POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 24 Janar 2026, 09:05

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: Idevice.ro

Madhësia e shkronjave

Rumunët në Ukrainë nuk do të mund të marrin shtetësi të dyfishtë


Një ligj i ri ukrainas për shtetësinë, i miratuar më 16 janar, e ka përjashtuar Rumaninë nga lista e shteteve, qytetarët e të cilave mund të kenë edhe një shtetësi tjetër përveç asaj ukrainase, pavarësisht anëtarësimit të saj në BE dhe NATO. Lista përfshin vetëm pesë shtete: Gjermaninë, Poloninë, Çekinë, SHBA-në dhe Kanadanë. Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra si në mesin e rumunëve etnikë në Ukrainë, ashtu edhe në Bukuresht. Sipas opinionit publik rumun, kjo masë rrezikon diasporën. Gazeta Libertatea doli me titullin: “Komuniteti rumun ndihet i diskriminuar”. Socialdemokratët kërkojnë që qeveria dhe presidenca rumune të reagojnë ndaj kësaj çështjeje. “Pas rusëve, komuniteti rumun është i dyti për nga numri dhe, duke pasur parasysh mbështetjen e pakushtëzuar që Rumania i jep Ukrainës në konfliktin aktual, si dhe qindra rumunë etnikë që kanë vdekur në krye të detyrës në frontin ruso-ukrainas, ishte e natyrshme dhe e pritshme që Rumania të përfshihej në këtë listë,” – tha për Agerpres avokati ukrainas me origjinë rumune, Euxhen Pëtrash. Në përgjigje të shqetësimeve, Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës sqaroi se ndryshimi ligjor nuk prek personat që deri më 16 janar 2026 tashmë kanë shtetësi ukrainase. Gjithashtu theksohet se në këto pesë shtete jeton diaspora më e madhe ukrainase, njofton digi24.ro.

FOTO: investmentmigration.org

10 500 aplikime për “Vizën e Artë” në Greqi presin ende shqyrtimin


31 000 shtetas të huaj kanë marrë të ashtuquajturën “Vizë te Artë” greke që nga fillimi i programit në vitin 2014 deri në fund të vitit 2025, ndërsa së bashku me vizat e rinovuara numri i tyre arrin rreth 39 000. “Viza e Artë” është e destinuar për investitorë nga vende jashtë BE-së dhe u jep atyre një leje qëndrimi pesëvjeçare (edhe për anëtarët e familjes së tyre), e cila përfshin edhe lëvizjen e lirë brenda Bashkimit Evropian.


Numri i vizave të lëshuara arriti kulmin në vitin 2023, kur rreth 8 000 persona përfituan nga ky program. Pas këtij bumi të kërkesës, aktualisht mbi 10 500 aplikime presin ende të shqyrtohen, pasi autoritetet përkatëse nuk po arrijnë të përballojnë fluksin, shkruan gazeta greke Ta Nea.
Sipas Kathimerini, përmes programit të “Vizës së Artë” në vend kanë hyrë të paktën 8,89 miliardë euro. Programi u krijua nga qeveria e Antonis Samaras me synimin për të tërhequr investime të huaja në një kohë kur kapitali po largohej nga Greqia me ritme të shpejta dhe hyrjet ishin minimale.


Ta Nea vëren se ndër “investitorët e artë” më të shumtë janë shtetasit kinezë, të ndjekur nga ata të Turqisë, Libanit, Iranit, Rusisë, Egjiptit, Izraelit dhe Mbretërisë së Bashkuar.

FOTO: turkiyetoday.com

Eksportet nga Turqia drejt vendeve të Ballkanit janë rritur me 8,1%


Eksportet e Turqisë drejt vendeve të Ballkanit janë rritur me 8,1% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin e mëparshëm, duke arritur në 25,258 miliardë dollarë, njofton Anadolu Ajansi.


Sipas të dhënave të ofruara për agjencinë nga Këshilli i Eksportuesve të Turqisë (TİM), në vend të parë renditet Rumania me eksporte me vlerë rreth 7,9 miliardë dollarë, e ndjekur nga Bullgaria (4,7 miliardë dollarë), Greqia (3,5 miliardë), Sllovenia (3,2 miliardë) dhe Serbia (2,0 miliardë).


Për shkak të situatës në tregun botëror, Turqia po përpiqet të forcojë lidhjet e saj ekonomike me vendet fqinje, komenton agjencia.
Sektori kryesor i eksporteve drejt Ballkanit është ai industrial, ku industria automobilistike renditet në vend të parë, e ndjekur nga industria kimike, metalurgjia, elektronika dhe elektroteknika, mobiliet dhe letra.

FOTO: AFP

Ballkani ka humbur 2500 km lumenj natyrorë gjatë viteve të fundit


Mijëra kilometra lumenj në Ballkan janë dëmtuar gjatë viteve të fundit për shkak të rritjes së numrit të hidrocentraleve të vogla dhe shfrytëzimit të tepruar të sedimenteve, thuhet në një raport të organizatave joqeveritare “River Watch” dhe “Euronatur”, transmeton BTA duke iu referuar AFP-së.


Raporti thekson se Ballkani zotëron disa nga lumenjtë më të pastër dhe më të egër në Evropë, të cilët janë thelbësorë për biodiversitetin e kontinentit dhe përfaqësojnë “zemrën blu” të tij. Organizatat paralajmërojnë se ky burim i çmuar po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga rritja e projekteve infrastrukturore në rajon.


Sipas raportit të vitit 2024 të dy organizatave, në Ballkan ekzistojnë rreth 1 800 hidrocentrale të tilla dhe mbi 3 000 projekte për ndërtimin e objekteve të ngjashme. Në vitin 2012, lumenjtë e paprekur përbënin 30% të rrjedhave ujore në rajon, ndërsa në vitin 2025 kjo përqindje ka rënë në vetëm 23%.


Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello