Martë 27 Janar 2026 09:54
Martë, 27 Janar 2026, 09:54
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria votoi “abstenim”, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia “kundër” vendimit të Këshillit të BE-së për ndërprerjen e importit të gazit rus. Për miratimin ishte e nevojshme një shumicë e kualifikuar.
Një burim diplomatik sqaroi për Radion Kombëtare Bullgare (BNR) se në këtë mënyrë Bullgaria u sigurua ndaj padive të mundshme në të ardhmen nga Rusia, pasi ajo ka detyrimin të garantojë tranzitin e gazit rus drejt Serbisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, dhe moszbatimi i këtij detyrimi mund të çojë në penalitete serioze për vendin. Megjithatë, rregullorja e miratuar nuk parashikon solidaritet me një shtet të prekur në një skenar të tillë, sqaroi burimi.
Mosrespektimi i rregullave të reja mund të çojë në gjoba prej të paktën 2,5 milionë eurosh për persona fizikë dhe minimumi 40 milionë euro për kompani. Parashikohen gjithashtu sanksione prej të paktën 3.5% të xhiros vjetore globale të kompanisë ose 300% të xhiros së marrëveshjes përkatëse. Ndalimi i plotë do të hyjë në fuqi për importin e gazit të lëngshëm rus nga fillimi i vitit 2027, ndërsa për gazin përmes tubacioneve — nga vjeshta e po atij viti.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova