Autor
Darina Grigorova
Artikull
Martë 6 Janar 2026 05:50
Martë, 6 Janar 2026, 05:50
Kallofer, vallja tradicionale mashkullore Ditën e Pagëzimit të Zotit Jizu Krisht
FOTO: REUTERS/Stoyan Nenov
Madhësia e shkronjave
Më 6 janar Kisha Ortodokse Bullgare kremton një nga festat më të mëdha – Pagëzimin e Zotit Jizu Krisht (Theofania).
Sipas mësimit të krishterë, kjo është dita në të cilën Zoti u shfaq njerëzve në natyrën e Tij të trefishtë, ndërsa Joani Pararendësi pagëzonte Birin e Tij në ujërat e lumit Jordan. Kur Shpëtimtari dilte nga uji qielli u hap dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi Të në pamjen e një pëllumbi dhe nga qielli erdhi një zë “Ky është Biri im i dashur, që e kam pëlqyer”. Pasi shikuan shfaqjen e Trinisë së Tërëshenjtë mijëra njerëz u pagëzuan në lumin e shenjtë. Prandaj kjo festë quhet Theofania (Bogojevlenie), që do të thotë “Shfaqja e Zotit”. Në Bullgari dita njihet edhe me emrat Vodici dhe Vodokrështi, emërtime popullore që rrjedhin nga fjala bullgare voda – ujë, dhe lidhen me bekimin e ujërave.
Ekziston një besim popullor se natën duke u gdhirë festa e madhe e Theofanisë qielli hapet dhe Zoti dëgjon lutjet e besimtarëve. Në vigjilje të Theofanisë, si edhe në vetë ditën e festës, kryhet i ashtuquajturi Bekimi i Madh i ujit. Për këtë arsye, besimtarët ortodoksë konsiderojnë se uji i Theofanisë ka një forcë të madhe pastruese.
FOTO: BGNES
Në ditën e festës, në kishat ortodokse kryhet Liturgjia Hyjnore dhe bëhet bekimi i ujit. Pas kësaj, sipas traditës, prifti udhëheq besimtarët deri te një pellg i afërt dhe hedh kryqin në ujë. Burrat hidhen në ujërat e akullta për ta nxjerrë. Konsiderohet se ai që arrin i pari dhe e merr kryqin do të jetë i shëndetshëm dhe i lumtur gjatë gjithë vitit.
FOTO: BGNES
Sipas besimit, nëse moti në këtë ditë është i kthjellët dhe kryqi ngrin në ujë, viti do të jetë i shëndetshëm dhe i begatë.
Gjatë Bekimit të Madh të Ujit (Bekimi i Ditës së Pagëzimit) të gjitha ujërat në tokë bekohet simbolikisht, dhe prandaj besohet se uji nga burimet dhe çezmat është i bekuar dhe shërues. Kisha Ortodokse përdor ujin e bekuar të Ditës së Pagëzimit të Zotit për largimin e papastërtive shpirtërore dhe trupore, ndërsa besimtarët marrin prej tij një gllënjkë esëll në mëngjes për forcimin e shpirtit, kundër çdo sëmundjeje, dhe e ruajnë në shtëpi gjatë gjithë vitit.
FOTO: BTA
Në se nga uji i bekuar vitin e mëparshëm ka mbetur ndonjë sasi të vogël, ai përdoret për brumosjen e tri bukëve rituale. Buka e parë është për shtëpinë, ajo e dytë për miqtë, ndërsa e treta – lihet para shtëpisë me një bucelë verë për të gjithë ata që kalojnë pranë të qerasen.
Në kalendarin popullor Dita e Pagëzimit të Zotit Jizu Krisht (Theofania) shënon fundin e të ashtuquajturve “ditë të ndyra”, të cilat zgjasin nga 25 dhjetor deri më 6 janar. Mbrëmja e 5 janarit është mbrëmja e tretë dhe e fundit e bekuar, e përgatitur me gjella pa mish. Në tryezën festive vendosen arra, grurë dhe qiriri i padjegur nga dy mbrëmjet e mëparshme të bekuara. Përgatitet një bukë dhe kulaçe dhe gatuhen japrakë me lakër turshi, speca të mbushur dhe fasule.
FOTO: Arkiv
Më 6 janar ditën e emrit kanë njerëzit me emrat: Jordan, Jordanka, Danço,Dani, Bojan, Bogdan, Bogdana. Si pjesë e ritualeve të larjes dhe spërkatjes me ujë Ditën e Pagëzimit të Zotit, ekziston tradita që të gjithë personat që kanë ditën e emrit të spërkaten me ujë për shëndet.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova