POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 17 Janar 2026, 08:20

Nikos Christodoulides

Nikos Christodoulides

FOTO: Kryesimi i Qipros në Presidencën e BE-së

Madhësia e shkronjave

Kryesimi i Qipros në BE do të mbështesë Ukrainën si prioritet


Qipro është i vetmi vend i BE-së nën okupim të huaj dhe ne e kuptojmë më mirë Ukrainën, tha presidenti qipriot Nikos Christodoulides në një takim me gazetarë evropianë në Nikozia. Ai vuri në dukje se vendi i tij po përgatitet prej 2 vitesh për Kryesimin e Qipros në Presidencën e BE-së, i cili filloi në fillim të janarit. Kryesimi ka vendosur si një nga detyrat kryesore deri në fund të qershorit vazhdimin e mbështetjes për Kievin.

Maia Sandu

FOTO: presedinte.md

Maia Sandu rihapi temën e bashkimit të Rumunisë dhe Moldavisë


Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, shkaktoi reagime të ashpra në Bukuresht dhe Kishinau me një intervistë për një podcast britanik. Para “The Rest is Politics”, ajo tha se “për një vend të vogël si Moldavia po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbijetosh si një demokraci dhe shtet sovran, që qëndron përballë Rusisë”. Për këtë arsye, nëse do të kishte një referendum, ajo do të votonte për bashkimin e Moldavisë me Rumuninë. Në Kishinau, partitë pro-ruse e akuzuan atë për tradhti shtetërore, kërkuan ndërhyrjen e prokurorit dhe dorëheqjen e saj.


Në Bukuresht, fjalët e Sandu u pritën me mirëkuptim. Shumica e politikanëve rumunë theksuan se çdo bashkim duhet të marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Moldavisë. Disa paralajmëruan për rrezikun e politizimit të kësaj teme dhe përdorimit të saj për qëllime propagandistike në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe presionit nga ana e Rusisë, përmblodhi romania.europalibera.org.


FOTO: croatiaweek.com

Të rinjtë kroatë nga diaspora do të këshillojnë Zagrebin për çështjet e emigracionit


Qeveria kroate krijoi Këshillin e të rinjve kroatë jashtë vendit, si një organ konsultativ pranë Shërbimit Qendror Shtetëror për kroatët jashtë Kroacisë. Të rinjtë do të këshillojnë qeverinë se si të ruhet identiteti kroat jashtë vendit dhe si të inkurajohet kthimi i të rinjve në vend.


“Në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në diasporën kroate, të rinjtë treguan një motivim të fortë për të marrë pjesë”, tha për agjencinë HINA Alen Mataniç, zëdhënës i shërbimit. Ai shtoi se Këshilli i të rinjve kroatë jashtë vendit do të informohet rregullisht për mundësitë e arsimit dhe punës në Kroaci për diasporën dhe do të ndjekë zbatimin e politikave dhe masave të propozuara prej tyre.


Gjatë 3 viteve të fundit, rreth 30,000 kroatë që kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit janë kthyer në Kroaci.


FOTO: greekreporter.com

Rinis funksionimi i naftësjellësit nga Greqia për Maqedoninë e Veriut


Naftësjellësi Selanik – Shkup po funksionon përsëri, njoftoi Andreas Siamisis, drejtor ekzekutiv i kompanisë Helleniq Energy. Një korridor vertikal për furnizime me energji është vënë përsëri në shfrytëzim, ku do të kalojë kryesisht karburanti për transportin. Naftësjellësi do të lehtësojë eksportin grek jo vetëm drejt Maqedonisë së Veriut, por edhe për tregje fqinjë si Kosova, Serbia Jugore dhe Bullgaria. Njëkohësisht, ai do të çlirojë Selanikin nga trafiku i mallrave dhe problemet mjedisore për shkak të lëvizjes së kamionëve cisternë, shpjegoi Siamis për ANA-MPA.


Naftësjellësi Selanik – Shkup, me gjatësi 213 km, është ndërtuar në vitin 2002 dhe lidh rafinerinë e Helleniq Energy në Selanik me rafinerinë e saj në Shkup, OKTA. Për shkak të fitimit të ulët, ai u ndalua para 13 vitesh.

FOTO: BTA

Patriarkia Ekumenike në Stamboll hodhi poshtë akuzat e Moskës


Patriarkia Ekumenike e cilësoi si shpikje dhe si lajme të rreme akuzat e inteligjencës së jashtme ruse, njoftoi televizioni skai.gr. Më parë, agjencia TASS raportoi se patriarku Bartolomeu dhe inteligjenca britanike po përpiqeshin të shkëputnin kishat ortodokse të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë nga Patriarkata e Moskës dhe t’u jepnin autoqefali kishave të paknjohura të Malit të Zi, për të dëmtuar Kishën Serbe.


Në përgjigjen e patriarkanës në Stamboll theksohet se: “Kisha e Kostandinopojës – Kisha mëmë, edhe e Kishës Ruse – shpreh dhimbjen e thellë për sulmin e ri rus… Që nga viti 2018, kur i dhatë kishës së Ukrainës statusin autoqefal, Kisha mëmë ka shmangur komentimin e sulmeve të panumërta të ngjashme që vinin ose nga figura kishtare, ose politike në Rusi. E njëjta gjë bëhet edhe sot.” – thuhet në përgjigje.


Përpiloi: Ivo Ivanov

Përpiloi: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello