POLITIKË

Artikull

Të drejtat civile në fokus në marrëdhëniet me Turqinë, Serbinë dhe RMS

Bullgaria në Ballkan – Pjesa e dytë

Martë, 30 Dhjetor 2025, 07:00

Të drejtat civile në fokus në marrëdhëniet me Turqinë, Serbinë dhe RMS

FOTO: Kolazhi - Ivan Petrov

Madhësia e shkronjave

Përmbledhja e marrëdhënieve dypalëshe të Bullgarisë në Ballkan në vitin 2025 vazhdon me një vështrim mbi Turqinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut – vende në të cilat ka diaspora bullgare të formuara historikisht, të cilat sot mbështeten në diplomacinë aktive nga pala bullgare për të ruajtur paqen, integrimin evropian, por edhe për të mbrojtur të drejtat civile. Me veprimet ushtarake në rritje në Detin e Zi, vendet fqinje të BE-së, Bullgaria, Rumania dhe Greqia, po punojnë në mënyrë aktive për të ruajtur paqen dhe mirëkuptimin në Ballkan, për të ndërtuar autostrada rrugore dhe energjetike përgjatë boshtit veri-jug. Prandaj, Turqia, si një aleate e NATO-s, është gjithnjë e më e vlefshme për konsolidimin e arkitekturës së paqes në rajon.

Do të nevojitet diplomaci aktive për ndryshimin e marrëveshjes së gazit me BOTAŞ.

Ankaraja po shndërrohet në një partner gjithnjë e më të rëndësishëm strategjik për BE‑në dhe aleatët perëndimorë.

Mehmet Yumer

FOTO: BTA

“Sado i pakëndshëm të jetë, Erdogan është një faktor i pashmangshëm për partnerët e tij evropianë. Nga kjo pikëpamje, kjo vlen plotësisht edhe për Bullgarinë – Sofja ndjek një sjellje të qëndrueshme në politikën e saj ndaj Ankarasë. Qeveritë ndryshojnë, por linja mbetet e qëndrueshme, pa kthesa të mprehta. Gjatë vitit që po mbaron, ajo që bëri përshtypje dhe u dallua ishte mbrojtja e të drejtave të njeriut. Sepse në Turqi gjendja e respektimit të tyre vërtet po përkeqësohet,” – komenton për Radio Bullgarinë Mehmet Yumer, gazetar nga faqja obzornews.bg.

Në këtë sfond, ai thekson vizitën e kryetarit të Bashkisë së Sofjes, Vasill Terziev, në Silivri, për të mbrojtur kryetarin e arrestuar të Stambollit, Ekrem Imamoglu.


Vasill Terziev

FOTO: Facebook/VassilTerzievZaSofia

“Terziev atëherë tha se burgu i Silivrisë nuk mban vetëm të burgosur kryetarin e Stambollit, por edhe vullnetin e miliona qytetarëve turq. Kjo ishte një nuancë shumë e fortë në marrëdhëniet mes të dy vendeve,” thekson Yumer dhe kujton se paraqitja e kryetarit të Bashkisë së Sofjes ka qenë një aksion i përbashkët me rrjetin e metropoleve të mëdha evropiane Eurocities. Sofja përmbahet nga reagimet publike të pavarura në lidhje me të drejtat e njeriut në Turqi, ruan marrëdhënie të mira me fqinjin tonë juglindor dhe, nga ana tjetër, Bullgaria vazhdon të balancojë qëndrimet evropiane ndaj Turqisë – përmbledh Mehmet Yumer.

Në terma ekonomikë, ngjarja e vitit midis Bullgarisë dhe Turqisë është saga e kontratës së furnizimit me gaz midis kompanisë shtetërore turke BOTAŞ dhe kompanisë bullgare Bulgargaz, beson vëzhguesi. "Ajo që la si ndjesi e gjithë mosmarrëveshja është se në një farë mënyre "Bullgaria mund të jetë duke paguar për atë që nuk mund të konsumojë", thotë Ymer dhe beson se “Turqia duhet të tregojë vullnet edhe për këtë kontratë. Nëse do ta bëjë këtë, është çështje diplomacie" dhe shfaqjes së realiteteve të tjera në vitin 2026.

Pakica bullgare, në tërësi, nuk iu bashkua protestave serbe

Viti 2025 në Serbinë fqinje u dominua nga protesta civile të drejtuara kundër qeverisë. Si pozicionohet komuniteti bullgar në vend, i përqendruar në rajonet më lindore, shpesh të përcaktuara si rajonet më të varfra të shtetit serb?

Biser Bançev

FOTO: BNR

“Në parim, komunitetet kombëtare në Serbi, në nivel drejtuesish, janë të kontrolluara fort nga shteti serb. Kjo është një traditë që nga Jugosllavia mbretërore,” komentoi dr. Biser Bançev, studiues në Institutin e Ballkanistikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, lidhur me protestat qytetare në Serbinë fqinje gjatë vitit 2025. Në përgjithësi, protestat nuk prekën bërthamën e pakicës bullgare. Këshilltarët komunalë dhe aktivistët e partive politike, në thelb, ndoqën modelin e diktuar nga partitë e tyre. Aktivistët e partive opozitare mbështetën protestën, por ata nuk janë aq të shumtë. Ndërkohë, aktivistët lokalë të koalicionit qeverisës mbështetën presidentin Aleksandar Vuçiç. …Bullgarët në Serbi, të cilët kanë vuajtur shumë nga Beogradi, këtë herë nuk u mashtruan dhe nuk u përfshinë në mënyrë masive në protesta,” sepse nuk presin që të jenë të mundshme ndryshime në politikën shtetërore ndaj komuniteteve etnike, pavarësisht se kush është në pushtet, shpjegon studiuesi.

Protestë e heshtur nga qytetarët e Caribrodit në kujtim të viktimave të tragjedisë në Novi Sad

FOTO: FB/internet.portal.far

Ai e cilëson si “qesharake” përpjekjen e presidentit Aleksandar Vuçiç për t’i bashkëngjitur Bullgarinë një “aleance ushtarake antisërbe” mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në fakt rezulton se kjo as nuk është aleancë, as nuk është ushtarake, por është një marrëveshje e thjeshtë për bashkëpunim ushtarako‑teknik. Është aq absurde, saqë madje shkakton habi edhe mes diplomatëve bullgarë,” shton Biser Bançev në një intervistë për Radio Bullgarinë lidhur me temat e rëndësishme në aspektin dypalësh gjatë këtij viti dhe pritshmëritë për vitin 2026.

Tragjedia në Koçan është ngjarja që bashkoi Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vlladimir Perev

FOTO: BGNES

“Koha që kalon mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk mund të matet me vite. Masa është e papërshtatshme,” thotë për Radio Bullgarinë gazetari Vlladimir Perev. Nga kambanaria e të tetëdhjetave të tij, ai i sheh marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit në dritën e çështjes ende të pazgjidhur për të drejtat e njeriut të bullgarëve maqedonas. 

“Në çdo rast, një ngjarje pozitive e vitit, për fat të keq, ishte tragjedia në Koçan, ku 63 të rinj humbën jetën në një zjarr katastrofik në një diskotekë. E gjithë bashkësia evropiane ofroi dhe siguroi ndihmë. Por ndihma e Bullgarisë dhe veçanërisht e popullit bullgar ishte e paçmuar. Këtu nuk flasim vetëm për ambulancat apo avionin mjekësorë. Flasim për përkushtimin e të gjithë shoqërisë bullgare për të pranuar të plagosurit nga Koçani dhe të afërmit e tyre si mbështetje për trajtimin e tyre. Kjo u bë një shembull i qartë i solidaritetit dhe bashkimit të popullit në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Radhët e gjata, të pafundme të dhuruesve vullnetarë të gjakut para spitalit ‘Pirogov’ flisnin për unitetin e pandashëm të fatit të njerëzve të lidhur me gjak, familjarisht dhe miqësisht,” tha Perev për Radio Bullgarinë. 


Aksion për dhurimin e gjakut në Sofje për të ndihmuar viktimat e tragjedisë së Koçanit

FOTO: redcross.bg

Duke u kthyer te tema e të drejtave të njeriut, gazetari rendit aksionet mbi një shekull të bullgarëve nga Maqedonia për ta njohur botën me shkeljet e të drejtave të tyre të njeriut në ish‑Jugosllavi. Si vazhdim i këtyre peticioneve, ai përshkruan edhe vizitën në tetor të vitit 2025 të një grupi të vogël, të udhëhequr personalisht prej tij, në Këshillin e Evropës. Në Strasburg, së bashku me Georgi Cërnomarov dhe Hristijan Pendikov,  ata i kanë njohur përfaqësuesit evropianë me realitetet në Maqedoninë e Veriut të sotme.

 

Lexoni më shumë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva