SPORT

Seksion

Dërgojmë ekipin më të fortë të dekadave të fundit në Lojërat Olimpike Dimërore

Martë, 27 Janar 2026, 07:05

Dërgojmë ekipin më të fortë të dekadave të fundit në Lojërat Olimpike Dimërore

FOTO: Fotokolazh nga Ivan Petrov

Madhësia e shkronjave

Në prag të Lojërave Olimpike zakonisht mbizotëron një atmosferë e bukur dhe pritshmëri për medalje me shkëlqim fisnik për elitën e sportit kombëtar. Tek ne, megjithatë, ky entuziazëm është zbehur nga skandalet e vazhdueshme dhe proceset gjyqësore në Komitetin Olimpik Bullgar.


Njëzet sportistë në sportet dimërore do ta përfaqësojnë Bullgarinë në forumin më prestigjioz për ta, i cili do të zhvillohet nga 6 deri më 22 shkurt të këtij viti në qytetet italiane Milano dhe Cortina d’Ampezzo. Edhe pse të vendosur në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe në një situatë poshtëruese për vetëdijen kombëtare, në Lojërat Olimpike do të niset ndoshta ekipi më i fortë bullgar i dekadave të fundit.

Kamen Alipiev

FOTO: Ani Petrova

“Sporti bullgar ka arritur nivele të papara më parë – jo për nga rezultatet sportive, por për nga veprimet administrative, ndërhyrja politike në sport dhe uzurpimi i federatave dhe i Komitetit Olimpik Bullgar,” thotë gazetari sportiv Kamen Alipiev. “Megjithëse në mars 2025 në Komitetin Olimpik Bullgar (KOB) u zhvilluan zgjedhje të rregullta dhe kryetarja e deriatëhershme – atletja legjendare e kërcimit për së larti, Stefka Kostadinova – i shtrëngoi dorën rivales së saj Vesella Leçeva, duke pranuar humbjen, nën ndikim politik u ngritën shumë padi gjyqësore. Kështu u arrit në absurdin juridik që kryetarja e zgjedhur të njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, por gjykata bullgare konsideronte se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Për këtë arsye, KOB funksionon në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe, si rrjedhojë, pritshmëritë nga Lojërat Olimpike natyrisht nuk janë shumë të larta.”

Vesella Leçeva dhe Stefka Kostadinova

FOTO: BTA

Sipas gazetarit, sporti bullgar ka nevojë për ndryshim në menaxhim. “Janë të pakta federatat që menaxhohen vërtet si një ndërmarrje e mirë – në sportet dimërore këto janë federatat e skive dhe deri diku e biatlonit, të cilat janë në rrugën e duhur dhe punojnë me trajnerë të huaj. Të tjerat mbijetojnë secila më vete,” shton ai.


Pavarësisht kushteve të vështira të punës, sipas fjalëve të Vesella Leçevës, Bullgaria do të përfaqësohet nga sportistë – pjesë e elitës botërore, të cilët kanë shanse të renditen mes gjashtë më të mirëve në sportin e tyre.

Tervell Zamfirov dhe Radosllav Jankov

FOTO: BTA

“Nuk është rastësi që Radosllav Jankov është për momentin i vetmi bullgar që ka fituar Kupën e Madhe të Botës në sportet e borës, ndërsa Tervell Zamfirov është kampioni ynë i vetëm botëror,” tregon Kamen Alipiev për olimpistët më të mirë bullgarë, duke nisur nga snowboard-i. “Vetëm 16 vjeçe, Malena Zamfirova fitoi podiumin e saj të parë në garat e femrave dhe vazhdon të zhvillohet shumë mirë në sezonin e ri të Kupës së Botës.

Malena Zamfirova

FOTO: BGNES

Në ski, Allbert Popov do të marrë pjesë në sllallomin gjigant, edhe pse nuk garon rregullisht në Kupën e Botës. Ai është shembull se si me shumë vullnet, punë dhe përkushtim mund të qëndrosh vazhdimisht në elitën botërore dhe tani ka shanse të renditet mes dhjetë më të mirëve.

Allbert Popov

FOTO: BGNES

Sa i përket Vlladimir Zografskit, ky është sezoni i tij më i mirë me paraqitje të shkëlqyer në ‘Katër Kërcimet’. Të jesh në vendin e 14-të, duke ardhur nga një vend që nuk ka traditë në kërcimet me ski, është vërtet një arritje e paçmueshme në një sport me konkurrencë jashtëzakonisht të fortë.

Vlladimir Zografski

FOTO: BGNES

Ka shumë zhurmë rreth biatlonit – veçanërisht pas paraqitjes së Milena Todorovës sezonin e kaluar, por rezultatet nga fillimi i sezonit në Kupën e Botës nuk janë aq pozitive. Mendoj se një vend mes 20 më të mirëve mund të konsiderohet një sukses i madh. Për patinatoren artistike Aleksandra Fejgin, vetë kualifikimi për Lojërat Olimpike është një arritje e madhe, dhe eventualisht edhe pjesëmarrja në programin e lirë.”

Aleksandra Fejgin

FOTO: BGNES

Ndryshe nga Lojërat Olimpike Verore, ku vendi ynë në shumë sporte nuk mbetet pas fuqive më të mëdha, Lojërat Dimërore sjellin arritje episodike, të cilat megjithatë mund të shërbejnë si frymëzim. Gjurmën e parë bullgare e la Petër Popangellov që në vitin e largët 1980, kur në Lake Placid u rendit i gjashti në sllallom dhe në vitin 1984, në Sarajevë, e përsëriti këtë arritje historike për sportin tonë. Kulmi olimpik deri më sot është pushtuar vetëm nga biatlonistja Ekaterina Dafovska, ndërsa medaljen e bronztë në skijim vrapues e fitoi Ivan Lebanov.


Ndoshta për herë të parë, sportistët bullgarë që ndjekin ëndrrën e tyre olimpike nuk u përcollën me një ceremoni zyrtare. Megjithatë, një dorë ndihme erdhi edhe nga Ambasada e Italisë – më 19 janar misioni diplomatik organizoi një ngjarje ku u shpërndanë akreditimet për forumin sportiv në Milano dhe Cortina d’Ampezzo.


“Përpjekja për organizim ishte e gjatë, por në fund u kurorëzua me sukses dhe shpresoj që shumë njerëz të pasionohen pas sporteve dimërore, të cilat janë jashtëzakonisht të bukura dhe interesante. Unë personalisht nuk mendoj se duhet të flasim shumë për numrin e medaljeve që do të fitojmë. Shpresa ime është thjesht që sportistët bullgarë të tregojnë më të mirën nga vetja dhe të shkojnë sa më përpara. Dhe kur nuk ke pritshmëri, gjithmonë mund të ndodhë ndonjë mrekulli.” – përmbylli Kamen Alipiev.

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello