TURIZËM

Artikull

Suksese, por edhe ndjesi pasigurie – prapaskena e turizmit në vitin 2025

Mërkurë, 31 Dhjetor 2025, 06:55

Suksese, por edhe ndjesi pasigurie – prapaskena e turizmit në vitin 2025

FOTO: visitbulgaria.com

Madhësia e shkronjave

Stabilitet, një rritje e lehtë, por edhe ndjeshmëri ndaj çdo tronditjeje të jashtme përshkruajnë pamjen e turizmit bullgar gjatë vitit 2025 që po mbyllet. Ende nuk kemi të dhënat përfundimtare vjetore për sektorin. Megjithatë, industria raporton një vit të qetë dhe të suksesshëm në sfondin e turbullirave politike dhe pikëpyetjeve rreth anëtarësimit tonë në Eurozonë. Sipas ekspertit të turizmit Konstantin Zankov, rritjet në sektor ndryshojnë shumë – nga 2% deri në 15%. Por këto shifra duhet të shqyrtohen me kujdes:

“Disa destinacione shënojnë edhe rritje prej 10–15%. Kur shohim Shabllën, në bregdetin verior të Detit të Zi, dhe Bellogradçikun, në Bullgarinë Veriperëndimore – aty mund të ketë rritje të mëdha. Megjithatë, kur shohim kapacitetet e mëdha akomoduese, për shembull në Sofje, Plovdiv, Varna dhe Burgas – atje situata nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Më së miri u paraqitën destinacionet SPA. Ato arritën të mbajnë një nivel të lartë të zënies gjatë gjithë vitit. Edhe qendrat dimërore turistike që ishin të hapura edhe gjatë verës. Sa i përket rritjes së të ardhurave, mund të flasim për rreth 5%, por gjithçka varet nga mënyra se si lexohet kjo statistikë.”

FOTO: visitbulgaria.com

Problem mbetet sezonaliteti i sektorit, pavarësisht ndryshimeve klimatike dhe zgjatjes së periudhës verore. Konstantin Zankov thekson se mbyllja e hershme e hoteleve dhe lokaleve përgjatë bregdetit të Detit të Zi i privon ato nga potenciali i tyre real:

Shtatori është një periudhë shumë e mirë për pushime në det – moti është i mirë, çmimet janë më të përballueshme, cilësia është më e lartë, por shumë destinacione mbeten të zbrazëta. Pas 6–7 shtatorit, në masë të madhe mbyllen lokalet dhe atraksionet, dhe njeriu pushon në një vend ku praktikisht vetëm mund të flejë dhe të ushqehet në hotel, pa pasur mundësi të mbështetet në përvoja të tjera. Por hotelet që kanë disa atraksione spa paraqiten shumë mirë. Megjithatë, mungon komunikimi i biznesit me shtetin dhe me bashkinë – që të fillojnë së bashku të zhvillojnë produktin. Pa problem mund të punojmë deri në mes të tetorit, të organizohen ngjarje dhe festivale, por shumë sipërmarrës vazhdojnë të funksionojnë me inerci.”

FOTO: visitbulgaria.com

Në bregdetin verior të Detit të Zi, panorama është mesatarisht pozitive. Kryetari i Bashkisë së Shabllës, Marian Zheçev, përshkruan një sezon në të cilin rritja është e qëndrueshme, megjithëse jo e madhe. Ndërkohë, profili i turistëve në vitin 2025 mbetet i pandryshuar – kryesisht pushues individualë, të cilët preferojnë pushime të organizuara në mënyrë të pavarur.

“Duke i shqyrtuar sezonet njëri pas tjetrit, ndoshta ruhet një gradacion i rritjes së numrit të turistëve dhe i numrit të netëqëndrimeve, të regjistruara në sistemin tonë të informacionit turistik, me rreth 5%. Sigurisht, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë me Greqinë dhe kufizimet e disa tregjeve veriore si Ukraina dhe Rusia, sezoni gjithsesi rezultoi i suksesshëm. Ndërkohë, humbjet u kompensuan pjesërisht nga turistë nga Moldavia, por në radhë të parë u mbështetëm te turistët bullgarë dhe rumunë.”

FOTO: pamporovo.me

Nga këndvështrimi i turizmit të organizuar, viti 2025 vlerësohet si shumë i suksesshëm. Pavlina Ilieva nga Shoqata “E ardhmja për turizmin” thekson se biznesi ka funksionuar mirë, por nuk i fsheh edhe sfidat me të cilat u përballën operatorët turistikë.

“E dini se lufta e Rusisë me Ukrainën ka një ndikim të madh mbi ne. Këtë vit kishim ndalime për realizimin e ekskursioneve drejt Rusisë, ndërsa problemi me Kanalin e Suezit bllokoi udhëtimet drejt dhe nga Izraeli dhe Jordania. Për ne, megjithatë, problemet më të ndërlikuara mbeten pikërisht ato që lidhen me tronditjet politike dhe ekonomike ose me fatkeqësitë natyrore, me të cilat është e vështirë të përballemi dhe që ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi paketat turistike dhe planifikimin e biznesit.”

FOTO: pamporovo.me

Në vitin 2025, sektori u përball sërish me grupin e njohur të pengesave – mungesë të fuqisë punëtore, inflacion, tronditje politike dhe pasiguri. Sipas Konstantin Zankovit, vendosja e euros nga 1 janari mbart rrezikun që furnitorët të rrisin çmimet e shërbimeve bazë dhe kjo të reflektohet automatikisht te produkti përfundimtar turistik. Përveç kësaj, biznesi pret qartësi lidhur me buxhetin për vitin 2026 dhe rregullat sipas të cilave do të funksionojë në muajt në vijim.

Konstantin Zankov

FOTO: Ivan Gergov

“Kjo vlen për çdo biznes në përgjithësi – rregulloret lidhur me Kontrollin Shtetëror përmes softuerit mbi shitjet (SUPTO) dhe çështje si kontributet shoqërore, politika tatimore… Kjo paqartësi shqetëson çdo biznes, përfshirë edhe turizmin. Aktualisht, ajo nuk ndikon shumë në kërkesat nga ana e turistëve dhe nuk ka rënie të dukshme, por shqetëson sipërmarrësin, i cili planifikon me shumë detaje të ardhurat dhe shpenzimet e tij, për të ditur si të bëjë llogaritë” – theksoi në përfundim Konstantin Zankov.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova