SHOQËRI

Artikull

Presidenti uroi paqe, dashuri dhe prosperitet në një "Bullgari të drejtë"

Sipas Rumen Radev, futja e euros është një zgjedhje strategjike në një moment të diskutueshëm

Enjte, 1 Janar 2026, 00:05

Presidenti uroi paqe, dashuri dhe prosperitet në një "Bullgari të drejtë"

FOTO: president.bg

Madhësia e shkronjave

Në fjalimin e tij të Vitit të Ri drejtuar popullit bullgar, kreu i shtetit Rumen Radev tha se ka kaluar një vit dramatik për botën. "Unë besoj se vendi ynë duhet të mbështesë pa mëdyshje përpjekjet për paqe në Ukrainë. Rreziku i zgjerimit të konfliktit nuk ka kaluar dhe ne nuk duhet të mbështetemi te dikush tjetër për të mbrojtur interesat tona nëse nuk jemi në gjendje ta bëjmë vetë", tha presidenti. 

"Vendimi për të miratuar monedhën e vetme evropiane është një zgjedhje strategjike në një moment të diskutueshëm. Futja e euros është momenti i fundit historik në integrimin e Bullgarisë në BE - një vend që ne e meritojmë, me arritjet e kulturës sonë mijëvjeçare dhe kontributin qytetërues të vendit tonë. Bindja ime është se heqja dorë nga monedha jonë kombëtare duhej të bëhej pas konsultimit me popullin, por sundimtarët nuk deshën t’i dëgjojnë qytetarët", theksoi presidenti, duke e përcaktuar këtë si një simptomë dramatike të përçarjes së thellë midis klasës politike dhe popullit. Ai beson se protestat masive në vend kanë treguar se buxheti i parë në euro është dëshmuar si një detyrë e pamundur për sundimtarët dhe ka çliruar pakënaqësinë e akumuluar ndaj modelit të qeverisjes, korrupsionit, inflacionit dhe arbitraritetit të autoriteteve. 

"Por protestat treguan gjithashtu se të rinjtë bullgarë nuk kanë më dëshirë të shpëtojnë veten individualisht, por po pyesin veten se si ta ndihmojnë atdheun e tyre. Veteranët e tranzicionit gjithashtu mbushën sheshet dhe kjo është ngjarja e madhe politike e vitit 2025. Lindi një konsensus popullor kundër mafies dhe përpjekjet për ta manipuluar atë dështuan. Njerëzit kërkuan demokraci, drejtësi, zgjedhje të ndershme, media objektive, një perspektivë të vërtetë evropiane dhe një jetë të mirë", tha Radev dhe bëri thirrje që Bullgaria të ndryshojë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në vitin 2026. 

“Uroj që muajt e ardhshëm t’i realizojnë ëndrrat tuaja personale dhe ëndrrën tonë të përbashkët për një Bullgari paqësore", të lirë, të begatë dhe të drejtë, përfundoi fjalimin e tij presidenti.

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva