Autor
Diana Cankova
Artikull
Parku i arinjve në Belicë shpëton kafshët në vështirësi tashmë 25 vjet
Enjte 18 Dhjetor 2025 07:00
Enjte, 18 Dhjetor 2025, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Kalinka, Stefço dhe Malinka ecin me putrat mbi llamarinën e nxehtë, dhe lëvizjet e tyre konvulsive nga dhimbja njerëzit i perceptonin si kërcim. Për vite me radhë, të ashtuquajturat arinj kërcimtarë ishin atraksion. Kjo praktikë u ndërpre vetëm në vitin 2007 dhe viktimat e saj të fundit – u strehuan në parkun e themeluar për ta në Belicë.
Gjatë këtij viti, Parku i arinjve në qytetin e Rodopëve festoi përvjetorin e tij të 25-të. Vendi i mbrojtur, i cili jep mundësi për jetë të re kafshëve të shpëtuara, përfaqëson një projekt të përbashkët mes fondacioneve "Brigitte Bardot" dhe "Katër Putra". Sot, në mjedisin e tyre natyror, në një territor prej 12 hektarësh, shpëtim gjejnë shtatëmbëdhjetë arinj nga Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Çekia dhe Ukraina, tashmë të zhytur në gjumë të thellë dimëror.
FOTO: BTA
"Ideja për krijimin e parkut është të ngrejë ndërgjegjësimin për praktikën e dëmshme të arinjve kërcimtarë dhe nevojën për ndalimin e saj – kthehet te fillimi drejtuesi i tij Nikolla Popkostadinov. – Falë përpjekjeve të ekipit tonë, të gjitha kafshët që kanë jetuar në robëri janë blerë dhe gjejnë shtëpinë e tyre të re në park si banorët e parë. Përshtatja e tyre rezulton shumë e vështirë për shkak të jetës së rëndë që kanë pasur më parë. Ato kanë qenë të lidhura me zinxhir, nuk kanë pasur gjumë dimëror dhe regjime të sakta ushqimore, janë keqtrajtuar dhe rrahur, u janë nxjerrë thonjtë dhe dhëmbët, disa prej tyre madje kanë qenë të dehur. Çdo fillim është i vështirë, por falë kujdesit të fondacionit "Katër Putra" – mjekësor, regjimi ushqimor, pasurimi i mjedisit, trajnimet – përpiqemi të eliminojmë ose zvogëlojmë në maksimum stereotipet që ato marrin për shkak të rritjes dhe përdorimit për numra cirku ose atraksione. Kështu që është një proces jashtëzakonisht kompleks, por me hapa të ngadaltë dhe të sigurt arrijmë t’i bëjmë arinjtë të ndihen mirë."
"Ne i kemi quajtur "kërcimtarë", por në të vërtetë lëvizjet e tyre shkaktohen nga dhimbja."
FOTO: BTA
"Ky është një mit, arinjtë nuk kanë dhunti për të kërcyer – thotë Nikolla Popkostadinov. – Ata mësojnë thjesht për shkak të unazës së vendosur në hundë si pjesa më e ndjeshme e trupit. Ata përpiqen të parashikojnë çdo lëvizje të njeriut, i cili në dorën që mban harkun e gajdës mban edhe zinxhirin e tyre. Kështu duket sikur arinjtë përshtaten me ritmin e muzikës, por në të vërtetë përpiqen të drejtohen paraprakisht në drejtimin e caktuar për të mos përjetuar dhimbje."
FOTO: BTA
Sot në Belicë jetojnë gjashtë arinj të mëparshëm kërcimtarë – Marinka, Dana, Svetlla, Mima, Rada dhe Sejda e verbër, e shpëtuar nga Serbia, ku gjithashtu ka pasur një praktikë të ngjashme. Banorët e tjerë janë rritur në kopsht zoologjik me kushte larg habitatit të tyre natyror, në hapësira të ngushta ose nga pronarë të kafshëve të egra për kënaqësi si ariu Monti, që ka qëndruar në një dhomë hoteli në Çeki dhe është përdorur si atraksion.
Banorët më të rinj të parkut janë motër e vëlla shtatëvjeçarë, Frol dhe Frosia, me histori prekëse – në vitin 2020 u shpëtuan nga "Katër Putra" nga një restorant në Ukrainë, ku kishte një mini-kopsht zoologjik. Për shkak të kapacitetit maksimal të parkut Domazhir, ku më pas u strehuan, ata mbërrijnë në Bullgari.
FOTO: BTA
Parku i arinjve në Belicë është shumë popullor edhe mes turistëve, të cilët mund të shijojnë natyrën e bukur.
FOTO: BTA
"Për vitin e kaluar kemi pasur vizita dhe interes jashtëzakonisht të madh – thotë ai. – Sidomos në fundjavë dhe gjatë festave, parkut i duhet të presë shumë njerëz dhe ata duhet të presin gjatë. Jam i lumtur që tashmë funksionon qendra jonë informative, ku ata mund të kalojnë kohë të këndshme ndërsa presin për rrethin e ardhshëm. Fokusi kryesor është përvoja e re VR me titull "Shtëpia" – për herë të parë vizitorët mund të hyjnë në botën virtuale të një ariu, që fillimisht jeton i lirë dhe pastaj i merret mjedisi.
Përveç njohjes me historinë e arinjve kërcimtarë dhe misionin e "Katër Putra", njerëzit mund të ngjiten në tarracën tonë dhe të shohin panoramën jashtëzakonisht të bukur, ku nga njëra anë shihen Rilla dhe nga ana tjetër Pirini, si dhe pjesë e parkut dhe arinjtë."
Nikolla Popkostadinov këshillon të gjithë ne, kur jemi në natyrë, të mos kërkojmë kontakt me arinjtë, sepse janë kafshë teritoriale dhe mund të dëmtohemi.
FOTO: BTA
"Nëse mendojmë se mund të ketë arinj rreth e rrotull, është mirë të ndezim radio të fortë, të bëjmë zhurmë ose të flasim më lart, nëse jemi në grup – këshillon ai. – Në këtë mënyrë ariu do ta dijë nga larg që po afrohet njeri ose krijesë tjetër. Kështu ai kurrë nuk do të na sulmojë ose të na presë rrugën."
Drejtuesi i Parkut të arinjve në Belicë dërgon edhe mesazhin që të jemi të ndërgjegjshëm dhe të kujdesemi për çdo qenie të gjallë – veçanërisht për kafshët.
"Le të jemi zëri i tyre", shton ai.
Foto: BTA
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski