Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Mërkurë 14 Janar 2026 08:00
Mërkurë, 14 Janar 2026, 08:00
Vasko Abaxhiev (1926 – 1978)
FOTO: unesco-ldv.com
Madhësia e shkronjave
Violinisti virtuoz Vasko Abaxhiev është një legjendë në artin muzikor të shekullit XX. Ai përshkruhet si interpretues që, në vepra të caktuara, i afrohej absolutes – asaj për të cilën një artist mund të ëndërrojë si ideal interpretues. Për dekada me radhë, violinisti fenomenal, pianisti i shquar, violisti, kompozitori dhe improvizatori, mbeti pothuajse i harruar në atdheun e tij. Në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, ende shumë melomanë të moshuar kujtonin koncertet e shkëlqyera të Vasko Abaxhievit nga fillimi i viteve ’50. Ata tregonin legjenda për teknikën e tij të jashtëzakonshme dhe për radhët e gjata gjigante për bileta. Fatkeqësisht, në kujtesën e shumë njerëzve që as nuk e kishin dëgjuar kurrë live, mbetën edhe histori pothuajse anekdotike për sjelljen e tij të çuditshme.
FOTO: violin-competition.com
Babai i tij, Nikolla Abaxhiev, i diplomuar në Konservatorin e Brukselit, ishte profesor i violinës në Akademinë Shtetërore të Muzikës në Sofje. Nëna e Vaskos, Lalla Piperova, kishte mbaruar konservatorin në Mynih në piano. I lindur më 14 janar 1926 në Sofje, që fëmijë ai nuk qante kurrë, sepse dëgjonte me përqendrim violinën dhe pianon e prindërve të tij. Karriera e tij nisi në mënyrë fenomenale – koncertin e parë publik e dha në moshën 6-vjeçare. Në moshën 9-vjeçare Vasko përfundoi arsimin e mesëm, në moshën 10-vjeçare në konkursin “Ysaÿe” në Bruksel mori një çmim special. Në moshën 12-vjeçare u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Konservatorin e Brukselit dhe triumfoi me medalje ari në konkursin ndërkombëtar “Fritz Kreisler” në Liezh. Gazetat belge e quajtën “Menuhini i ri”, ndërsa në vitet pasuese Evropa duartrokiti “Paganinin e shekullit XX – violinistin djallëzor”.
FOTO: arkiva
Triumfet evropiane përbëjnë pjesën e parë të 20 viteve të jetës së Vasko Abaxhievit. Vetëm në moshën 21-vjeçare ai humbet mbështetjen e tij më të madhe – babanë. Kthimi i tij në Bullgari në vitin 1949 është i shkëlqyer. Megjithatë, skenat botërore zëvendësohen me një veprimtari intensive koncertesh për grupe punëtore dhe fshatare, si dhe me paraqitje shumë të rralla në Hungari, Çekosllovaki dhe disa vende të tjera “demokratike”. Gjatë një prej tureve në vitin 1956, në trenin nga Praga për në Budapest, ai sulmohet, goditet në kokë dhe plagoset rëndë. Fatkeqësia përkon me të ashtuquajturat “ngjarje hungareze”, pas të cilave Vasko nuk kthehet më në Bullgari. Duke mbetur në Perëndim pa leje nga autoritetet bullgare, emri i tij dënohet me ndalim dhe harresë.
FOTO: archives.bnr.bg
Në vitin 1965, në Gjermani vdes nëna e tij. Pas kësaj humbjeje tragjike, Vasko Abaxhiev bëhet plotësisht i paaftë për t’u kujdesur për veten dhe për artin e tij. Legjenda e violinës vdes në varfëri në vitin 1974, në moshën 48-vjeçare. Vetëm një gazetë në Hamburg njofton për vdekjen e “violinistit djallëzor”.
Megjithatë, kujtimi për të nuk u zhduk. Në vitin 1991, në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare (BNR), violinisti dhe pedagogu i madh bullgar Vlladimir Avramov deklaroi:
FOTO: arkiva
“Unë mendoj se kujtimi për të ekziston. Madje deri vonë, kur jepja koncerte nëpër vend, shumë njerëz më pyesnin për Vasko Abaxhievin, interesoheshin për të. Por unë besoj se veprimtaria e tij dhe talenti i tij i madh – jo vetëm si violinist, por si muzikant në përgjithësi – lanë gjurmë shumë të qëndrueshme në jetën tonë muzikore. Edhe nëse ekzistojnë regjistrime nga Vasko, mendoj se nga ato nuk mund të krijohet aspak një ide e plotë për cilësitë e tij muzikore. Ai ishte, sipas mendimit tim, një interpretues i jashtëzakonshëm i sonatave solo të Bahut – diçka që përbën një standard të muzikalisë së lartë. Përtej aftësive të tij teknike, të cilat gjithashtu ishin fenomenale.”
Prof. Vlladimir Avramov
FOTO: arkiva BNR
Në vitin 2001, kushëriri i tij, Nikollaj Piperov, deklaroi për Radion Kombëtare Bullgare (BNR):
“Shkëlqimi në sytë e njerëzve që kam vëzhguar në sallë kur ai luante, ai entuziazëm i papërmbajtshëm që shfaqnin pas përfundimit të koncertit zyrtar – për 25 minuta nuk largoheshin, duartrokisnin dhe thërrisnin vazhdimisht: ‘Vasko, Vasko, duam akoma!’, duke parë se ai… ishte i lodhur. Ai gjithmonë i përgjigjej dëshirave të publikut dhe ishte gjithmonë gati të dëshmonte se për të arti ishte mbi gjithçka! Për mua janë veçanërisht të fuqishme fjalët e Hermann Abendroth, i cili jo vetëm në Gjermani, por edhe në Shqipëri ka drejtuar koncerte me të. Ai thotë: ‘Kam drejtuar violinistët më të mëdhenj në botë, por Vasko Abaxhiev është një fenomen unik.’”
I krahasuar me Paganinin, i duartrokitur me entuziazëm për virtuozitetin e pakrahasueshëm dhe muzikalitetin e përsosur, gjeniu Vasko Abaxhiev deri diku ndan fatin e Mozartit. Ka diçka mozartiane – si në fëmijërinë e tij si fëmijë-mrekulli, ashtu edhe në fundin tragjik të jetës së tij – i braktisur dhe i harruar.
FOTO: arkiva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello