit.

Borovec tashmë shpalli hapjen– më 27 dhjetor 2025. Ky sezon është edhe jubilar – qendra jonë më e vjetër dimërore shënon 130 vjet histori – nga Çamkoria deri te Boroveci modern, çka do të jetë edhe theksi kryesor i aktiviteteve festive.

Bansko

FOTO: BTA

Qendra e skive në malin Rila Maljovica ka në plan të hapë zyrtarisht sezonin më 14 dhjetor, dhe planifikohen demonstrime skish dhe shumë lojëra dëbore për fëmijët.

Maljovica

FOTO: malyovitsa.com

Rezervimet e hershme për muajt në vijim parashikojnë një Dimër 2026 të suksesshëm, por vetëm nëse ka një shtresë dëbore të qëndrueshme. Çfarë mund të presim – shpjegon Rumen Draganov, drejtor i Institutit për Analiza dhe Vlerësime në Turizëm:

Rumen Draganov

FOTO: BTA

“Sektori turistik është plotësisht i gatshëm për sezonin e ardhshëm dimëror. Presim një sezon shumë të fortë. Mbi 3 milionë do të jenë gjithsej vizitorët e huaj që do të hyjnë në Bullgari. Mbi 2 milionë prej tyre do të jenë me qëllim turizmin. Në të njëjtën mënyrë po fillojmë edhe marrëveshjet për sezonin e ardhshëm turistik, gjë që do të thotë se interesimi për vendin tonë është i madh. Po e përmbyllim vitin 2025 me mbi 13 milionë e gjysmë vizita të huaja, krahasuar me 12 milionë e gjysmë në vitin rekord për sektorin – 2019. Nga kjo pikëpamje mund të themi se treguesit janë shumë të mirë.”

FOTO: BTA

Bullgaria vazhdon të perceptohet si një nga destinacionet më të përballueshme për skijim në Evropë. Një studim i Euronews tregon se në Bansko turistët paguajnë shumë më pak krahasuar me disa nga resortet zvicerane. Në Borovec bileta ditore mbetet rreth 52 euro, dhe zbritjet e hershme gjatë nëntorit dhe dhjetorit tradicionalisht tërheqin interes shtesë, raporton media. Po ashtu, The Telegraph ka tërhequr vëmendjen e skitarëve drejt Bullgarisë, duke renditur pushimoret Pamporovo dhe Bansko në vendet kryesore të listës së resorteve më të lira evropiane këtë dimër.

FOTO: skivitosha.com

Sezoni turistik hapet në data të ndryshme deri në fund të muajit dhjetor, – thotë Rumen Draganov. – Për momentin, çmimet për ski mbeten në nivelin e vitit të kaluar, dhe presim një rritje prej 3-4%. Por nuk duhet të ketë frikë nga ndonjë rritje serioze e çmimeve për shkak të anëtarësimit tonë në eurozonë. Për një rritje të qëndrueshme të çmimeve do të duheshin paga dhe pensione më të larta, të cilat ende duhet të afrohen me mesataren në BE. Aktualisht, çmimet në resortet tona turistike janë të përshtatura me konkurrencën në treg. Në vende të ndryshme, disa shërbime janë më të shtrenjta, të tjera më të lira, dhe kjo vlen edhe për resortet tona. Prandaj, do të ketë rritje çmimesh në disa vende, ulje çmimesh në të tjera, por një rritje serioze e përgjithshme nuk pritet” – përfundon Rumen Draganov.

FOTO: BTA

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova