LAJME

Artikull

BE-ja ndaloi 9.45% të pagesës së tretë nga Plani i Rimëkëmbjes i Bullgarisë

Martë, 23 Dhjetor 2025, 09:37

BE-ja ndaloi 9.45% të pagesës së tretë nga Plani i Rimëkëmbjes i Bullgarisë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Komisioni Evropian ndaloi përkohësisht 152 896 496 euro nga pagesa e tretë në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (PKRQ) të Bullgarisë, njoftoi BNR, duke iu referuar burimeve diplomatike. Pagesa e tretë e kërkuar nga Bullgaria është 1 618 592 629 euro. Sipas Komisionit Evropian, vendi nuk i ka përmbushur në mënyrë të kënaqshme reformat e parashikuara në planin kombëtar. Nuk është përditësuar Komisioni Antikorrupsion dhe nuk kanë hyrë në fuqi rregullat për procedurën penale, llogaridhënien dhe përgjegjësinë penale të prokurorit të përgjithshëm.

Më 1 dhjetor, Komisioni e informoi Bullgarinë për vlerësimin e tij. Autoritetet kishin një muaj kohë për t’i paraqitur Brukselit vërejtjet e tyre. Më 3 dhjetor, pala bullgare e njoftoi Komisionin Evropian se nuk kishte vërejtje të tilla.

Shlyerja e 152 milionë eurove të ndaluara aktualisht do të bëhet kur Bullgaria t’i përmbushë në mënyrë të kënaqshme dy etapat kyçe. Sofja ka një afat prej 6 muajsh për ta bërë këtë.

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova