Autor
Diana Cankova
Seksion
“Unë jam bullgar” rrëfen për atdheun e fëmijëve jashtë vendit
Martë 20 Janar 2026 07:05
Martë, 20 Janar 2026, 07:05
FOTO: freepik.com
Madhësia e shkronjave
Një grup shoqëror nga Tërgovishte krijoi një aplikacion – një dhuratë për fëmijët bullgarë që jetojnë jashtë vendit. Ideja e krijuesve është të forcojnë edhe më shumë lidhjen me atdheun, në mënyrë që fëmijët ta duan atë dhe të krenohen që janë bullgarë.
Në takimet e tyre me miq, të afërm dhe të njohur, krijuesit e aplikacionit konstatuan se fëmijët e tyre jashtë vendit jo gjithmonë marrin informacion për fakte që lidhen me vendin e tyre, dhe kështu vendosën t’ua ofrojnë këtë informacion.
“Fëmijët duan të dinë më shumë për Bullgarinë dhe ajo të mos jetë vetëm pjesë e një apo dy javëve qëndrimi gjatë verës – thotë Desisllava Pingellova, drejtuese e projektit. – Ata vërtet tregojnë interes për historinë, traditat, kulturën dhe bukuritë natyrore. Kemi zhvilluar shumë biseda me ta dhe prandaj vendosëm se do të ishte mirë t’i mbledhim të gjitha këto fakte për vendin tonë në një vend të vetëm dhe të krijojmë një aplikacion që do të mbështesë njohuritë e tyre dhe ndjenjën e atdhedashurisë.”
Si emër të aplikacionit, kompania zgjodhi “Unë jam bullgar”, duke huazuar titullin nga poezia e famshme e Ivan Vazovit. Në një nga seksionet, fëmijët mund të njihen me vepra jo vetëm të patriarkut të letërsisë bullgare, por edhe të Dobri Çintulovit, Hristo Botevit, Pejo Javorovit, Dimço Debeljanovit dhe Ran Bosilekut.
Për emrin e aplikacionit kompania zgjedh “Unë jam bullgar”, duke huazuar titullin nga poezia e famshme e Ivan Vazovit. Në një nga rubrikat, fëmijët mund të njihen me vepra jo vetëm të patriarkut të letërsisë bullgare, por edhe të Dobri Çintullovit, Hristo Botevit, Pejo Javorovit, Dimço Debeljanovit dhe Ran Bosilekut.
FOTO: play.google.com
“Ne tashmë kemi vite përvoje dhe e dimë se çfarë na ka gëzuar si fëmijë dhe çfarë na gëzon si të rritur,” – shton Desisllava Pingellova. – “Të gjitha tekstet në aplikacion janë origjinale – kemi përzgjedhur sipas gjykimit tonë faktet më interesante për vendin tonë dhe vendet më të bukura. Fotografitë janë të fotografëve të njohur Penço Çukov dhe Radosllav Përdanov, me të cilët kemi bërë së bashku përzgjedhjen e asaj që do të mund të ngjallte interes dhe të frymëzonte përdoruesit e këtij lloji arti.”
Përveç letërsisë, aplikacioni ka seksione të veçanta për historinë, traditat dhe zakonet, vendet e bukura dhe faktet interesante.
“Ne trajtojmë historinë e lashtë, antikitetin, Bullgarinë e Madhe, Mesjetën, ndërtimin e shtetit të ri, Rilindjen dhe Çlirimin, pjesëmarrjen e vendit në luftërat për bashkimin kombëtar dhe kontributin tonë në kulturën dhe historinë botërore. I kushtojmë vëmendje disa prej vendeve më të bukura si Plovdivi i Vjetër, muzeu në natyrë ‘Etër’, kepi Kaliakra, kriporet e liqenit të Pomories. Prezantojmë rituale të ndryshme bullgare si dhe festën e Ditës së Enjos dhe Festën e Trëndafilit në Kazanllëk, si edhe bukurinë e gruas bullgare dhe veshjet tradicionale popullore. Kemi gjithashtu materiale për shkencën dhe teknologjinë.”
FOTO: play.google.com
Krijuesit e “Unë jam bullgar” besojnë se njohja e së kaluarës na ndihmon të kapërcejmë nihilizmin tonë dhe ta shohim vendin tonë me krenari. Ndoshta edhe prindërit duhet t’i hedhin një sy asaj që fëmijët e tyre gjejnë në aplikacion, për ta përvetësuar këtë qasje dhe për t’ua përcjellë atë?
“Fillimisht ideja jonë ishte ta krijonim aplikacionin për fëmijë,” – përgjigjet Desisllava Pingellova. – “Më pas, megjithatë, vendosëm se do të ishte interesant edhe për prindërit e tyre, në përgjithësi për të gjithë – pavarësisht nëse jetojnë në vendin tone apo jashtë tij. Prandaj do të jemi të lumtur që të ketë përdorues nga çdo grupmoshë, pasi përmbajtja është e përshtatshme për të gjitha moshat.”
FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare e së Dielës Azbukarçeta
Gjatë zhvillimit të aplikacionit, krijuesit morën mbështetje nga nxënësit e Gjimnazit Kombëtar Aprilovska në Gabrovo, të cilët regjistruan veprat letrare, nga Shtëpia-muze “Pejo Javorov” në Çirpan, si dhe nga Ralica Negencova, mbesa e Ran Bosilekut. Aplikacioni pati tashmë edhe premierën e tij të parë jashtë vendit, në Shkollën Bullgare të së Dielës “Azbukarçeta” në Madrid – “disa prej fëmijëve me të cilët u takuam dhe për të cilët e krijuam këtë aplikacion”, shpjegon Desisllava Pingellova. Ajo thekson se nxënësit dukeshin të kënaqur që po lexonin vetë dhe se gjatë pushimeve të tyre të ardhshme në Bullgari do të befasojnë me njohuritë e fituara.
“Shumica e fëmijëve merren me valle popullore dhe interesohen për traditat dhe zakonet,” – thotë më tej drejtuesja e projektit. – “Prindërit e tyre festojnë Krishtlindjen dhe u tregojnë për ritualin koledarstvo, por ata nuk e kanë parë kurrë nga afër dhe nuk kanë marrë pjesë në ngjarje të tilla, ndaj jam e sigurt se do t’u duket interesante. Një tjetër ritual i ngjashëm është nestinarstvoto – është mirë që ta njohin të paktën përmes videove dhe fotografive. Kur vijnë në Bullgari gjatë verës, shumica e fëmijëve vizitojnë vetëm bregdetin e Detit të Zi dhe gjyshërit në fshat, ndërsa monumentet historike dhe kulturore mbeten në plan të dytë. Me aplikacionin do të donim të ngjallnim interesin e tyre, që të shkojnë vetë në këto vende, t’i njohin dhe të marrin me vete një kujtim të bukur nga vendi.”
Aplikacioni “Unë jam bullgar” do të përditësohet dhe zgjerohet në varësi të interesit të përdoruesve. Parashikohet edhe prezantimi i tij para komuniteteve të ndryshme jashtë Bullgarisë. “Do të donim që pikturat, fotografitë dhe videot të shndërrohen në frymëzim për të gjithë bullgarët, që ata të njohin historinë dhe kulturën e tyre dhe të krenohen që jetojnë në një vend kaq të bukur,” – thotë për ta përmbyllur Desisllava Pingellova.
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello