SHOQËRI

Artikull

Patriarku Daniil: “Të fitojmë shpirtin paqësor të Krishtit për shpëtimin tonë”

Mërkurë, 24 Dhjetor 2025, 18:00

Patriarku bullgar Daniil

Patriarku bullgar Daniil

FOTO: Patrikana Bullgare

Madhësia e shkronjave

Në prag të Lindjes së Krishtit dhe ardhjes së vitit 2026, Shenjtëria e Tij Daniil – Patriarku bullgar dhe Mitropoliti i Sofjes – bëri thirrje për dashuri Krishti midis njerëzve, pajtim mes të armiqësuarve, shërim të njerëzve të vuajtur dhe besim në virtytet e krishtera si një rrugë për kapërcimin e krizave dhe pasigurisë së sotme. “Krishti lind, le ta lavdërojmë”, tha Shenjtëria e Tij në mesazhin e tij të Krishtlindjes.

“Me nderim dhe me habi qëndrojmë para misterit të madh të mishërimit të Birit të Perëndisë. Sot kryhet një mister i mrekullueshëm dhe i lavdishëm. Rinohet natyra dhe Perëndia bëhet njeri. Perëndia e padukshme merr trajtë njerëzore, i Pafundmi mbështillet në pelena. Ai, froni i të cilit është qielli, vendoset në grazhd. I pagabueshmi vesh natyrën njerëzore, të dëmtuar nga mëkati, për ta shenjtëruar dhe për t’ia kthyer pastërtinë e saj parajsore.

Perëndia erdhi dhe na gjeti ne, të humburit në humnerën e mosbesimit dhe kotësisë, dëshpërimit, dobësisë, armiqësisë, shkatërrimit. Perëndia u bë njeri dhe e shëroi njeriun. Ai na tregoi kush jemi – njerëz të Krishtit, bij të Perëndisë, njerëz qiellorë. Ai na tregoi edhe rrugën që na çon drejt Tij, që të jemi bijtë e Tij – rrugën e dashurisë së përulur, të sinqertë dhe të gatshme për sakrificë. “Një urdhër të ri po ju jap: ta doni njëri-tjetrin; ashtu siç ju desha unë, edhe ju të doni njëri-tjetrin”, citon Patriarku Daniil fjalët e Krishtit nga Ungjilli sipas Joanit.

“Në ditët e shqetësimeve dhe pasigurisë, të armiqësive, luftërave dhe përçarjes, në të cilat jetojmë, le të përpiqemi që në fytyrën e vëllezërve dhe motrave tona gjithmonë të zbulojmë shëmbëlltyrën e Krishtit, sepse Krishti-Perëndi është me ne. T’i duam me dashurinë e Krishtit, sepse Ai na dha një shembull të tillë. T’u falim, ashtu si Krishti fal mëkatet tona të panumërta. Të tregojmë mëshirë, ashtu si Ai tregon bujarinë e Tij të pafundme ndaj nesh. Të fitojmë shpirtin paqësor të Krishtit për shpëtimin tonë dhe të shërbejmë kështu për shpëtimin e shumëkujt”, theksoi më tej Patriarku bullgar dhe u uroi të gjithëve një Vit të Ri 2026 të paqtë, të shëndetshëm dhe shpëtimtar.

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva