LAJME

Artikull

Mungesa e buxhetit të rregullt për 2026 pengon modernizimin e ushtrisë

Hënë, 22 Dhjetor 2025, 12:40

Mungesa e buxhetit të rregullt për 2026 pengon modernizimin e ushtrisë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Rrezikon të dështojë projekti për radarë të rinj tre-dimensionesh nga Franca, për shkak të mungesës së buxhetit të rregullt për vitin 2026. Në Facebook, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen, Hristo Gaxhev, shkruan se nëse kontrata nënshkruhet në vitin 2026, Bullgaria do të humbë afatet për prodhimin, gjë që do të çojë në vonesa prej vitesh në realizimin e marrëveshjes.

“Do të dështojë edhe furnizimi me komplekse të reja raketore bregdetare”, shton Gaxhev. Paralajmërimi i SHBA-së për nënshkrimin e marrëveshjes skadon në shkurt 2026. “Me buxhet të zgjatur dhe qeveri teknike nuk ka mundësi të nënshkruhet kontrata, dhe ajo mbetet nën pikëpyetje. Si rrjedhojë, do të duhet të kërkojmë ofertë të re, që tashmë do të ketë çmim më të lartë dhe vonesë në kohë”, paralajmëron Gaxhev.

Projektet SAFE për financim nga BE-ja janë gjithashtu pothuajse të dështuara, edhe pse plani bullgar u vlerësua pozitivisht nga Komisioni Evropian.

Sipas Hristo Gaxhevit, propozimi për indeksim të pagave, pa rritje të të ardhurave, mund të realizohet vetëm nëse reduktohen vendet e parashikuara për punësime të reja ushtarake në vitin 2026.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova