FOLKLOR

Seksion

Vërniku – histori dhe tradita të paharruara

Dielë, 18 Janar 2026, 10:05

Vërniku – histori dhe tradita të paharruara

FOTO: Vesella Krësteva

Madhësia e shkronjave

Ditët e para të vitit 2026 na dëshmuan se, sado të ndryshojnë kohët, njerëzit mbeten po njëlloj. Me një monedhë të re në kuletat tona dhe me shpresë për një të ardhme më të ndritur, sot do t’ju tregojmë historinë e një fshati të vogël, i cili për shumëkënd është i panjohur dhe në këtë kuptim “i ri”, por që në të vërtetë ekziston prej shekujsh dhe mbart në vetvete fillin e hollë që lidh fjalët “aty” me “këtu”, por edhe “dje”, “sot” dhe “nesër”.


I tillë është fshati bullgar Vërnik në Shqipëri. I strukur mes natyrës, dikur i rrethuar nga shelgjet dhe nga uji, ai e mban emrin nga vetë toka që u ka dhënë jetë brezave të tërë bullgarësh. Sot fshati është pothuajse i braktisur, me vetëm rreth tridhjetë banorë, por historitë e tij ende jetojnë – në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Një ekip i Radio Bullgarisë e vizitoi Vërnikun në fund të vitit 2025, në ditën e festës së fshatit – Shën e Premtja, dhe u prit me shumë ngrohtësi nga kryeplaku i fshatit, Pandi Endriko. Ai është një nga të paktët që kanë lindur këtu dhe kanë zgjedhur të rikthehen. Rrëfimi i tij është pasqyrë e fatit të Vërnikut gjatë dekadave të fundit.

Pandi Endriko

FOTO: Vesella Krësteva

“Rreth tridhjetë vjet më parë, gjatë komunizmit, pothuajse askush nuk largohej nga fshati. Këtu jetonin nga 450 deri në 550 banorë. Pas ndryshimeve dhe ardhjes së demokracisë, të rinjtë filluan të largoheshin, sepse nuk kishte punë. Shkuan jashtë vendit – në Greqi, Bullgari, Gjermani, Amerikë. Kështu fshati u zbraz gradualisht”, – tregon Pandi. Edhe vetë ai ka jetuar dhe punuar për shumë vite në Greqi, por është kthyer. Tek prindërit, tek rrënjët e tij.


Kryetari nuk ka një përgjigje të saktë për pyetjen: “Kur është themeluar fshati?”. Me siguri, rrënjët e tij shtrihen afro dy shekuj më parë dhe historia shpesh i atribuon edhe titullin “fshati i parë bullgar” në Shqipëri. Vërniku nuk e mban mend vitin e lindjes së tij, por i mban mend njerëzit e vet. Fillimi i tij nuk është i shënuar në dokumente, por është i fshehur në rrënjët e brezave, në shtëpitë e vjetra, në shpirtin e Bullgarisë si atdheu i të gjithë banorëve të tij. Kështu e shpjegon edhe Pandi Endriko:

FOTO: Vesella Krësteva

“Askush nuk e di saktësisht kur është krijuar. Shtëpia ime është më shumë se njëqind e pesëdhjetë vjeçare. Fisi im është nga këtu – stërgjyshërit dhe gjyshërit e mi kanë lindur këtu. Të gjithë paraardhësit tanë janë varrosur në varrezat e fshatit”, – shpjegon ai.


Sot në fshatin Vërnik kanë mbetur rreth tridhjetë persona – vetëm të moshuar, të gjithë mbi 75 vjeç. Shkollë nuk ka më, as fëmijë. Shtëpitë janë të vjetra, shumica mbi njëqind vjeçare, por gjatë verës disa prej tyre ringjallen përsëri – fëmijët nga qytetet dhe nga jashtë vendit kthehen, qoftë edhe vetëm për një ose dy muaj.


Si kryetar i fshatit, Pandi Endriko i njeh më së miri nevojat e tij dhe si problem më të madh ai thekson kanalizimin, i cili është jashtëzakonisht i vjetëruar dhe në disa vende edhe mungon. Megjithatë, ai nuk harron të përmendë se ka edhe arsye për të qenë mirënjohës. Si, për shembull, rruga që të çon drejt fshatit – e riparuar falë mbështetjes së shtetit bullgar. Banorët e Vërnikut janë thellësisht mirënjohës për këtë, sepse kjo rrugë është lidhja e tyre me botën.

FOTO: Vesella Krësteva

Sot dhimbja më e madhe për vendasit është gjendja e kishës “Shën Gjergji”, e cila ka nevojë për riparim urgjent. E ndërtuar në vitin 1823, kisha ka përjetuar zjarrin gjatë Kryengritjes së Ilindenit dhe është rindërtuar nga banorët e fshatit. Gjatë regjimit të Enver Hoxhës, ajo u shndërrua në një depo për ruajtjen e duhanit. Në fund të viteve ’90 të shekullit XX, tempulli u restaurua sërish. Sot ekzistenca e tij si burim shprese dhe bashkimi është përsëri në provë – çatia e këtij tempulli shpirtëror të Vërnikut është në gjendje shumë të rëndë dhe objekti ka nevojë për restaurim. Në këtë kuadër, komuniteti bullgar në Shqipëri dhe banorët e fshatit kanë hapur një llogari për donacione dhe u drejtohen me lutje për ndihmë institucioneve bullgare, si dhe qytetarëve që mund t’u zgjasin një dorë. “Kjo kishë nuk është thjesht një tempull, por ajo ruan kujtesën e banorëve të këtij vendi, është simbol i besimit dhe i spiritualitetit të tyre”, – na siguron Pandi Endriko.


U bindëm personalisht për këtë kujtesë dhe për këtë ndjenjë bashkimi te vendasit, që të bën të buzëqeshësh edhe në natën më të errët. Pas në kohë na kthen e folura arkaike bullgare e gjyshes Dimana Shano – një zë në të cilin çdo fjalë mbart emocionin e vet dhe çdo pauzë ruan kujtime.

Dimana Shano

FOTO: Vesella Krësteva

“Keni ardhur tek ne për festën e Shën e Premte. Për këtë festë ziehet lakër. Përgatitet gjellë me lakër, por mishi duhet të jetë i tharë – pastërma nga dele ose dhi. Kështu gatuhej dikur. Nuk përdorej mish viçi apo derri, sepse gjella nuk bëhej e shijshme. Vendosej mish deleje ose dhie. Bëheshin edhe patate dhe supë. Kështu pritej festa.”


Dikur fshati ishte si një familje e madhe, na tregon ajo. Të gjitha shtëpitë ishin plot, njerëzit nuk shpërnguleshin. Për festa ftoheshin mysafirë, vihej një kazan i madh, ziehej lakër për të gjithë, gatuhej mish me patate. “Kishte shumë njerëz,” – kujton me një buzëqeshje nostalgjike gjyshja Dimana. Fshati ndahej në dy lagje – lagjja e sipërme dhe lagjja e poshtme; gjysma festonte Shën Petkën, ndërsa gjysma tjetër e fshatit – Ditën e Shën Dhimitrit.

FOTO: Vesella Krësteva

“Ne shkonim për vizitë tek ata për Shën e Premte, kurse ata vinin tek ne për Ditën e Shën Dhimitrit. Shën Dhimitri festohej në mbrëmjen e 25 tetorit dhe në drekën e 26-tës. Në mbrëmje shkohej për vizita, ndërsa të nesërmen – përsëri për drekë. Njerëzit ftonin njëri-tjetrin.”


Përveç këtyre dy datave shumë të rëndësishme për fshatin, një nga festat më të dashura, veçanërisht për fëmijët, kanë qenë festat e Krishtlindjes.


Një ditë para Krishtlindjes, fëmijët e quajtur "kolendarë" shkonin nga shtëpia në shtëpi nëpër të gjithë fshatin, me shkopinj në duar, duke kënduar:


“Kolenda, gjyshe, milenda, gjyshe, më jep gjyshe tre kulaçë, tre gështenja, tre të pjekura, tre të ziera, tre të vendosura në torbë…” – dhe kjo këngë jehonte nëpër rrugicat e fshatit.


Gjyshet përgatisnin kulaçë të Krishtlindjes – “kollaçki” nga qiqrat. Fëmijët, madje edhe burrat, shkonin shtëpi më shtëpi duke mbledhur gështenja dhe dhurata.


Viti i Ri nga ana tjetër ishte njëkohësisht një kohë “frike” dhe të qeshurash. Në atë ditë shfaqeshin “arapinët” – kukerë të maskuar me zile.


“Për Vitin e Ri vinin ‘arapinët’ (kukerë). Kishim shumë frikë prej tyre. Nuk dilnim nga shtëpia, shikonim nga dritarja, ndërsa ata gjithë natën bënin zhurmë me zile. Nuk pushonin gjithë natën. Të nesërmen i gjithë fshati dilte në shesh. Njerëzit visheshin kush si dhëndër, kush si nuse, apo plak – si t’i vinte ndër mend. Ishte një kohë plot gëzim dhe të qeshurash”, – tregon gjyshja Mana.

FOTO: Arkiva e Dimana Shano

Gratë në fshatin Vërnik nuk janë vetëm ruajtëse të mira të traditave dhe zakoneve, por edhe mjeshtre të kuzhinës. Disa nga gatimet tradicionale të fshatit janë byreku, fasulniku (byreku me fasule), mleçniku (byreku me qumësht), si edhe ëmbëlsira si bakllava, revani dhe shumë të tjera. Ndërsa gjatë gjithë vitit, emocionin më të madh për të gjithë e përbënin zakonet e dasmave në këto anë.

Dasëm në fshatin Vërnik

FOTO: Arkiva e Dimana Shano

“Dasmat fillonin që të hënën – na tregon më tej gjyshja Mana. – Bliheshin mollë dhe pastaj dy fëmijë, me një shami të mbushur me mollë, shkonin shtëpi më shtëpi dhe u jepnin nga një mollë secilës familje për t’i ftuar në dasmë. Sot dërgojnë ftesa me shkrim. Pastaj përgatiteshin qiqrat për të zënë brumin e pites së dasmës. ‘Brumi me qiqra përgatitet, e kush i përgatit, farefis, të afërm e kushërinj të parë’ – këndon gjyshja Mana dhe vazhdon të rrëfejë: – Mblidhej i gjithë fisi te dhëndri, këndohej gjithë natën, nuk flinin, që të ruheshin qiqrat e bukës. Këngët nuk pushonin deri në mëngjes. Të nesërmen përgatiteshin bukët. Furrat ishin plot. Përgatiteshin 10–11 tepsi me bukë – të zbukuruara sipër me lule dhe sheqer. Të premten, të afërmit nga ana e dhëndrit vinin për të marrë pajën e nuses. Gjithçka që ajo kishte përgatitur – rroba, qilima, mbulesa, jastëkë, mbulesa tavoline – ngarkohej në karrocë ose makinë dhe shëtitej nëpër fshat që ta shihnin të gjithë. I gjithë fshati merrte pjesë.

FOTO: Arkiva e Dimana Shano

Këndohej, luhej muzikë, njerëzit e përcillnin nusen me këngë dhe bekime. Dhe i këndonin: ‘Sa e bukur është kjo pajë, ta gëzosh, o nuse. Sa e bukur është kjo pajë…’ – këndon sërish gjyshe Mana dhe vazhdon: – Dhëndri ftonte gjithë fshatin të vinte për të marrë nusen, dhe të gjithë niseshin bashkë. Në të kaluarën nisej i gjithë fshati – nuk kishte rëndësi nëse ishe i afërm apo jo. Gjithçka bëhej me shumë gëzim. Kishte muzikë, këngë, valle gjatë rrugës. Këndoheshin këngë të ndryshme – disa nga ana e nuses, të tjera nga ana e dhëndrit. Nuses i lidhnin një këmishë në duar, dhe përpara saj ecte një djalë i vogël. Ndalonin në mes të rrugës që dhëndri të hidhte para në këmishë për ta ‘blerë’ nusen, përndryshe nuk e jepnin. Kur nusja dilte nga shtëpia e saj, kthehej dhe përkulej tri herë e pastaj nisej, ndërsa kur hynte në shtëpinë e re – hidhte hapin e parë me këmbën e djathtë. Ia lyenin duart me mjaltë dhe ajo lyente derën e jashtme të shtëpisë që ta kishte jetën e ëmbël. Nën sqetulla i vendosnin bukë, që shtëpia të ishte e mbushur dhe e begatë.” Kështu gjyshe Mana na riktheu në të kaluarën – në një dasmë bullgare plot të qeshura, gëzim dhe besim në fillimin e ri të dy njerëzve, por edhe të gjithë komunitetit të një fshati.

FOTO: Vesella Krësteva

Aroma e fasulnikut dhe e mleçnikut edhe këtë vit mbushën ato pak shtëpi bullgare që kanë mbetur në tokën shqiptare, por zëri i gjyshes Dimana dhe kujtimet e Pandit na çojnë në një botë ku Vërniku bëhet përsëri i gjallë, edhe pse rrugët e tij janë të heshtura dhe shtëpitë – bosh. Vërniku jeton përmes njerëzve që ruajnë historinë e tij, përmes kujtimeve për ditët e ndritshme, për Krishtlindjen, Vitin e Ri, Shën e Premtja dhe Shën Dhimitrin; për dasmat, kur çdo shtëpi mbushej me gëzim, të qeshura dhe aromën e gatimeve shtëpiake. Edhe në vitin 2026, me oborret e tij të qeta, fshati Vërnik do të vazhdojë të flasë – me zërin e të moshuarve dhe me ngrohtësinë e atyre që e duan këtë vend bullgar në tokë të huaj. Edhe për sa kohë? – askush nuk mund ta thotë.