POLITIKË

Artikull

Vendet e BE-së në Ballkanin Lindor forcojnë marrëdhëniet e tyre në vitin 2025

Bullgaria në Ballkan – Pjesa e parë:

Hënë, 29 Dhjetor 2025, 07:00

Vendet e BE-së në Ballkanin Lindor forcojnë marrëdhëniet e tyre në vitin 2025

FOTO: mediamall.info

Madhësia e shkronjave

Në prag të Vitit të Ri, kur e dërgojmë vitin 2025 në histori, Radio Bullgaria kërkoi mendimin e gazetarëve dhe ekspertëve mbi ngjarjen më të rëndësishme në cepin juglindor të Evropës, të vlerësuar përmes marrëdhënieve dypalëshe midis Bullgarisë dhe fqinjëve të saj.

Bullgaria dhe Greqia konfirmuan përfundimin e të gjitha reparacioneve pasluftës

Në kushtet e veprimeve të intensifikuara ushtarake në Detin e Zi, vendet e BE-së – Bullgaria, Rumania dhe Greqia, si dhe Turqia, si shtet aleat i NATO-s, po punojnë në bazë bilaterale dhe multilaterale për ruajtjen e paqes dhe mirëkuptimit në Ballkanin Lindor. Në këtë sfond, Prof. Jura Konstantinova nga Instituti i Ballkanistikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave thekson si ngjarjen më të rëndësishme në marrëdhëniet bullgaro-greke gjatë vitit 2025 faktin që Athina dhe Sofja deklaruan së bashku se tashmë nuk kanë kërkesa dhe detyrime të ndërsjella për reparacione, që rridhnin ende nga dy luftërat botërore të shekullit XX. Nga Athina, ku punon mbi librin e saj më të ri për marrëdhëniet greko-bullgare, Prof. Konstantinova deklaroi për Radio Bullgarinë.

Prof. Jura Konstantinova

FOTO: balkanstudies.bg

“Sipas mendimit tim, ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe bullgaro-greke gjatë vitit 2025 është nënshkrimi më 2 maj i një deklarate të përbashkët, me të cilën Bullgaria dhe Greqia konfirmojnë se më 9 korrik 2024 ka skaduar afati 60-vjeçar i detyrimit të palës bullgare për t’i furnizuar palës greke ujë të rregulluar nga lumi Arda. Le të kujtojmë se ky detyrim bullgar rrjedh nga marrëveshja e nënshkruar më 9 korrik 1964 për zgjidhjen e çështjeve financiare dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis atëherë Republikës Popullore të Bullgarisë dhe Mbretërisë së Greqisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje pala bullgare ka paguar reparacione që datojnë që nga Lufta e Parë Botërore deri në Luftën e Dytë Botërore, përfshirë edhe pretendimet e ndërsjella të lindura para nënshkrimit të marrëveshjes. Kështu, për një periudhë prej 60 vitesh Bullgaria i ka furnizuar Greqisë ujë nga lumi Arda për nevojat ujitëse të bujqësisë greke në sasinë prej 186 milionë metra kub në vit”, thotë studiuesja.

Deklarata e përbashkët e nënshkruar më 2 maj 2025 konfirmoi se ky detyrim bullgar është përmbushur. Me të njëjtën deklaratë, Bullgaria merr përsipër një angazhim gjatë 5 viteve të ardhshme për të vazhduar furnizimin e palës greke me ujë nga lumi Arda, por në një vëllim sipas parametrave dhe sipas një orari të rënë dakord mbi bazën e një tarife vjetore, kujton profesorеsha.

Lumi Arda pasi kalon nëpër digën e "Ivajllovgradit"

FOTO: REUTERS

Në vitin 2026, Prof. Konstantinova pret të shohë se cilët do të jenë hapat praktikë për zbatimin e të ashtuquajturit bosht vertikal, i cili duhet të lidhë Detin Egje dhe Detin e Zi. Një memorandum i nënshkruar në Bruksel midis Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë në fund të vitit 2025 hap mundësi për planifikim, financim dhe ndërtim të përshpejtuar të objekteve të reja hekurudhore, rrugore, ujore dhe energjetike që lidhin të tre vendet. Pavarësisht vullnetit të shprehur politik për veprime konkrete, Prof. Jura Konstantinova deklaroi se nuk do të angazhohej të parashikonte nëse kjo do të çonte në hapjen e pikës së re kufitare të ndërtuar tashmë, por që mbetet e mbyllur, midis Rudozemit dhe Ksanthit.

Rumania, Bullgaria dhe Greqia fillojnë lidhjen strategjike

"Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Rumanisë kanë qenë në një trend rritës dhe nuk është rastësi që në vitin 2023 ato u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik", thotë gazetari dhe analisti Vlladimir Mitev nga Redaksia e Gjuhës Rumune e Radio Bullgarisë , gjithashtu autor i blogut "Ura e Miqësisë".

Vlladimir Mitev

FOTO: arkiv personal

"Vitin e kaluar, një hap i rëndësishëm ishte pranimi i plotë i të dy vendeve në zonën Shengen, dhe këtë vit, ajo që më duket më e rëndësishme vjen përsëri në fund të vitit - më 3 dhjetor, në Bruksel u nënshkrua një memorandum midis Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, i cili parashikon zhvillimin e korridorit të transportit midis Detit të Zi dhe Detit Egje, dhe kjo nga pala bullgare, dhe në rajon në përgjithësi, shihet si një përparim, pasi planifikohen ura të reja. Planifikohet një zhvillim më domethënës dhe sistematik i të gjitha llojeve të lidhjeve infrastrukturore, dhe ky ndoshta do të jetë hapi tjetër përpara në marrëdhëniet në rajonin tonë, të cilin do ta vëzhgojmë vitin e ardhshëm", thotë Mitev dhe vazhdon:

Pamje drejt urës së ardhshme në Giurgiu-Ruse, disa kilometra nga ajo aktuale. (Vizualizimi Ivan Bellçev)

FOTO: friendshipbridge.eu

“Nuk shoh asgjë kaq të çuditshme që do të ketë një urë të dytë pranë Ruses, edhe pse tashmë ekziston një, pasi ajo ekzistuese është aktualisht mjaft e mbingarkuar, dhe tendenca për vite me radhë ka qenë që trafiku të rritet, veçanërisht pasi u bashkuam me zonën Shengen. Mendoj se Rumania dhe Bullgaria kishin një mosmarrëveshje për një kohë të gjatë, jo shumë të komentuar në media, por fqinji ynë verior kishte pretendime se Bullgaria nuk po e thellonte dhe pastronte mjaftueshëm Danubin dhe se duhej t'i bashkohej projektit FAST Danube 2, gjë që ndodhi gjithashtu në vitin 2025. Nga ana bullgare, midis qarqeve që po përpiqen të çojnë përpara projektet e infrastrukturës, kishte një pakënaqësi të caktuar se Rumania po shtynte dhe vononte vazhdimisht. Ne shohim se tani në fund të vitit gjërat po rregullohen. Ndoshta kjo për shkak të faktit se partnerët tanë euroatlantikë duan vërtet që infrastruktura në rajon të zhvillohet, dhe në këtë rast kjo funksionon në dobi të të gjithëve", shton Vlladimir Mitev.

Përmbledhja e marrëdhënieve të Bullgarisë me fqinjët e saj ballkanikë gjatë vitit 2025 vazhdon më 30 dhjetor me komentet për ngjarjet më të rëndësishme në planin dypalësh me Turqinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat i japin gazetari Mehmed Yumer, dr. Biser Bançev dhe doajeni i komunitetit mediatik bullgar në Maqedoninë e Veriut, Vlladimir Perev.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva