Seksion
Dielë 25 Janar 2026 08:05
Dielë, 25 Janar 2026, 08:05
FOTO: Radio Bullgaria
Madhësia e shkronjave
A e dini se shprehja “Këtu është Radio Sofia!” është dëgjuar nëpër botë përmes valëve të shkurtra pesë vjet përpara se bota të dëgjonte për “Zërin e Amerikës” dhe një vit pas fillimit të transmetimeve ndërkombëtare të BBC-së?
Kjo ndodh në vitin 1936, dhe Petër Uvaliev është një nga prezantuesit e parë të edicionit të parë në gjuhë të huaj të radios kombëtare – në gjuhën italiane. Më pas pasojnë emisione gjysmëorëshe në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe bullgarisht për bashkatdhetarët tanë në mbarë botën.
Trashëgimtari i transmetimeve për jashtë vendit, programi “Radio Bullgaria”, ruan kujtimin e asaj kohe, kur transmetonte programe në 12 gjuhë për 53 orë në ditë dhe, sipas një studimi të vetë BBC-së, Radio Bullgaria renditej e para për nga dëgjueshmëria në Ballkan – siç na kujtojnë arkivat e gazetës “Trud” të datës 3 qershor 1996, të ruajtura në redaksinë referuese të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).
Po nga aty mësojmë – siç edhe kolegët tanë më me përvojë në Radio Bullgaria kujtojnë – se presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm kanë dhënë me dëshirë intervista për programin e BNR-së për jashtë vendit, të cilat më pas janë përdorur edhe nga programet e orientuara kryesisht drejt audiencës brenda vendit – “Horizont” dhe “Hristo Botev”. Për shembull, François Mitterrand është dëgjuar për herë të parë në programin në gjuhën frënge të Radio Bullgarisë që në vitin 1976, si udhëheqës i Partisë Socialiste, dhe më vonë, në vitin 1994 – edhe si president. Në emisionet në gjuhën gjermane kanë marrë pjesë kancelarët federalë Helmut Kohl dhe Helmut Schmidt, Willy Brandt – si kryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane, ndërsa Franz Josef Strauss ka dhënë intervistën e tij të fundit, një muaj para se të ndërronte jetë, pikërisht për Radio Bullgarinë. James Baker, Lord Carrington dhe bashkëshorti i mbretëreshës angleze, Princi Philip, janë ndër më të njohurit e intervistuar për emisionet në anglisht, ndërsa Aldo Moro dhe Lamberto Dini – për ato në italisht. Fidel Castro është dëgjuar në emisionet në gjuhën spanjolle.
Në agimin e tranzicionit tonë demokratik, politikanë bullgarë që zotëronin gjuhë të huaja ishin gjithashtu mysafirë të shpeshtë në emisionet e Radio Bullgarisë, shkruan gazeta “Trud” në botimin e saj të 3 qershorit 1996. Georgi Pirinski, Filip Bokov, Rumen Geçev dhe Filip Dimitrov janë shprehur në anglisht, Zhelju Zhelev – në frëngjisht, Stefan Savov dhe Simeon Sakskoburggotski – në spanjisht. Ndërsa Elena Poptodorova ka marrë pjesë në emisionet e Radio Bullgarisë në anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Realiteti sot është i ndryshëm, por Radio Bullgaria vazhdon të krijojë programe dhe përmbajtje të tjera digjitale në bullgarisht dhe në dhjetë gjuhë të huaja – anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, turqisht, greqisht, shqip dhe rumanisht. Emisionet tona në gjuhën turke transmetohen edhe live për qytetarët bullgarë, gjuha amtare e të cilëve është turqishtja. Ndërsa çdo të enjte nga ora 10:00 deri në 11:00, në programin “Hristo Botev” të Radios Kombëtare Bullgare transmetohet “Ora e Radio Bullgarisë”. Janë planifikuar edhe iniciativa të tjera…
BNR ndër vite
FOTO: Krasimir Martinov
Përpiloi: Krasimir Martinov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello