MUZIKË

Seksion

“Takime të vonuara” nga Petër Stupell

Autori i ndjeshëm i këngëve të pavdekshme

Premte, 16 Janar 2026, 20:10

Petër Stupell (1923 – 1997)

Petër Stupell (1923 – 1997)

FOTO: ubc-bg.com

Madhësia e shkronjave

“Ai ka një ndjeshmëri të jashtëzakonshme – gjithmonë shpik një temë, një këngë që bëhet ‘emblemë’ e filmit dhe njerëzit e njohin pikërisht për atë” – thotë për kompozitorin Petër Stupell regjisori Nedellço Çernev, i njohur si “babai i serialit televiziv bullgar”. Për këngën tonë të fëmijërisë, ky kompozitor është si Ivan Vazov – mendon poeti, dramaturgu dhe shkrimtari i njohur Stefan Canev: “me siguri të gjithë fëmijët që mësojnë poezinë e tyre të parë ‘Unë jam bullgar’ (nga Ivan Vazov) dhe këndojnë këngën e tyre të parë ‘Lepurushi i bardhë’, mendojnë se janë shkruar nga i njëjti autor. Këngë të tilla mund t’i krijojë vetëm një njeri shumë i mirë. Dhe ai është një njeri jashtëzakonisht i mirë…”.

Petër Stupell (1923–1997) ishte një njeri i mirë dhe një krijues i talentuar. Autori i hiteve për fëmijë “Lepurushi i bardhë” dhe “Natën e mirë, fëmijë” lindi në Sofje, në një familje muzikantësh profesionistë – emigrantë nga Lituania. Në kryeqytetin bullgar, Petër Stupell mbaroi arsimin e mesëm në një lice francez. Si student, talenti i tij si kompozitor u vu re nga Panço Vlladigerov. Dy vjet më vonë, Stupell u nis për në Budapest, ku u specializua në Akademinë e Muzikës “Franz Liszt” pranë krijuesve me famë botërore Leó Weiner dhe Pál Kadosa.


Karrierën e tij në Bullgari e filloi si redaktor muzikor në Redaksinë për Fëmijë të Radios Kombëtare Bullgare. Autor i më shumë se 100 këngëve për fëmijë, opera për fëmijë, baleteve, operetave, mjuzikëll, si dhe muzikës për teatër dhe film, kontributi i Stupellit në muzikën pop bullgare është i jashtëzakonshëm. Këngët e tij të para, mbi vargje të poetëve të rinj, datojnë që nga vitet ’40 të shekullit XX, por këngët e tij lirike, të krijuara në dekadat pasuese, mbeten shembuj të artit kombëtar.

Petër Stupell dhe artisti Emill Stefanov regjistrojnë emisionin për fëmijë “Bërborino” në Radion Kombëtare Bullgare (BNR).

FOTO: FOTO: MUZEU I HISTORISË SË RADIOS NË BULLGARI “Prof. Dr. Veselin Dimitrov”

Në vitin 1980, Petër Stupell u bë drejtor i Festivalit Ndërkombëtar “Javët Muzikore të Sofjes”. Nën drejtimin e tij, festivali u shndërrua në një ngjarje të njohur muzikore evropiane. Falë tij, në Sofje performuan orkestra si Filarmonia e Berlinit dhe ajo e Vjenës, trupa opere dhe baleti nga Italia, Franca, Britania e Madhe dhe Suedia, si edhe dirigjentë të famshëm botërorë dhe solistë të shquar. Miqtë dhe kolegët thonë se ashtu siç ishte energjik dhe i zjarrtë në realizimin e ideve të tij për festivalin, po aq i butë, modest dhe lirik ishte si krijues. Ndoshta për këtë arsye, shumë nga veprat e tij kanë fatin e bukur të bëhen këngë të pavdekshme.


Petër Stupell është autor i shfaqeve musical të para kinematografike bullgare – “Monedha e lashtë” (1965) dhe “Babai im bojaxhiu” (1974), me pjesëmarrjen e yjeve Kosta Conev dhe Nevena Kokanova. Nga mesi i viteve ’50 deri në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, ai krijoi muzikën për shumë filma të dashur për publikun. Muzika për serialet televizive shumë të njohura “Në çdo kilometër” dhe “Kapiten Petko Vojvoda”, e shkruar me Atanas Bojaxhiev, i bëri të dy autorët shumë të famshëm.

Grisha Ostrovski

FOTO: natfiz.bg

Për Petër Stupellin, regjisori i madh bullgar i teatrit dhe filmit dhe pedagogu Grisha Ostrovski tregon:


“Nuk e di nëse ai më ka dhënë diçka mua apo unë atij, por ne u ‘përputhëm’ aq mirë si kompozitor dhe regjisor, saqë kur më duhet të punoja me dikë tjetër, pa dashje e krahasoja me Petjon dhe thosha me vete – eh, sa lehtë do ta bënte Petjo këtë! Ai mund ta ndryshojë atmosferën e skenës në një çast, të të transportojë me disa takte të shkruara ‘a la…’ në Francë apo Hungari, në shekullin XVII ose në kohën e rokut. Kjo është një shkathtësi e jashtëzakonshme, e barabartë me talentin e tij!”

Marija Nejkova dhe Mihaill Bellçev

FOTO: Arkiva

Në vitin 1969, kënga e Petër Stupellit dhe Petër Karaangovit “Takime të vonuara”, nga filmi i Ostrovskit “Burra në udhëtim pune”, i cili doli në ekran një vit më parë – në 1968, fitoi çmimin e parë për këngë në festivalin prestigjioz ndërkombëtar “Orfeu i Artë”. Kënga u interpretua nga yjet e rinj të skenës muzikore bullgare, Maria Nejkova dhe Mihaill Bellçev. Megjithatë, për kolonën zanore të filmit, kënga u regjistrua nga Maria Nejkova së bashku me këngëtarin legjendar të muzikës pop dhe roku, Georgi Minçev.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello