Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 19 Dhjetor 2025 19:55
Premte, 19 Dhjetor 2025, 19:55
Dobri Hristov (1875–1941)
FOTO: archives.government.bg
Madhësia e shkronjave
I quajtur “patrik i muzikës bullgare” dhe “kompozitor popullor”, kryemjeshtri Dobri Hristov (1875–1941) konsiderohet figura më e rëndësishme në kulturën muzikore bullgare gjatë dekadave të para të shekullit të XX-të. Krijimtaria e tij qëndron në themelet e muzikës klasike vendase, ndërsa si studiues ai vendosi bazat e pedagogjisë muzikore bullgare dhe të folkloristikës bullgare.
Rruga e tij është tipike për të gjithë brezin e muzikantëve të periudhës pas Çlirimit. Drejt krijimtarisë dhe shkencës muzikore ai u nis praktikisht nga e para. I mungonin si një mjedis familjar apo shoqëror, që të kultivonte zakone muzikore, ashtu edhe mësues, mentorë dhe mbështetës të përshtatshëm. Por ndjenjën e thellë dhe të brendshme të misionit të tij Dobri Hristov e mbarti që nga fëmijëria dhe e përshkruan në “Shënimet Autobiografike” të tij: “Babai im nuk e donte muzikën, por nëna ime qante dhe qeshte përmes saj… Unë dëgjoja dhe u ushqeva me këngë. Në moshën 8-10 vjeçare, tashmë e ushqeja këtë ndjenjë përmes muzikës ushtarake që luhej në sheshin e qytetit ose në fushë… Më dërgonin me para për ndonjë blerje, por unë humbja veten në muzikë, dyqanet mbylleshin dhe unë kthehesha në shtëpi pa blerjen. Kjo ishte në Varna, qytetin tim të lindjes.” Kështu, Dobri Hristov tregon ëndrrën e tij të fëmijërisë për t’u bërë dirigjent i një orkestre ushtarake.
Shtëpia ku jetonte Dobri Hristov në Varna, e shembur në vitin 1959
FOTO: Arkivi Shtetëror – Varna
Të atin e tij Hristo Ivanov – një gëzofpunues të varfër, ai e quan “një bullgar të fortë… i cili që kur ishte fëmijë u largua nga qyteti i lindjes, Kazanllëk”. Hristo ishte një patriot i zjarrtë dhe i biri kujton se mjaftonte të jepte komandën “një-dy”, dhe fëmijët e tij pa pritur “tre” fillonin të këndonin “Buçet Marica”, “Zjarri u ndez në mal”, “Fryn era…” dhe “këngë të tjera patriotike të asaj kohe, të dashura për ne”.
Përmes nënës së tij, Dobri Hristov hyri në botën e mistershme të folklorit: "Unë e dëgjoja tërësisht magjepsur nga zëri i saj i butë dhe këngët e saj të trishta, përmbajtjen e të cilave, për të qenë i sinqertë, nuk e kuptoja, por magjia e melodive të tyre më ndikonte fuqishëm që nga vitet e hershme të fëmijërisë." Kompozitori nuk sqaron se çfarë melodish ishin këto, por përmend se nëna e tij njihte edhe gjuhën turke dhe e pëlqente të këndonte këngë të trishtueshme turke. Dekada më vonë, nxënësi i Antonín Dvořák nga Konservatori i Pragës, do të shkruante në një nga artikujt e tij më të njohur dhe më të cituar, me titull “Muzika jonë popullore”: "Ai që nuk ka mësuar të dojë para së gjithash vendin e vet nuk do të jetë gati për dashurinë universale… Këshilla ime e përhershme për të gjithë këngëtarët e rinj dhe krijuesit muzikorë është, që të duan këngët dhe muzikën e të parëve tanë dhe të përpiqen përmes formave artistike ta bëjnë atë me vlerë universale. Sepse, siç është thënë: “Muzika artistike që rrënjoset thellë në atë popullore ka vlerë universale, dhe sa më thellësisht kombëtare të jetë një muzikë, aq më ndërkombëtare është ajo."
Kjo sentencë estetiko-artistike tingëllon si një aksiomë për formimin e shkollës profesionale bullgare të kompozitorëve. Për Dobri Hristov, ajo është një besim i thellë.
Bust-monumenti i Dobri Hristovit në Varna
FOTO: Facebook/dobrihristovfound
Si pedagog, dirigjent, studiues dhe drejtues i institucioneve të njohura muzikore, Dobri Hristov njihet për dashurinë e tij ndaj artit vokal dhe për kontributin e madh në veprimtarinë korale në Bullgari. Mes kryeveprave të tij të parë koralë janë këngët e njohura “Liljana, vajza e bukur” dhe “Vajzat e bukura nga Zheravna”, krijuar në fund të shekullit të XIX-të. Pas kthimit nga Praga në vitin 1903, ai zhvilloi këngë bullgare nga Maqedonia, të cilat i konsideronte më të përshtatshme për përpunime autorësie me mjete të harmonisë klasike. Shumica e tyre, të shkruara për kor mashkullor, u botuan në vitin 1923 në koleksionin “Këngë maqedonase”, ndërsa një nga më të dashurat dhe më të interpretuarat mbetet “Moj Dafino – verë e kuqe”, e njohur edhe më sot në interpretimin e Korit Mashkullor “Guslla”.
Kryeveprat e kompozitorit Dobri Hristov janë të ngjashëm në tingull me përpunimet popullore. Për Kishën Ortodokse Bullgare ai krijoi dy liturgji, të cilat u bënë klasike. Po ashtu gëzojnë popullaritet miniaturat e tij solistike, të shkruara për tenorin e njohur bullgar Konstantin Mihajllov-Stojan. Mbi 600 janë këngët e tij shkollore për fëmijë.
Krijimtaria muzikore e Dobri Hristovit – laike dhe sakrale – për më shumë se një shekull zë një vend qendror në repertorin e koreve bullgare. Por një vepër është emblemike. Shpesh e quajtur “Lavdi për koret bullgare”, “Kënga e Atdheut” është himni i artit tonë koral. Teksti është i shkurtër dhe frymëzues: “Kënga e atdheut na lidh përjetësisht”. Këtë kryevepër të padiskutueshme bullgare e rikujtojmë në interpretimin e Korit të Përzier të Radios Kombëtare Bullgare, nën drejtimin e Mihaill Millkovit.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova