TURIZËM

Artikel

130 vjet nëpër shpatet e malit Rilla – histori, borë dhe adrenalinë në Borovec

Mërkurë, 21 Janar 2026, 06:55

130 vjet nëpër shpatet e malit Rilla – histori, borë dhe adrenalinë në Borovec

FOTO: borovets-bg.com

Madhësia e shkronjave

Në vitin e 130-të të themelimit të tij, Borovec hapi zyrtarisht sezonin e skive me një program të pasur argëtues dhe me plane për ndërtimin e objekteve të reja për sportet dimërore dhe shërbimet turistike. Qendra më e vjetër malore e vendit nis historinë e saj me emrin Çamkoria në fund të shekullit të XIX-të, si një strehë mes pishnajave për princin Ferdinand dhe aristokracinë e Sofjes.

Gradualisht, rajoni i fshehur mes shpateve të pjerrëta të malit Rilla u bë një nga fytyrat e turizmit bullgar. Historia e pushimores Borovec ecën paralelisht me historinë e Bullgarisë – nga kasollet mbretërore të gjuetisë, te turizmi masiv gjatë periudhës socialiste, e deri te modeli më i kërkuar dhe më konkurrues i sotëm i tregut. Ky jubile është një pikënisje e mirë për një bilanc, por edhe për një bisedë në mes të sezonit dimëror me Ivajllo Cvetkov, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Borosport”, që menaxhon resortin:

Rezidenca “Carska Bistrica”

FOTO: borovets-bg.com

“Borovec nis historinë e tij të lavdishme në vitin 1896, kur princi Ferdinand zbuloi bukurinë e malit dhe ndërtoi rezidencën e tij verore “Carska Bistrica”. Shumë shpejt kjo tërhoqi përfaqësues të borgjezisë lokale, të cilët filluan të ndërtonin vila të tyre verore. Në fillim, Borovec ishte një pushimore verore, por gjatë viteve 30-të të shekullit të XX-të filloi të zhvillohej edhe turizmi dimëror me skitë, të cilat u sollën si modë nga austriakët. Shumë shpejt, në vitin 1930, në pushimore u zhvillua gara e parë në disiplinën e skive alpine.”


FOTO: borovets-bg.com

Pas Luftës së Dytë Botërore, Çamkoria mori emrin Borovec dhe u konsolidua si një qendër kryesore skijimi në Ballkan. Filloi një ndërtim i shpejtë i teleferikëve, u formuan pista të gjera dhe u ngritën restorante dhe një seri hotelesh në stil alpin sipas modelit francez. Pushimorja u përfshi për herë të parë në kalendarin alpin të Federatës Ndërkombëtare të Skive (FIS) në vitin 1974. “Për këtë rol luajtën Petër Popangellov i vjetër dhe djali i tij, i shquari Pepi Popangellov, që është skiatori më i suksesshëm bullgar”, thotë Ivajllo Cvetkov. Por gjatë viteve 90-të të shekullit të XX-të, pushimorja kaloi përmes tronditjeve të pashmangshme të periudhës së tranzicionit – me shumë të panjohura dhe në kërkim të një drejtimi të ri.



FOTO: BTA

“Vërtet, Borovec ndryshoi shumë gjatë dy dekadave të fundit. Ne realizuam një program të gjerë investimesh për më shumë se 120 milionë leva (51,13 mln euro), duke rinovuar plotësisht infrastrukturën e zonës së skive në aspektin inxhinierik, logjistik dhe teknik. Zëvendësuam linjat më të ngadalta dhe të vjetra me teleferikë modernë, të shpejtë me kabina, ndërsa të tjerat i përmirësuam me sisteme bashkëkohore menaxhimi dhe siguri elektronike, duke zgjatur edhe jetën e tyre shfrytëzuese.

FOTO: borovets-bg.com

Gjithashtu, përfunduam fazën e parë të planit tonë të madh investues për të siguruar mbulimin 100% me dëborë artificiale të zonës së skive. Aktualisht, impiantet tona të dëborës artificiale mbulojnë rreth 55% të sipërfaqes totale të pistave të skive” -  shpjegon Ivajllo Cvetkov.



FOTO: borovets-bg.com

Bora këtë vit vonoi, si në të gjithë Evropën Juglindore, por kushtet për skijim në resort janë të mira. Bullgarët janë grupi kryesor i vizitorëve, të ndjekur nga mysafirë nga Britania e Madhe dhe Ballkani. Në dispozicion të tyre janë tre qendra skish – Jastrebec, Markuxhik dhe Sitnjakovo, me pista për fillestarë dhe të avancuar. Ka kushte të shkëlqyera edhe për adhuruesit e skijimit natën, freeride-it dhe snowbordit. Gjatë sezonit të fundit dimëror, Borovec shënoi një rritje prej 6% të vizitorëve – një shkak për shpresë dhe optimizëm për muajt e ardhshëm. Çfarë është e reja këtë sezon?


FOTO: borovets-bg.com

“Po përgatisim një airbag të madh për kërcime, i cili do të instalohet në pjesën e poshtme të zonës së skive pranë hotelit “Rilla” dhe do t’u sjellë shumë adrenalinë dhe emocione adhuruesve të sporteve dimërore dhe atyre që kërkojnë ndjesi më ekstreme. Sa i përket çmimeve të kartave për teleferikët, këtë vit ato u rritën vetëm rreth 5%, pavarësisht rritjes së shpenzimeve, gjë që është nën nivelin e inflacionit vjetor. Për krahasim, karta ditore për një të rritur vitin e kaluar kushtonte 100 leva (51,13 euro), ndërsa tani është 54 euro” – tha në përfundim Ivajllo Cvetkov.



FOTO: borovets-bg.com


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova