FOLKLOR

Seksion

“Vallja e Madhe” bullgare në Bruksel

Premte, 23 Janar 2026, 07:15

“Vallja e Madhe” bullgare në Bruksel

FOTO: Petja Petrova

Madhësia e shkronjave

Për herë të 37-të, Brukseli ishte mikpritës i “Valles së Madhe Dimërore”, e cila bashkon bullgarë nga afër dhe nga larg. Këtë vit në iniciativë morën pjesë 315 të rritur dhe 42 fëmijë. Enkas për vallen erdhën edhe bashkatdhetarët tanë nga vendet fqinje evropiane – 15 persona nga Parisi, 10 nga Eindhoven (Holandë) dhe edhe 10 nga Aacheni (Gjermani). Për rreth tre orë u luajtën valle tradicionale nga rajone të ndryshme folklorike të Bullgarisë dhe njerëzit mësuan hapa të reja.


Kështu edhe këtë vit, “Vallja e Madhe” në Bruksel u shndërrua në një festë të vërtetë të shpirtit dhe traditave bullgare.


FOTO: Arkiva personale e Marija Cvetkovës

“Prej shumë vitesh jetoj në Belgjikë dhe më mungon gjithçka bullgare,” – ndan përjetimet e saj një nga pjesëmarrëset, Lina. – “Nuk mund ta përshkruaj emocionin që ndiej kur jam duke kërcyer valle. Vetëm njerëzit që jetojnë jashtë vendit mund ta kuptojnë këtë lidhje. Kur jam në Bullgari nuk është njësoj. Kur je jashtë, e ndjen fort ndjenjën bullgare që këtu e ndajmë të gjithë dhe Bullgarinë që na mungon të gjithëve. Nuk mund ta shpreh me fjalë.”


“Doja të mësoja të kërceja disa valle bullgare, sepse nuk dija fare t’i kërceja. Kjo është një mundësi e mrekullueshme për t’u socializuar me komunitetin bullgar. Atmosfera është shumë e këndshme dhe njerëzit me të cilët mblidhemi e kërcejmë janë të mrekullueshëm. Kjo është mbi të gjitha një lidhje me Bullgarinë,” – thotë një tjetër bashkatdhetare.


FOTO: Petja Petrova

“Më pëlqen shumë dhe është interesante të shohësh se si rajone të ndryshme të Bullgarisë kanë stile të ndryshme vallëzimi. Për shembull, në rajonin e Ruses vallet zënë më shumë hapësirë, sepse sheshi i fshatit ka qenë më i gjerë. Ndërsa në Pirin sheshi ka qenë shumë më i vogël dhe hapat janë më të vegjël. Kjo është pasuri, kjo është kulturë – diçka që duhet ta ruajmë. Gëzohem kur shoh se edhe shumë të rinj marrin pjesë në valle. Kjo është e rëndësishme, për të ruajtur shpirtin bullgar,” – thotë një i ri bullgar.


Iniciativa “Vallja e Madhe” mbledh një komunitet të madh bullgar dhe lë një ndjesi të mrekullueshme bashkimi, lëvizjeje, lirie dhe gëzimi – ndajnë pjesëmarrësit. Organizator është Klubi i valleve popullore “Në Vallen e Brukselit”, me drejtuese Maria Cvetkova.

Grupi folklorik i kërcimit "Në Valle"

FOTO: Arkiva personale e Marija Cvetkovës

“Vallja e Madhe” është një nga festat më të rëndësishme për komunitetin bullgar në Belgjikë. Dhe jo vetëm. Në valle u bashkuan edhe shumë të huaj, kryesisht belgë – tregon Maria Cvetkova.


“Vitet e fundit i kushtoj kohë bisedave me njerëzit e ndryshëm. I pyes: ‘Pse erdhët? Çfarë ju intereson? Çfarë ju pëlqeu? Çfarë nuk ju pëlqeu?’ Edhe vetes i kam bërë pyetjen: a do të shkoja unë në një ngjarje të një kombësie tjetër? Ndoshta një herë – po, nga kureshtja. Në aktivitetet tona tashmë i njoh fytyrat e njerëzve, me disa njihemi edhe personalisht. Shumë prej tyre, nëse janë nga Brukseli, më pas vijnë në klub për të mësuar valle. Thonë: ‘Oh, kjo është e mrekullueshme! Sa bukur! Sa shumë gëzim sjell, edhe pa e kuptuar tekstin.’ Vijnë në kurse në klub dhe pas një kohe kërcejnë si të tjerët. Më kanë treguar se kjo u sjell gëzim të pastër. Është interesante që në Belgjikë dhe në Holandë ka një respekt të madh për folklorin bullgar. Shumë njerëz vijnë dhe më pas sjellin edhe miqtë e tyre… Ndihet një gëzim i pastër”, ndan Cvetkova.

FOTO: Daniella Goleminova

Këtë vit, mysafirë të veçantë në “Vallen e Madhe” në Bruksel ishin interpretuesit e grupit të famshëm folklorik mashkullor “Banski Starçeta”, të cilët kanë dëshmuar aftësinë e tyre për të krijuar atmosferë të shkëlqyer me këngët unike tradicionale nga Bansko.


“Jemi të befasuar nga pritja dhe qëndrimi i mirë,” – thotë drejtuesi i formacionit folklorik Atanas Jançoviçin dhe shton:


Emri i grupit është paksa mashtrues, sepse anëtarët e tij janë kryesisht të rinj. Muzika që interpretojnë u sjell atyre lumturi dhe krenari.

Grupi folklorik mashkullor “Banski Starçeta”

FOTO: Petja Petrova

“Për ne është nder të jemi këtu, mes komunitetit bullgar, mes dashamirësve të muzikës bullgare. Është një kënaqësi e madhe të shohësh bullgarë jashtë vendit që gëzohen me këngët bullgare. Kudo që shkojmë, publiku na pret me gëzim dhe kjo na jep energji,” – ndan përshtypjet Nikollaj Pëjkov nga formacioni “Banski Starçeta”.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello