LAJME

Artikull

Parashikimi i motit për 25 dhjetorin 2025

Ditën e Krishtlindjes ka paralajmërim për reshje bore dhe shiu në të gjithë vendin

Mërkurë, 24 Dhjetor 2025, 19:35

Bora e parë

Bora e parë

FOTO: Dançe Bozaxhieva

Madhësia e shkronjave

Të enjten, temperaturat minimale do të jenë nga minus 1 deri në 4°C. Gjatë ditës, ftohja do të vazhdojë dhe temperaturat rreth orës 14:00 do të jenë nga minus 4°C në zonat veriperëndimore deri në 5–7°C në juglindje. Për Sofjen, temperatura do të ketë një luhatje të vogël ditore, deri në 2°C.

Që gjatë natës, shiu në pjesën veriperëndimore të vendit, në rripin kodrinor verior të malit Stara Pllanina dhe në fushat e larta të Bullgarisë Perëndimore do të shndërrohet në borë. Në kalimet malore të Malit Stara Pllanina do të ketë grumbullime bore dhe stuhi dëbore. Gjatë ditës, borë do të bjerë edhe në pjesët qendrore të Bullgarisë Veriore dhe në rajonin Ludogorie. Grumbullime bore dhe formim i shtresës së borës do të ketë edhe në rrugët malore të larta të Bullgarisë Jugore.

Në zonat e tjera, reshjet do të jenë në formë shiu. Në pjesët qendrore veriore dhe verilindore të vendit do të ketë kushte edhe për ngrica në rrugë. Në shumë zona, kryesisht në gjysmën perëndimore të vendit, priten reshje të konsiderueshme si sasi. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga lindja–verilindja.

Në bregdetin e Detit të Zi moti do të jetë me vranësira dhe me shi. Do të fryjë erë e fortë nga verilindja. Temperaturat maksimale të ajrit do të jenë 7–9°C. Temperatura e ujit të detit është 11–12°C. Deti do të jetë i trazuar, me dallgëzim 4–5 ballë.

Në male moti do të jetë me vranësira dhe me reshje të dendura bore. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga lindja–juglindja. Në kalimet malore do të ketë kushte për stuhi dëbore dhe grumbullime bore. Temperatura maksimale në lartësi 1200 m mbi nivelin e detit do të jetë rreth minus 1°C, ndërsa në 2000 m rreth minus 3°C.

Të premten, në ditën e dytë të festës së Krishtlindjes, vranësirat do të mbeten kryesisht të dendura. Era do të dobësohet dhe do të fryjë nga veriperëndimi. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet minus 5 dhe 0°C, ndërsa maksimalet ndërmjet 1 dhe 6°C.

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova