EKONOMI

Artikull

Investimet në kulturë dhe turizëm janë çelësi për zhvillimin e Vracës

Dielë, 11 Janar 2026, 09:10

Investimet në kulturë dhe turizëm janë çelësi për zhvillimin e Vracës

FOTO: Bashkia e Vracës

Madhësia e shkronjave

Një rreth në rajonin më të varfër në BE, Veriperëndimi famëkeq Bullgar, ka arritur të renditet ndër tre vendet e para në vendin tonë për sa i përket zhvillimit ekonomik. Të dhënat nga Instituti Kombëtar i Statistikave për vitin 2023 tregojnë se Rrethi i Vracës ndan vendin e tretë me Rrethin e Varnës /në bregdetin e Detit të Zi/, duke u renditur pas kryeqytetit të Sofjes dhe Stara Zagorës, me një PBB prej 27 000 levash për frymë. Kjo vlerë ka potencialin të rritet ndjeshëm, me një politikë të mirë nga ana e Bashkisë. Siç do ta shihni nga rreshtat e mëposhtëm - ky është një qëllim për të cilin po punohet në mënyrë aktive dhe me fondet e turizmit kulturor. Investimet në ngjarje kulturore, rezulton se janë një hap thelbësor drejt arritjes së prosperitetit në Rrethin e Vracës, dhe nuk mungojnë parakushte të rëndësishme - tiparet natyrore, monumentet historike dhe kulturore.

Gjatë ekspozitës vjetore të turizmit kulturor në Veliko Tërnovo në tetor të vitit të kaluar 2025, zëvendëskryetari i bashkisë për kulturën i Bashkisë së Vracës, Aleksandër Vlladimirov, njoftoi diçka jashtëzakonisht interesante – për 9 muajt e parë të vitit, në Bashki janë organizuar 80 ngjarje kulturore. Si arrin një bashki me madhësi mesatare sipas standardeve bullgare, me një popullsi prej pak më shumë se 66 mijë banorësh, të ketë një program kaq të pasur kulturor?

Alekdandër Vlladimirov

FOTO: Bashkia e Vracës

"Morën një vendim dhe e rishikuam buxhetin e Bashkisë për vitin 2025, gjë që na lejoi të rrisim buxhetin për kulturën katër herë, me kuptimin e qartë se kjo do të shkaktonte pakënaqësi tek disa nga banorët e Vracës - tha zëvendëskryetari i bashkisë për Radio Bullgarinë. - Jemi shumë larg nga mendimi se absolutisht të gjitha problemet e qytetit që lidhen me infrastrukturën, transportin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin janë zgjidhur me qëllim që të lirohen para për kulturën. Po vazhdojmë të investojmë еdhe në gjithçka tjetër, por e konsideruam këtë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së qytetit dhe rajonit tonë. Çelësi për këtë është turizmi dhe kultura - tërheqja e turistëve të rinj për ta vizituar dhe shijuar vendbanimin."

Rezultatet nuk vonojnë – të dhënat nga Sistemi i Unifikuar i Informacionit Turistik tregojnë se numri i turistëve të huaj në qytet është rritur, si dhe ai i turistëve nga Sofja, Plovdivi, Varna, Burgasi, Veliko Tërnovo dhe Ruse – njerëz që nuk e kanë vizituar kurrë më parë qytetin, ose të paktën jo për qëllime turistike. Vlladimirov është jashtëzakonisht krenar për rezultatet e arritura, si dhe për imazhin gjithnjë e më pozitiv që qyteti po merr nga pikëpamja e mediave.

Ndër institucionet kulturore që kontribuojnë në këtë është padyshim orkestra e qytetit “Simfonieta", e udhëhequr nga maestro Hristo Pavllov.

Hristo Pavllov

FOTO: BTA

“Simfonieta e Vracës” nuk është thjesht një orkestër i mirë, por është një nga më të mirët aktualisht në vendin tonë. Hristo Pavllov arriti të ringjallë diçka që para 10 –15 vitesh ishte drejt shuarjes. Më kujtohet se në vitet 2009–10 flitej për mbylljen e orkestrës. Atëherë, sikur nga hiçi, u shfaq ky njeri – jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj punës së tij, i cili bën përpjekje të përditshme dhe sot ka një orkestër, ku interpretues nga vende të ndryshme vijnë me kënaqësi në punë. Me vendim të Këshillit Bashkiak u dhamë një kat të një ndërtese që është monument kulture, ku ata krijuan një shkollë muzike dhe filluan të japin mësime falas për banorët e Vracës që shfaqin interes të njihen me muzikën dhe instrumentet e ndryshme.”

Merita për sukseset e tyre, në masë të madhe, i takon punës së muzikantëve – është kategorik nënkryetari i bashkisë.”

 “Detyra jonë është t’u ndihmojmë me gjithçka që mundemi, e nëse nuk mundemi, siç bëjmë shaka me kolegët, të paktën të mos u pengojmë. Iniciativa e njerëzve nga Vraca dhe rajoni duhet të inkurajohet dhe ne e bëjmë këtë.” 

FOTO: Facebook /Vratsa Symphony

Aktiviteti i “Simfonieta”-s është shembull edhe për diçka tjetër jashtëzakonisht të rëndësishme – tolerancën.

 “Në sfondin e veprimeve ushtarake dhe gjërave të pakëndshme që po ndodhin në botë, një pjesë e rrugës drejt asaj që ato të mos ndodhin, është investimi në kulturë. Në orkestrën e Vracës ka si rusë, ashtu edhe ukrainas e amerikanë, dhe ata merren vesh në mënyrë të shkëlqyer përmes gjuhës universale të muzikës dhe artit, e cila, për fat të mirë, është më e rëndësishme se gjuha e plumbit.”

Në këtë drejtim, Bashkia po punon edhe për realizimin e një ideje tjetër, e cila stimulon vizitueshmërinë e qytetit – fundjava të dedikuara kombeve të ndryshme dhe kulturave të tyre.

Festa italiane në Vraca

FOTO: Facebook / Bashkia e Vracës

“I realizojmë së bashku me biznesin lokal, për çka jam jashtëzakonisht mirënjohës, si edhe me misionet diplomatike të shteteve të ndryshme në vendin tonë. Deri tani kemi organizuar fundjava kushtuar Italisë, Greqisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë dhe na presin edhe të tjera. Shumica e lokaleve në qytet marrin pjesë aktivisht në këto ditë, dekorojnë ambientet dhe përshtatin menytë e tyre sipas specialiteteve dhe kulturës së shtetit përkatës. Fëmijët nga kopshtet dhe shkollat mbajnë koncerte dhe shfaqje në vende të ndryshme të qytetit, gjatë gjithë ditës funksionojnë tregje të fermerëve me specialitete karakteristike, ndërsa mbrëmja përfundon me performancën e ndonjë muzikanti të njohur nga shteti përkatës.”

Dhe i gjithë ky koloritet nuk shkon kurrë në dëm të ruajtjes dhe promovimit të kulturës bullgare, thekson nënkryetari i bashkisë. Aleksandër Vlladimirov jep shembull me një nga ngjarjet më të mëdha folklorike në territorin e bashkisë – Tubimin Folklorik Kombëtar “Ledenika”, në kulmin e verës.

FOTO: Facebook / Bashkia e Vracës

“Përveç një programi të pasur folklorik, që paraqet zakone dhe zanate të ndryshme, në ditën e dytë organizojmë një dasmë të vërtetë bullgare – shpjegon z. Vlladimirov. – Kryetari i bashkisë, i veshur me kostum tradicional folklorik, marton një djalë dhe një vajzë që kanë zgjedhur të krijojnë një familje të re bullgare. Të gjithë janë të veshur me rroba tradicionale, ushqimi dhe pijet konsumohen nga enë të përgatitura posaçërisht, dhe falë Muzeut Historik të qytetit mund të rikrijojmë të gjitha zakonet e lidhura me dasmën tipike të rajonit të Veriut. Ne e paraqesim gjithë këtë në skenë para publikut dhe vazhdojmë festën deri në orët e vona të mbrëmjes.”

 

Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva