Artikull
Hënë 19 Janar 2026 20:43
Hënë, 19 Janar 2026, 20:43
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar popullit bullgar, kreu i shtetit Rumen Radev deklaroi se për herë të fundit po del para qytetarëve si president i Bullgarisë. Ai falënderoi për besimin e dhënë dy herë me votë, por theksoi se rrethanat politike imponojnë nevojën për një “kontratë të re shoqërore”.
FOTO: BTA
Në fillim të fjalimit të tij, që zgjati rreth 10 minuta, Radev kërkoi falje nga populli bullgar, duke theksuar se gjatë mandatit të tij 9-vjeçar ka bërë gabime, pa i konkretizuar ato.
“Gjatë këtyre 9 viteve Bullgaria përfundoi procesin e integrimit të saj evropian, për të cilin punuan intensivisht të gjitha qeveritë e rregullta dhe ato teknike. Tashmë jemi anëtarë të Shengenit dhe të Eurozonës – një horizont i përcaktuar nga shoqëria jonë që në fund të viteve 90-të të shekullit të XX-të.
FOTO: BTA
Pyetja këtu është pse arritja e këtyre objektivave nuk solli stabilitet dhe kënaqësi? Pse bullgarët ndaluan së votuari? Pse nuk u besojnë mediave dhe nuk mbështeten te drejtësia?” – tha Radev.
Ai rikujtoi se qytetarët dolën dy herë në sheshe, sepse modeli i qeverisjes është i korruptuar, duke funksionuar si një oligarki jashtë institucioneve. Sipas Radevit, politikanët vënë në pikëpyetje jetën paqësore të bullgarëve në kushtet e një lufte të afërt pranë vendit, ndërsa qeveria e koalicionit midis GERB, DPS dhe “Po e vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” fshiu dallimin mes korruptuarve dhe atyre që luftojnë kundër korrupsionit.
FOTO: BTA
Qeveria teknike nuk është më garantuese e zgjedhjeve të ndershme, dhe sipas Radevit, përçarja përfundimtare me popullin ndodhi në momentin kur të zgjedhurit e popullit ia mohuan popullit të drejtën për të zgjedhur dhe për të zhvilluar një referendum për vendosjen e euros.
Nevojitet një kontratë e re shoqërore, sepse dy të tretat e bullgarëve nuk duan më të votojnë, tha Rumen Radev në fjalimin e tij të fundit si president, duke premtuar se do të mbrojë institucionet dhe të rinjtë bullgarë, të cilët gjatë protestave të vjeshtës së vitit 2025 deklaruan se nuk dëshirojnë më të largohen nga Bullgaria.
“Bashkimi në shesh tregon rrugën përpara”, shtoi Radev dhe njoftoi se më 20 janar do ta depozitojë dorëheqjen e tij si kreu i shtetit të Bullgarisë para Gjykatës Kushtetuese. Ai dha një sinjal të qartë për angazhimin e tij në politikën partiake në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që priten në pranverë.
FOTO: BTA
“Nënpresidentja Ilijana Jotova do të jetë një presidente dinjitoze”, tha Radev dhe shtoi: “Na pret një betejë për të ardhmen e Atdheut dhe unë besoj se do ta zhvillojmë së bashku me të gjithë ju – dinjitozët, të frymëzuarit dhe të papajtueshmit. Jemi gati, mundemi dhe do t’ia dalim!”.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova