KULTURË

Analizë

Çmimi “Sirak Skitnik” është perla e re në kurorën e Korit të Fëmijëve të BNR-së

Presidentja Jotova: BNR vendos standarde të larta në gazetari

Martë, 27 Janar 2026, 18:10

Kori i Fëmijëve i BNR-së me Çmimin e Madh “Sirak Skitnik” për vitin 2025

Kori i Fëmijëve i BNR-së me Çmimin e Madh “Sirak Skitnik” për vitin 2025

FOTO: Elena Karkallanova

Madhësia e shkronjave

“Kori i Fëmijëve i BNR-së është një familje!” – kështu e përkufizojnë institucionin fëmijët me zëra engjëllorë të ansamblit më përfaqësues të radios publike, i cili prej dekadash ka përcjellë me dinjitet emrin e medias dhe të vendit tonë në mbarë botën. Prej 65 vitesh, Kori i Fëmijëve i Radios pushton zemrat nga skenat botërore, duke treguar më të mirën e Bullgarisë – muzikë, kulturë, bukuri dhe talent. Për punën e palodhur, këngët e panumërta të mësuara, koncertet dhe incizimet, ekipi i korit u nderua me Çmimin e Madh “Sirak Skitnik” – 2025 për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Radios Kombëtare Bullgare. Çmimi u dorëzua nga presidentja Ilijana Jotova në një ceremoni solemne në Studion e Parë të BNR-së, me të cilën u festua 91-vjetori i medias.

“Zërat e Radios matin kohën, matin jetën tonë… Me standardet e larta që vendosin profesionistët e Radios Kombëtare Bullgare, ata na japin siguri në një botë të pasigurt, na japin besim se ajo që dëgjojmë është e vërtetë” – tha Ilijana Jotova në fjalimin e saj drejtuar të ftuarve dhe audiencës së radios publike.

Presidentja Ilijana Jotova i dorëzoi Korit të Fëmijëve të BNR-së Çmimin e Madhë “Sirak Skitnik” 2025

FOTO: Ani Petrova

Radioja Kombëtare Bullgare nuk është vetëm një media, por një institucion i vërtetë kulturor, dhe dëshmi për këtë është pikërisht Kori i Fëmijëve i Radios – theksoi kreu i shtetit. “Lavdia e këtij kori i kapërcen prej kohësh kufijtë e Bullgarisë. Dhe, siç pohojnë shumë studiues, ky kor është ambasador jo vetëm i kulturës bullgare në Evropë, por edhe i gjithë kulturës shekullore evropiane. Ju uroj shëndet, talent të pashtershëm dhe vazhdoni të përhapni lavdinë e atdheut tonë të dashur!” – iu drejtua Jotova koristëve të talentuar.

Veneçia Karamanova

FOTO: Аni Petrova

Në emër të gjithë ansamblit, çmimin e pranoi maestrja Veneçia Karamanova, e cila prej 12 vitesh është dirigjente kryesore e korit:

“Kori i Fëmijëve i Radios u themelua me propozim të udhëheqjes së BNR-së në vitin 1960 dhe për dekada me radhë kënga bullgare fluturon me zërat e këtyre fëmijëve të mrekullueshëm në katër kontinente, duke përhapur lavdinë e këngës bullgare dhe duke u pritur kudo me respekt dhe vlerësim” – kujtoi zonja Karamanova në fjalën e saj falënderuese, duke mos e fshehur se ky çmim është një vlerësim i pritur prej kohësh: - “”Sirak Skitnik” është një ëndërr për ne, sepse vjen nga institucioni në emër të të cilit dhe për emrin e të cilit ne punojmë. Dëshiroj t’ia kushtoj këtë çmim themeluesit dhe dirigjent shumëvjeçar të korit, Hristo Nedjalkov, i cili la këtu zemrën e tij. Mirënjohje e pafund për mbështetjen e jashtëzakonshme që marrim nga Radioja Kombëtare Bullgare. Mirënjohje e thellë për të gjithë profesionistët që lanë gjurmën e tyre në rrugëtimin tonë krijues. Falënderime edhe për familjet që na besojnë fëmijët e tyre dhe na mbështesin në kërkimet tona artistike. Por mirënjohja më e madhe u takon këtyre fëmijëve – ata dhurojnë fëmijërinë e tyre engjëllore, talentin, vullnetin, punën dhe kohën e tyre, duke bërë që kori të jetë një nga ansamblet më të njohura të Bullgarisë jashtë vendit dhe një nga simbolet e Radios Kombëtare Bullgare.”

Pjesë nga këngëtaret e Korit të Fëmijëve të BNR-së me Çmimin “Sirak Skitnik”

FOTO: Elena Karkallanova

“Ne jemi fëmijë shumë ambiciozë me një udhëheqje po aq ambicioz. Ëndrrat tona janë të pafundme dhe sa më të larta të jenë synimet që i vendosim vetes, aq më shumë arrijmë” – tha për Radio Bullgaria Neli Pavllova, teksa mbante në duar statujën elegante të çmimit “Sirak Skitnik”, vepër e skulptorit Vezhdi Rashidov. - “Prej njëmbëdhjetë vitesh këndoj këtu – u bashkova që në klasën e parë, ndërsa tani jam në klasën e njëmbëdhjetë dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe: e adhuroj të shkoj në prova.”

Vajza të Korit të Fëmijëve të Radios, së bashku me disa nga muzikantët e ftuar dhe drejtorin e medias, Milen Mitev

FOTO: Elena Karkallanova

Dhe gazetarë të tjerë u nderuan për kontributin e tyre në zhvillimin e Radios Kombëtare Bullgare si media publike, por jo vetëm:

Konkursi Kombëtar për Këngën Popullore “Sllavejçe” (Bilbili) i BNR Stara Zagora u vlerësua me Çmimin Kolektiv për Emision Radiofonik / Projekt Radiofonik.
Gergana Hrişçeva, autore e podkastit shëndetësor “Në qendër të sistemit”, është fituese e Çmimit Individual për Gazetari Radiofonike për prezencë të spikatur para mikrofonit dhe për mbrojtjen e ideve dhe qëndrimeve që forcojnë autoritetin e Radios Kombëtare Bullgare si media publike gjatë vitit 2025.
Drejtuesi televiziv Bojko Vasilev është fituesi i ri i Çmimit për Profesionalizëm në Eter, me të cilin BNR vlerëson një gazetar nga media të tjera elektronike.
Me çmimin “Zëri i Artë” të fondacionit “Nadezhda Gjeneva” u nderua ekipi i liderit informativ në eterin radiofonik – programi “Horizont”.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova