POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 20 Dhjetor 2025, 05:30

Rexhep Erdogan

Rexhep Erdogan

FOTO: trtworld.com

Madhësia e shkronjave

Turqia u bën thirrje Rusisë dhe Ukrainës të mos sulmojnë anijet civile në Detin e Zi


“Duke respektuar rreptësisht Konventën e Montrosë, ne e kemi frenuar përhapjen e luftës në Detin e Zi, por ditët e fundit sulmet e ndërsjella po shndërrohen në një kërcënim serioz për sigurinë në Detin e Zi. Ne po u drejtojmë paralajmërime të qarta të dyja palëve”, deklaroi presidenti turk Erdogan në një fjalim para ambasadorëve të vendit.


Ministri i Jashtëm Hakan Fidan tha përpara TRT World se rreziqet për sigurinë në Detin e Zi kanë filluar me mina detare lundruese, të cilat kanë kërcënuar lundrimin në Bosfor dhe Dardanele. Fidani theksoi se ushtria turke po punon në bashkëpunim të ngushtë me partnerët rajonalë, Rumaninë dhe Bullgarinë, për të menaxhuar rreziqet në rritje për navigimin dhe paralajmëroi se “përshkallëzimi rajonal është shumë i rrezikshëm dhe mund të mos mbetet këtu, por të përhapet në pjesë të ndryshme të Evropës”.

Nikos Christodoulides

FOTO: AP/BTA

Nikozia ftoi Ankaranë për dialog të drejtpërdrejtë mbi çështjen qipriote


Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, e ftoi presidentin turk Erdogan për një takim mbi çështjen qipriote, duke demonstruar gatishmëri për rinisjen e dialogut. Në një intervistë të gjerë për gazetën Le Figaro, Christodoulides deklaroi se është i gatshëm të takohet me Erdoganin “nëse Turqia është e gatshme”, duke theksuar se diplomacia dhe negociatat mbeten e vetmja mundësi për të kapërcyer ndarjen shumëvjeçare të ishullit.


Ai e vlerësoi si pozitiv faktin që udhëheqësi i ri i turqve qipriotë nuk ka mbështetur publikisht një zgjidhje mes dy shteteve dhe përsëriti se e vetmja kornizë e qëndrueshme mbetet federata dykombëshe e parashikuar nga OKB-ja. Ai rikujtoi se Turqia mbetet i vetmi shtet që nuk e njeh Qipron, pavarësisht anëtarësimit të të dyja vendeve në organizata ndërkombëtare dhe ambicieve të Ankarasë për t’u anëtarësuar në BE.

FOTO: tovima.com

Athina i bëri thirrje Shkupit t’i përmbahet emrit Maqedonia e Veriut


“Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, e cila e zgjidhi mosmarrëveshjen me Greqinë për emrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është pjesë e kushtetutës në Shkup dhe është plotësisht e detyrueshme për të dyja palët, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, transmeton ANA-MPA.


Nga Athina theksojnë se “në marrëveshjet ndërkombëtare nuk ekzistojnë situata de facto; zbatimi i tyre është i njëjtë dhe universal. Përparimi i marrëdhënieve dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe vazhdimi pa pengesa i procesit të anëtarësimit të vendit në BE kërkojnë respektim të rreptë të marrëveshjeve dhe respektimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.


Deklarata është një përgjigje ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili tha se në praktikë ka rikthyer përdorimin e emrit “Maqedoni” në planin e brendshëm.

Aleksandar Vuçiç

FOTO: AFP

Karrigia e Serbisë në Bruksel mbeti bosh


BE-ja e e mirëpret Serbinë për faktin se integrimi evropian mbetet qëllimi i tij strategjik, por theksoi se Beogradi duhet ta dëshmojë më qartë këtë orientim me veprime konkrete dhe mesazhe politike, raportoi televizioni serb N1. Kjo thuhet në përfundimet e mbledhjes së fundit për vitin 2025 të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bruksel, ku theksohet se për momentin nuk do të hapet një klaster i ri i negociatave të anëtarësimit. Dokumenti nënvizon gjithashtu nevojën që Beogradi të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.


Për shkak të bllokimit të negociatave me BE-në, presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk shkoi në Bruksel për samitin vjetor BE–Ballkani Perëndimor. Ministri për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviç, deklaroi se në këtë mënyrë Vuçiç e ka “mbrojtur dinjitetin e popullit tonë”.

FOTO: aa.com.tr

Për të dytin vit radhazi, Sllovenia zgjat masat e përkohshme të kontrollit kufitar


Sllovenia e zgjati kontrollin e përkohshëm kufitar, të vendosur më 21 tetor 2023, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë edhe për 6 muaj të tjerë – deri më 21 qershor 2026, njoftoi 24ur.com. Në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë, policia do të kryejë kontrolle për të parandaluar terrorizmin, ekstremizmin dhe forma të tjera të kriminalitetit. Autoritetet sllovene sigurojnë se masat nuk do të ndikojnë negativisht te banorët e zonave kufitare, te lëvizja e udhëtarëve, te transporti ekonomik dhe te mjedisi.


Sllovenia vendosi ta zgjasë kontrollin kufitar për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë së brendshme që lidhen me Lojërat Olimpike Dimërore në Itali, kërcënimeve terroriste dhe krimit të organizuar, rrezikut që terroristët të përzihen me migrantët, kërcënimeve hibride nga Rusia dhe Bjellorusia, si dhe paqëndrueshmërisë në shtetet fqinje të BE-së.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello