SHOQËRI

Artikull

Helmut Matt:

Radio Bullgaria – urë mes Bullgarisë, letërsisë dhe radiovalëve

Martë, 16 Dhjetor 2025, 07:00

Radio Bullgaria – urë mes Bullgarisë, letërsisë dhe radiovalëve

FOTO: Helmut Matt

Madhësia e shkronjave

Një mik i posaçëm në studion e Radio Bullgarisë ishte Helmut Matt – një shkrimtar, gazetar radiofonik dhe poet, i cili ka ruajtur një lidhje të veçantë me Bullgarinë për shumë vite. Në librin e tij "Impresionet bullgare"  dhe në transmetimet e tij të shumta radiofonike, ai pasqyron admirimin e tij për kulturën, natyrën dhe njerëzit e Bullgarisë. Përveç kësaj, zoti Matt boton rregullisht poezi në të cilat gjuha dhe ndjenjat zënë një vend qendror.

Helmut Matt kujton fillimin e lidhjes së tij me Bullgarinë:

"Miqësia ime me Radio Bullgarinë daton që nga viti 1975. Atëherë bleva marrësin tim të parë radiofonik me valë të shkurtra dhe u magjepsa kur kuptova se mund të dëgjoja "Radio Sofjen". Shkrova letrat e mia të para për transmetimin, por për një kohë të gjatë nuk mora përgjigje. Pas më shumë se një viti e gjysmë, më në fund mbërriti një letër, duke udhëtuar nëpër botë, së bashku me një kartë të bukur QSL - ishte një përvojë e paharrueshme!" 

 

Letra të dëgjusve të Radio Bullgarisë

FOTO: arkiv

Ai u impresionua veçanërisht nga muzika popullore bullgare, shfaqjet letrare rreth autorëve si Ivan Vazov dhe historitë rreth luftës për çlirim. "Që atëherë, ndjeva shpresën se një ditë do ta shihja Bullgarinë me sytë e mi", thotë Helmut Matt.

Rreth librit të tij kushtuar Bullgarisë, ai ndau:

"Fillimisht, ky ishte një reflektim personal mbi përvojat e mia. Doja të ruaja përshtypjet e mia - bukurinë e maleve Vitosha,  Rilla dhe Pirin, të Fushës Trake, me fushat e lulediellit, dhe të qyteteve historike të Plovdivit dhe Sofjes.

Gjithçka i tejkaloi pritjet e mia, përfshirë edhe mirësinë e njerëzve. Me sugjerimin e Rosica Radullovës nga Redaksia e Gjuhës Gjermane e Radio Bullgarisë, një udhëtim i shkurtër lindi një libër të tërë, i cili për fat të keq nuk shitet më."  

Libri i Helmut Matt "Impresionet bullgare"

FOTO: Helmut Matt

Lidhur me rolin e radios sot, Helmut Matt thotë:

"Radioja ka ndryshuar shumë. Shumë të rinj tani dëgjojnë radio në internet, dhe radioja klasike mbetet në sfond. Megjithatë, ajo mbetet një media e domosdoshme, veçanërisht për transmetimet radiofonike në gjuhë të huaja. Radio Bullgaria prezanton një vend që është pothuajse i panjohur për shumë njerëz dhe tregon pasurinë e tij kulturore dhe natyrore. Është e këndshme të ndiqen programet, por sipas mendimit tim, duhet t'i kushtohet edhe më shumë rëndësi muzikës popullore dhe zërave tradicionalë, dhe jo aq shumë muzikës pop, e cila tingëllon njësoj kudo."

Helmut Matt e përshkruan marrëdhënien e tij personale me radion si një pasion në vazhdim të shumë viteve:

"Radioja ka qenë me mua për më shumë se 50 vjet. I lejon dëgjuesit të krijojë imazhet dhe idetë e tij, ndryshe nga pamjet televizive të gatshme. Për mua, radioja është një pjesë e rëndësishme e jetës - pa të do të ndihesha bosh." 

Ekipi i Redaksisë së Gjuhës Gjermane së bashku me bashkëshorten e Helmut Matt, Linda

FOTO: Helmut Matt

Përveç gazetarisë, Helmut Matt merret edhe me letërsi. Ai thotë për poezitë e tij:

"Shkrimi është një art në të cilin gjuha, tingulli dhe ndjenjat ndërthuren. Gjuha është mjeti im i preferuar për të shprehur përvoja, mendime dhe emocione. Sidomos në radio, gjuha është thelbësore për të përcjellë mesazhin në mënyrë të gjallë dhe efektive."

Natyra e Bullgarisë la gjithashtu një përshtypje të pashlyeshme tek ai:

"Unë jetoj midis Breisgau dhe Schwarzwald /Pyllit të Zi/, por Bullgaria është një botë krejtësisht e ndryshme. Peizazhi i saj është më i egër, më romantik dhe më primitiv. Më bëri përshtypje veçanërisht Fusha Trake dhe malet Rilla, Pirin dhe Vitosha."

Pyetjes se si do ta përshkruante Bullgarinë me tre fjalë, Helmut Matt iu përgjigj:

"Trëndafila, shkronja cirilike dhe martenica – këto janë përshtypjet që më janë ngulitur më thellë në mendje."

Radio Bullgaria i shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë Helmut Mattit për bisedën dhe për përshtypjet e ndara mbi punën e tij, përvojat e tij në Bullgari dhe pikëpamjet e tij mbi letërsinë dhe radion. Librat dhe poezitë e tij zbulojnë një pamje shumështresore përtej horizontit gjermano-bullgar.

Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva